E Diel, 1 Nëntor 2026

Majtistët e Ramës sjellin krizën greke, tollovinë italiane dhe taksat franceze

01-04-2013 / Gazeta 55

Modelet që po sponsorizon Edi Rama për katër vitet e ardhshme mbështeten tek ideologët që sollën krizën greke, tek ekstremizmi majtist që solli detabilitetin politik në Itali, si dhe tek dështimi flagrant francez, me taksën soc-komuniste prej 75 përqindësh. Ky lobizëm ka zbardhur edhe interesat klienteliste që po mbajnë gjallë një formacion bolshevik si ai i Edi Ramës dhe që po synojnë ta shndërrojnë Shqipërinë në një fushë loje, ku do shkarkohet kriza e të tjerëve

Prej dy ditësh Edi Rama ka nisur një operacion “joshje” për të majtën duke angazhuar kolegët e Internacionales Socialiste Jorgos Papandreu, Sergei Stanishev (ish-kryeministri bullgar), dhe zëvendëspresidentin e PE-së, Giani Pitella në lutje për një aleancë parazgjedhore të së majtës. Është një operacion diversioni që kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka nisur prej ditësh për të turbulluar elektoratin e majtë në vend dhe peshkuar votues të partitë e majta. Në këtë operacion propagandistik ai ka rekrutuar një pjesë të mediave dhe figura të dorës së tretë të politikës europiane për të shtuar tollovinë dhe magnetizuar elektorat të larguar shumë kohë më parë. 
Në fakt apelet për integrimin të Sergei Stanishev do të ishin më të kuptueshme për Bullgarinë, e cila prej vitesh i refuzohet të jetë pjesë e zonës “Shengen”. Po ashtu europarlamentari Giani Pitella do të kishte më shumë sukses të lidhte në aleancë shefin e tij Bersani me komikun italian Bepe Grillo sesa të jepte leksione bashkimi të së majtës në një vend tjetër. Giani Pitella në letrën e tij publike gjoja shqetësohet për humbjen e tretë radhazi të statusit të vendit Kandidat. Ai bën të paditurin në faktin që është Edi Rama që bllokon tre ligjet e integrimit europian dhe apelet e LSI-së dhe gjithë mazhorancës ka qenë të sinqertë për t’i votuar ligjet e kërkuar nga Bashkimi Europian. Thirrjet e Giani Pitellës janë të motivuara nga idealet e majta që Edi Rama i ka fundosur ditën që erdhi në krye të PS.
Ndërkohë lobizmi i së majtës internacionaliste, Stanishev-Papandreu-Pitella për Edi Ramën përpara zgjedhjeve të 23 qershorit synon të importojë në vend një politikë të rritjes së taksave sipas modelit progresiv të socialistëve francezë nga 45 në 75 për qind mbi të ardhurat.
Apelet e socialistit bullgar Stanishev janë në të vërtetë të Jorgos Papandreut, i cili është mentori i Edi Ramës prej 2006. Prej 2006-s, Jorgos Papandreu është kryetar i Internacionales Socialiste, duke ndihmuar së fundmi Ramën të kooptohej si zëvendës i 36-të i tij, me idenë naive të një mbështetjeje që i jepet Ramës për t’u bërë kryeministër. Edi Rama ka marrë shumë leksione nga Jorgos,  ndonëse ai nuk i konsideron më interesante “mësimet” e tij, madje fati i Papandreut i jep pagjumësi. Padyshim modeli i marrjes së pushtetit nga ana e Papandreut në Greqi i dukej Ramës një gjetje për t’u imituar edhe në Shqipëri.
Mirëpo në krye të qeverisë dyvjeçare greke Jorgo Papandreu dështoi, ashtu dhe skema e tij për daljen nga kriza.
Pas dështimit të Papandreu, Rama nuk ka pikë referimi.
Në Italinë fqinje kolegu i tij socialist Pierluixhi Bersani nuk mund dot të formonte një qeveri. Giani Pitella nuk doli me propozime për aleancë të ish-komunistit Bersani dhe shefit të lëvizjes 5 Yjet Bepe Grillo, i cili politikën nuk e ka minimalisht seriozisht. Humbja e së majtës në dy vendet fqinje nuk e kanë bërë kreun e PS të reflektojë. Përkundrazi ai lëviz në drejtimin e kundërt duke thelluar gabimet siç janë  prurjet e reja të tipit Evis Kushi apo Ilirian Celibashi që jo vetëm nuk frymëzojnë, por lëshojnë një erë myku të opozitës.
Sidoqoftë një gjë është e sigurt: Edi Rama po përgatit një fushatë elektorale të bazuar demonizimin e arritjeve të kundërshtarit, paçka se akuzat  prekin rëndë sipas rastit infermierët, mjekët, policët, prokurorët e gjykatësit. Për biznesin e mesëm dhe të lartë  po përgatit një taksë progresive nga 45 për qind deri në 75 për qind sipas modelit të internacionales socialiste, ndërsa për biznesin e vogël propozon heqjen fare të taksës që nxit kulturën e mospagesës, një model të paraparë në Greqinë e qeverisur nga Jorgos Papandreu. Majtistët e Edi Ramës propozojnë ta kthejnë Shqipërinë një laborator eksperimentesh për dështimet e tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›