E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama raportim ne Komisionin e Ligjeve

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve lidhur me gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri për vitin 2011.

Në fjalën e saj, Kryeprokurorja Ina Rama ka deklaruar se koefiçenti i kriminalitetit është në rritje. Sipas saj është rritur numri i çështjeve të dërguara për gjykim ndërsa është ulur numri i çështjeve të pushuara

Ditët e fundit është hapur debati lidhur me kohëzgjatjen e mandatit të kryeprokurores Ina Rama. Sipas ish kryeprokurorit Theodhori Sollaku, me ndryshimet në 2008-ën kur kufizuan mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm partitë nuk përcaktuan nëse ky kufizim prekte dhe titullarin në fuqi apo atë që vinte pas tij, çka mund ta çojë çështjen për intepretim në kushtetuese.

PD: Ina Rama ikën në nëntor

Mazhoranca qeverisëse ka lëshuar të hënën sinjalet e para se do të kërkojë zëvendësimin e kryeprokurores Ina Rama brenda këtij viti. Sipas deputetit demokrat, ish-ministër i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, numri një i akuzës duhet të lirojë zyrën në muajin nëntor dhe çështja nuk ka asnjë motiv të kalojë në Gjykatë Kushtetuese.

 “Nuk besoj se mund të çohet në këtë rast interpretim i Kushtetutës, kur nuk ka një konflikt kushtetues në këtë rast. Çështja është e qartë, e pastër, e shkruar në mënyrë të tillë, si të thuash me dashje direkte”, ka deklaruar Alibeaj i pyetur sot nga gazetarët, pas deklaratave të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, sipas të cilit, Ina Rama duhet të vijojë të mbajë postin e saj.

Për Alibeajn bazuar në ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008 detyra e saj përfundon në ditën e fundit të vitit të 5-të që ka marrë këtë mandat.

“Amendamenti Kushtetues i vitit 2008 nuk përmban asnjë lloj dispozite tranzitore, sipas së cilës të mund të përcaktojë që ky afat të fillonte nga momenti kur u bënë ndryshimet Kushtetuese. Sot kemi një Kushtetutë; e cila përmban si rregull të saj që mandati i Prokurorit të Përgjithshëm është 5 vjet. Diku në fund të tetorit a nëntorit mbaron dhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë aktualisht. Duket që është çështje e së ardhmes së afërt”, ka deklaruar Alibeaj.
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›