E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidentet, peshkatarët e Sarandës: Grekët na cenojnë në ujërat tona

SARANDË- Peshkatarët e Sarandës, ndihen të kërcënuar nga rojat kufitare detare greke, cka i pengon që të ushtrojnë aktivitetin në ujërat territoriale shqiptare pranë kufirit ujor me Greqinë.

Frika që i ka pushtuar ata nga penalizimet për sekuestro të mjeteve lundruese apo arrestime, i ka shtyrë të kërkojnë mbrojtje nga autoritetet e policisë kufitare të Sarandës, ndërsa kanë bërë të ditur se incidentet kanë qënë të shumta.

“Ka ardhur greku 200 metra në ujërat tona. Dua të di ku e kam zonën e gjuetisë, sic po paguaj taksat dua të kërkoj edhe ndihmë tek shteti”, shprehet një peshkatar

“Të gjithë peshkatarët do pajisen me hartën kufitare. Do kërkoj me insistim që në kapitenerinë e portit të Sarandës të vihet një sistem noterimi si ajo e Durrësit me punonjës më efektivë për lëvizjet e trafikut detar”, u shpreh Shefi i Kapitenerisë së Portit të Sarandës Gjin Nikollaj.

Sipas peshkatarëve, sistemi identifikues grek përmes radarëve, penalizon mjetet lundruese shqiptare me gjobë deri në 20 mijë euro ose sekuestrim të mjetit lundrues. Shqetësimi i peshkatarëve, ka alarmuar ndërkohë Policinë e Shtetit e cila planifikon që së shpejti, të dërgojë në Sarandë një grup ekspertësh për të parë nga afër gjendjen.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›