Incidenti në aeroportin e Lajpcigut, kush fshihet pas? Gazetarja Hoxha: Si po përgatitet Gjermania kundër sulmeve ruse

Gjermania po përgatit një ndryshim rrënjësor në arkitekturën e saj të sigurisë kombëtare për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga Rusia. Ky ndryshim vjen menjëherë pas incidentit të rëndë të zbuluar në zonën e sigurisë së aeroportit Lajpcig-Hale, ku u gjet një dron i ngarkuar me lëndë shpërthyese.
Në një intervistë për emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut në Radio Tirana, gazetarja në Gjermani, Nidela Hoxha, analizoi ecurinë e hetimeve dhe masat e reja që po ndërmerr Berlini zyrtar.
Në natën e 4-5 gushtit, pranë avionëve ukrainas të transportit të mallrave Antonov, u zbulua një dron me eksploziv. Siç sqaron Hoxha, hetimet e Prokurorisë Federale treguan se qëllimi ishte shkaktimi i një shpërthimi në aeroport. “Prania e dronëve të tjerë dhe gjurmëve të eksplozivit provoi se nuk bëhej fjalë për një ngjarje të izoluar, por për një operacion të organizuar”.
Rëndësia e këtij incidenti shtohet edhe më shumë nga faktori gjeopolitik. “Aeroporti i Lajpcigut nuk është thjesht civil, por shërben si një nyje e madhe logjistike dhe transporti dhe mbështetjeje për Ukrainën dhe NATO-n, çka i jep objektivit një dimension të qartë strategjik”.
Më 1 shtator, qeveria gjermane deklaroi zyrtarisht se Rusia mban përgjegjësi për këtë sulm hibrid, përfundim ky i mbështetur në tre shtylla: hetimet policore, teknologjia e përdorur dhe informacionet e inteligjencës.
Gazetarja thekson se mjaft shqetësues është përdorimi i low-level agents, persona që veprojnë në terren pa qenë pjesë formale e shërbimit sekret. “Deri më tani janë identifikuar dy të dyshuar, ku njëri prej tyre është shtetas bjellorus që kishte hyrë në zonën Schengen me një vizë turistike italiane. Hetimi penal vazhdon”.
Në lidhje me deklaratat e ashpra të Ministrit të Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, gazetarja sqaron se cilësimi i sulmeve hibride si “realitet i përditshëm” nuk do të thotë se Gjermania është nën sulm të drejtpërdrejtë ushtarak. “Përkundrazi, bëhet fjalë për veprime nën pragun e luftës klasike si sabotazhe, spiunazh, sulme kibernetike dhe ndërhyrje politike apo ekonomike”.
Sipas Hoxhës, kjo deklaratë shërben si një “paralajmërim strategjik dhe përgatitje të opinionit publik për një ndryshim afatgjatë të konceptit të sigurisë”, me mesazhin e qartë se kjo ngjarje nuk është e vetme dhe se vendi duhet të ndërtojë një arkitekturë të re sigurisë.
Për të mbrojtur infrastrukturën kritike, Gjermania po harton një plan që mbështetet në tri shtylla kryesore. “Krijimi i njësive mobile kundër dronëve për ndërhyrje të shpejtë në objektet strategjike; dhënien e kompetencave ligjore operatorëve privatë për neutralizimin e dronëve, një çështje kjo “e ndërlikuar juridikisht” pasi prek drejtpërdrejt kompetencat policore dhe proporcionalitetin; si dhe identifikimi me kamera, i cili edhe pse cenon rregullat e rrepta të privatësisë në Gjermani, po shihet si i pashmangshëm për shkak të ngjarjeve globale”.
Origjina e këtyre tensioneve lidhet direkt me ndihmën që Berlini i jep Kievit. Hoxha përmend se marrëdhëniet mes dy vendeve pësuan krisje të thellë kur Gjermania mbylli bashkëpunimin për gazin rus, çka përbën edhe “pikën nevralgjike” të situatës.
Një sondazh i realizuar nga rrjeti publik ARD (31 gusht – 2 shtator) tregon se 56% e gjermanëve mendojnë se siguria e vendit kërcënohet fuqishëm nga Rusia, ndërsa 39% e shohin kërcënimin si të vogël ose inekzistent.
“Sondazhi nxjerr në pah edhe një ndarje rajonale: në Gjermaninë Perëndimore kërcënimin e shohin 59% e qytetarëve, ndërsa në atë Lindore vetëm 42%”. Së fundmi, skepticizmi i qytetarëve mbi mbrojtjen aktuale është mjaft i lartë, ku 80% e tyre mendojnë se Gjermania është “e përgatitur keq” për të përballuar dronët armiqësorë në infrastrukturën kritike.