Incineratori i Elbasanit/ Rama: Kush lëviz nga kuadrati i ligjit, të sikteroset

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të kandidatit për bashkinë e Elbasanit, Gledian Llatja ka prekur edhe temën e shumëpërfolur të inceneratorëve dhe konkretisht atë të Elbasanit.
Duke folur para mbështetësve të Partisë Socialiste ai iu referua kritikave të opozitës mbi incineratorin e Elbasanit duke theksuar se pavarësisht problemeve impianti ka bërë që ky qytet të jetë më i pastër.
“Këta përfundojnë duke votuar Xhiken, e për ku, për mbrapa sa më mbrapa. Prapë te mali me plehra atje. Aty ku po bëjmë atë platformë të së ardhmes, për të gjithë Shqipërinë po u them, aty ku kishim malin me plehra. “Jo po u bë incineratori, jo po kjo, jo po ajo”.
Mirë pra, dakord. Pati probleme? Po pati probleme. Pati njerëz që deshën të nxjerrin mjaltë nga plehrat, por impianti është aty dhe Elbasani e ka ajrin pastër”, theksoi Rama.
Rama bëri edhe një paralajmërim se kush shkel ligjin, qoftë nga radhët e mazhorancës do të duhet të largohet apo të përballet me drejtësinë edhe nëse mund të jetë ministër i qeverisë së tij.
“Kështu ndodh, ndodh s’ke çfarë i bën, ndodhin edhe këto, por ama me ne është shumë e qartë kontrata.
E dinë të gjithë ata që janë përgjegjës për firmën e anës tonë në kontratën me popullin.
Kush lëviz nga kuadrati i ligjit, i arsyes, i shërbimit ndaj njerëzve, i sensit patriotik të punës se do mjaltë për ta çuar në shtëpi, atëherë sikterr.
Thonë që “jo, po shih çfarë po bëhet, po shkojnë ministra në burg dhe këta duhen hequr”. Ou po pse? Që të vijnë ata që kur prokuroria nxirrte fletë arresti për personat përgjegjës i ruanin me polici në vend që të çonin policinë t’i arrestonte. Këtu kemi jetuar”, përfundoi Rama.
/rtsh.al/