Meta: Rilindja ka në program shpopullimin e vendit, në 14 maj duhet ta ndëshkojmë me votë

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Delvinë, Ilir Mehmeti deklaroi se Rilindja ka në programin e saj vetëm shpopullimin e Shqipërisë.
“Dy janë shtyllat kryesore të shpopullimit të Shqipërisë, programi i mirëstrukturuar që zbaton prej vitesh sekti i Rilindjes, një është braktisja e plotë e bujqësisë, e blegtorisë.
Së dyti është zhdukja e të gjithë institucioneve dhe shërbimeve, dhe natyrisht mosmbështetja e të rinjve dhe të rejave. Dhe besoj se Delvina pikërisht është prekur si shumë bashki të tjera për këtë arsye, që nuk janë një rastësi, por që janë tërësisht të qëllimshme dhe të programuara.
Në mënyrë që nga këto treva, që janë ndër trevat më patriotike, që kanë mbajtur peshë të madhe në të gjithë historinë e kombit tonë, se siç është rasti i Delvinës, është edhe rasti i Kolonjës”, u shpreh Meta.
Ai theksoi se shqiptarët duhet të ndëshkojnë me votë më 14 maj qeverinë për të rikthyer shpresën.
“Kjo kërkon një ndëshkim të menjëhershëm në 14 Maj, në mënyrë që jo vetëm të ndëshkojmë këtë braktisje, këtë harresë, këtë lënie pas dore të qëllimshme të Delvinës, por njëkohësisht të rikthejmë shpresën, por dhe të zgjedhim njerëz të aftë, që ato resurse të jashtëzakonshme që ka patur Delvina dhe që ende i ka, t’i vërë në lëvizje dhe të sjellin mirëqenie”, deklaroi Meta.
/rtsh.al/