Ina Rama përgatitet për luftë me mazhorancën për mandatin e saj. Kryeprokurorja: Presion politik për 21 janarin
Mazhoranca po pret me padurim shkarkimin e kryeprokurores Ina Rama nga detyra dhe me sa duket vjeshta do të sjellë konfliktin e radhës prokurori-qeveri për mandatin e kryeprokurores.
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi dhe deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj, pohojnë se mandati i zonjës Ina Rama përfundon në muajin nëntor.
Mirëpo sipas gazetës Shqip thuhet se në Prokurorinë e Përgjithshme të gjithë janë të bindur se kryeprokurorja do të lërë mandatin në muajin mars të vitit 2013. Megjithëse asnjë zyrtar i lartë nuk është prononcuar për shkak të ndonjë hakmarrje nga ana e mazhorancës, ata pohojnë se nga interpretimi që i kanë bërë ligjit për prokurorinë, mandati i saj përfundon në vitin 2013.
Në shkrim bëhet e ditur se Zonja Ina Rama ka kontaktuar disa drejtues të prokurorive te rretheve dhe drejtorët në akuzën qendrore duke deklaruar se do ti shkojë deri në fund përballjes me mazhorancën.
Mesa duket edhe për zonjën Rama, në rast se nuk largohet nga detyra deri në muajin nëntor, pritet të ngrihet komision hetimor nga Kuvendi dhe pas raportit do të kalohet me votim në Kuvend. Kështu që edhe Ina Rama do të ketë fatin e paraardhësve të saj, Theodhori Sollaku dhe Arben Rakipi, të dy të shkarkuar pas komisioneve hetimore të ngritura nga mazhoranca qeverisëse.
Ndërkohë në një takim që ka pasur kryeprokurorja Ina Rama me delegacionin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, ajo ka raportuar përpara tyre edhe për presionet politike që ka pasur për hetimin e 21 janarit.