E Enjte, 5 Nëntor 2026

Inceneratorët/ Rama: Shifra 430 mln euro mashtrim. Shuma e investuar vetëm 55.3 mln euro për Elbasanin e Fierin

Kryeministri Edi Rama vijon dëshminë në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, ku po u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të opozitës dhe mazhorancës. Debatet kanë vijuar, ku Rama i ka bërë disa herë korrektime kryetare së komisionit, Jorida Tabaku, që të mos i bëjë pyetje në bazë të opinioneve të saj, por në bazë të fakteve dhe dokumenteve që ekzistojnë.

Pyetjes në vazhdimësi të kryeministrit Rama se nga e kanë nxjerrë shifrën 430 milionë euro, kryetarja e Komisionit Hetimor, Tabaku, tregoi se bëhej fjalë për një llogari që përfshin shërbimin e manaxhimit të mbetjeve deri në vitin 2047, kur parashikohet të mbarojë kontrata koncesionare me inceneratorin e Kryeqytetit.

Ndërkohë qe Tabaku këmbëngulte për një investim deri tani prej 100 milionë euro, kryeministri Rama ka sqaruar gjithashtu se nga buxheti i shtetit deri në momentin kur flasim janë paguar vetëm 55.3 mln euro për ndertimin e inceneratorit nga koncesionarin e Fierit dhe Elbasanit (30.6 mln euro për Elbasanin dhe 24.7 për Fierin), ndërsa diferenca e 100 milion euro te pretenduara, s’kanë lidhje me investimin, por jane kostot e manaxhimit të mbetjeve për Tiranën. Pra 36.9 mln euro duke llogaritur tarifën 29 euro për ton. Kundër pagesës së investimit për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit dhe të Fierit, bashkitë nuk do të kenë asnjë tarifë për manaxhimin e mbetjeve, pra kosto zero për taksapaguesit, ndërkohë që në Tiranë paguhet për menaxhimin e mbetjeve, por inceneratori ndërtohet me lekët e koncensionarit. 

Ndërsa Rama po i përgjigjej pyetjes së deputetit Helidon Bushatit, Tabaku e ka ndërprerë. Zoti Rama kërkoi t’i respektohej fjala teksa tha se ka shkuar në Komision si dëshmitarë dhe nëse do ta “nxirrnin nga lëkura”, do shihnin atë që kanë parë gjithmonë dhe që nuk u shijon.

“Imagjinoni tani që nga gjithë kjo tablo kaq dramatike, ka dalë një Shqipëri shumë më e pastër. Unë kam ardhur si dëshmitar. Nëse ju doni të më nxirrni nga lëkura do shihni gjënë që keni parë gjithmonë dhe s’është se ju shijon”, tha Rama.

I pyetur nga deputeti Bushati se përse nuk u kontaktua një kompani me më shumë eksperiencë për inceneratorët, Rama tha se ka patur disa komunikime, por çmimi i kërkuar nga ata do të ishte i papërballueshëm për shqiptarët.

Bushati: Ju si person sensibël për të sjellë risira në Shqipëri keni bërë edhe udhëtime. Si ka mundësi që për këtë proces kaq të rëndësishëm, për të zgjidhur njëherë e mirë problemin e plehrave, si nuk shkuat në një vend në botë ku incenerimi ka historik dhe të kontaktonit me një kompani me shumë eksperiencë në Shqipëri?

Rama: Është e vërtetë që unë do bëj gjithçka për të sjellë sa më shumë investitorë apo projektues dhe ndërkohë për këtë. Unë nuk kam patur asnjë besim që kjo mund të ndodhte. Të marrim tarifat. Kompanitë ndërkombëtare i kanë tarifat të papërballueshme për publikun tonë. Ne kemi vënë tarifë 29 euro. Unë mendoj se tarifa 37 euro e vendosur nga Bashkia e Tiranës e mëparshmja, nuk është abuzive. Franca e ka 152 euro. Tani si t’i thuash kompanisë franceze hajde investo në Shqipëri? Unë kam qenë skeptik që kjo do ndodhte. Po duke qenë se ishte një proces i domosdoshëm dhe bindja e të tjerëve ishte që mund të bëhet. Shumë mirë le të bëhet. Me gjasën që ka patur veprime korruptive, që unë as i mohoj as i pohoj, kjo është gjëja e duhur për t’u bërë, duke pas parasysh impaktin në komunitete. Në aspektin investim, çmim, përfitim për të mirën publike, ne kemi bërë gjënë e duhur dhe që realisht është e kotë ta diskutojmë që është një çmim shumë i arsyeshëm për një Bashki si Tirana.

Bushati: Pse nuk u bë me konkurrim që të vinin kompani me çmime më të arsyeshme?

Rama: Këto sesi bëhen me tender, menjë procedurë apo procedurë tjetër, nuk jam unë që i vendos. Puna si do bëhet është e gjithë asaj skuadre. Unë them dua të bëjmë një Shqipëri pa plehra. E thoni ju që është bërë pa garë. Është bërë me një formulë të bazuar në ligj.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›