E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Incidente ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, BDI: Papërgjegjshmëri dhe krizë e rrezikshme që po përkeqësohet

SHKUP, 2 dhjetor/ATSH/- Disa makinave dhe një dyqani në pronësi të shqiptarëve u është vënë zjarri në orët e para të ditës së sotme në Kumanovë.

Mediet në Maqedoninë e Veriut raportojnë se zjarr i është vënë edhe makinës së prokurorit Xhelal Bajrami dhe zyrës të këshilltarit të Kumanovës, Fitor Jakupi.

Lidhur më këto zhvillime ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim duke theksuar se “janë dëshmi e hidhur e frymës së urrejtjes dhe ndasive ndëretnike që kjo qeveri jolegjitime ka krijuar. Kjo nuk është më vetëm papërgjegjshmëri apo dështim – kjo është një krizë e rrezikshme që po përkeqësohet çdo ditë”.

Në deklaratën për mediet, BDI shprehet se “kur qeveria nuk arrin të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj dhe kur institucionet heshtin përpara veprimeve të tilla të urrejtjes, mesazhi që dërgohet është i qartë: shqiptarët në këtë vend janë të lënë në mëshirën e fatit. Kjo qasje nuk është vetëm diskriminuese, por edhe thellësisht destabilizuese për të gjithë shoqërinë”.

Bashkimi Demokratik për Integrim bën thirrje për ndërhyrje urgjente nga faktori ndërkombëtar.

“Qartë është bërë e ditur se nga kjo qeveri e verbuar dhe e njëanshme nuk mund të presim as drejtësi dhe as përgjegjësi. Vetëm një presion ndërkombëtar mund të ndalojë këtë spirale të rrezikshme të dhunës dhe urrejtjes, e cila po kërcënon paqen dhe stabilitetin në vend. Ne kërkojmë që këto sulme të hetohen menjëherë dhe autorët të sillen para drejtësisë. Çdo ditë vonesë është një ftesë për ata që përhapin urrejtje për të vazhduar me aktet e tyre të turpshme. Shqiptarët nuk do të qëndrojnë më të heshtur përballë kësaj padrejtësie, dhe ne do të përdorim çdo mjet demokratik për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve tanë”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.

Bashkimi Demokratik për Integrim thekson se “do të vazhdojë të jetë zëri i shqiptarëve dhe mbrojtës i paqes dhe stabilitetit në këtë vend. Por qartazi, kjo luftë për drejtësi dhe barazi nuk mund të vazhdojë vetëm. Faktori ndërkombëtar duhet të reagojë tani, para se kjo urrejtje të marrë përmasa edhe më të rrezikshme”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›