Imzot Rrok Mirdita: “Bota nuk ka humbur çdo shpresë”
Besimtarët katolikë festojnë Ringjalljen e Krishtit me lutje për paqe dhe dashuri. Tiranë, mesha në Katedralen e Shën Palit
Besimtarët katolikë kremtuan dje Festën e Pashkës, Ditën e Ringjalljes së Krishtit. Ndërsa përgatitjet për kremtimin e kësaj feste nisën që në mes të javës, momenti kulmor është e Diela e Shenjtë e Pashkës. Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit diferenca kohore me pashkët ortodokse është ajo e një muaji, që ndodh një herë në dhjetë vjet.
Në mesnatë, duk u gdhirë e diela, filloi Vigjilja e Pashkës, që në shume raste quhet Shërbesa e Mesnatës. Ky procesion i besimtarëve katolikë gjatë mesnatës të kujton procesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë, që kryhej në kishën e vjetër. Ky është procesioni i kalimit të shenjtë prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë që do të vijë. Mëngjesorja e Pashkës dhe Mesha Hyjnore kremtohen së bashku me orët e para të ditës së parë së javës me qëllim që t’i japë njerëzve përvojën e “krijimit të ri” të botës dhe t’i lejojë ata të hyjnë mistikërisht në Jeruzalemin e ri, i cili shkëlqen përjetësisht me dritën e Krishtit. Besimtarët ortodoksë e kremtojnë këtë festë më 5 maj.
Mesha në Katedralen e Shën Pjetrit në Tiranë
Besimtarët katolikë festojnë Pashkët, ringjalljen e Krishtit. Mesha për kremtimin e Pashkëve u mbajt në katedralen e “Shën Palit” dhe u drejtua nga Imzot Rrok Mirdita.
Imzot Rrok Mirdita uroi të gjithë besimtarët për këtë festë.
Në fjalën e tij ndër të tjera ai tha se, “Jeta është drita e njerëzve dhe të krishterët e shndrisin jetën me dashuri”. “Të dashur vëllezër e motra, Krishti i Ringjallur ju pret të gjithëve”, ky ishte mesazhi i përcjellë nga Imzot Rrok Mirdita, nga Katedralja e Shën Palit, ku u mbajt dhe mesha kryesore për besimtarët katolikë. “Me kremtimin solemn të Pashkëve, thellohemi në kuptimin e misterit të vdekjes e ringjalles, por edhe në kuptimin e misterit të njeriut, që përjeton në vetvete dëshirën e thellë për jetën e amshuar dhe pamundësinë për ta arritur këtë jetë pa Zot. Krishti, shpërndau errësirën e moskuptimit, na zbulon figurën e vërtetë të Hyjit dhe të njeriut. Kjo botë nuk ka humbur çdo shpresë, kjo është bota e njeriut të shpëtuar nga dashuria që ka ngjallur birin”, theksoi Imzot Rrok Mirdita. Në Kosovë mesha e Pashkëve u mbajt në katedralen “Nëna Terezë”. Ndezja e qirinjve ka shënuar fillimin e meshës e cila u udhëhoq nga ipeshkvi i Kosovës Dodë Gjergji. Gjatë meshës, ipeshkvi Dodë Gjergji iu lut Zotit që ta bekojë, ta ruajë dhe ta mbushë me paqe e dashuri popullin e tij në Kosovë.