Inagurohen varrezat monumentale të Kllogjerit, Idrizi: Meka e shqiptarisë
Komuniteti çam por dhe shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare janë rikthyer dy vite pas vënies së gurit të themelit, për të inaguruar varrezat monumentale të Kllogjerit, në përkujtim të eksodit çam, genocidit grek të 27 qershorit 1944.
Të pranishëm në ceremoni, Imamë nga Shqipëria dhe Kosova kanë kryer ritin fetar, duke falë namazin e xhenazes për 2900 dëshmorët e eksodit çam.
Ndërkaq iniciatori i memorialit, kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, vlerësoi se përmes ndërtimit të varrezave monumentale përmbushën amanetin e të parëve, por njëkohësisht kthyen një pikë kujtese historisë së kombit shqiptar.
Të nderuar të pranishëm, mbani mend që kjo thirrej varreza e atyre ndërsa sot janë varrezat e trëndafilave. Ne i kthyem të gjithëve një pikë kujtesë të historisë së kombit shqiptar, përmbushëm një amanet për njerëzit që u sakrifikuan. Para dy vjetësh pikërisht këtu unë jam betuar se do ti bëj këto varreza dhe falë Zotit të gjithë bashkë arritëm ti bënim, erdhëm këtu në këtë tokë djerrë dhe e bëmë vend pelegrinazhi. Ky vend do jetë Meka e shqiptarisë. Padrejtësi të tilla jo vetëm që nuk harrohen, por ne kërkojmë drejtësi. Ne i bëmë të parët tanë të pavdekshëm sepse ata vdiqën të pamundur tha Idrizi, i cili kërkoi dhe një minutë heshtje në nderim të kujtimit të të rënëve.
Më pas qindra të pranishëm, të paraprirë nga kryesia e PDIU kanë vendosur trëndafila në memorial.
Nëpërmjet këtij organizimi çamët kujtojnë ditët e karvaneve të gjata të marshimit drejt veriut të Shqipërisë për strehim dhe mbrojtje nga gencodici i grekëve.
Gjatë genocidit të çamëve u shënuan 2900 viktima të cilët humbën jetën nga të pangrënët dhe udhëtimet e lodhshme e të gjata, ndërkohë që në kujtim të tyre është ngritur edhe një monument ku përkujtohen të gjithë ata që humbën jetën gjatë dëbimit.