India, e zemëruar nga vdekja e fshatarit spiun
Ishte dënuar në vitin 1991, familja thotë se ishte një fshatar pa faj i kapur në kufi
India reagoi me zemërim dje pas vdekjes së një fshatari indian në një burg të Pakistanit. Fshatari ishte dënuar për spiunazh dhe vdiq pasi u rrah në mënyrë të pamëshirshme nga të burgosur të tjerë javën e kaluar. Marrëdhëniet mes dy vendeve pësuan një përkeqësim të ri.
India dhe Pakistani janë që të dyja vende që disponojnë armë bërthamore. Ato kanë kryer tri luftëra mes njëra-tjetrës që kur u ndanë në vitin 1947, pasi fituan pavarësinë nga Britania e Madhe. Ato vijojnë ta shohin njëra-tjetrën me dyshim të thellë.
Sarabjit Singh ishte arrestuar në Pakistan në vitin 1991 dhe qe dënuar me vdekje për spiunazh dhe për katër atentate me bomba që vranë 14 njerëz. Familja e tij thotë se ai ishte vetëm një fshatar pa faj që qe sorollatur i dehur në zonën përreth kufirit kur u arrestua.
Singh u shtrua në spital me plagë në kokë, pasi dy të burgosur e sulmuan atë në burgun e qytetit të Lahores. Qeveria e Indisë dhe familja e tij i qenë lutur Pakistanit ta lejonte të kthehej në Indi për mjekim.
Kriminelët përgjegjës për këtë sulm barbar dhe vrasës mbi të duhet të nxirren para drejtësisë, deklaroi Kryeministri i Indisë, Manmohan Singh. Është veçanërisht për të ardhur keq që qeveria e Pakistanit nuk i dëgjoi lutjet e qeverisë së Indisë, familjes së Sarabjit dhe shoqërisë civile në Indi dhe Pakistan për të mbajtur një qëndrim humanitar mbi këtë rast.
Pakistani tha se siguroi trajtimin më të mirë të mundshëm për Singh, i cili ishte në gjendje kome pas plagosjeve që pësoi gjatë një përleshjeje me të burgosur të tjerë.
Një marrëdhënie e qëndrueshme dhe e gjatë mes dy vendeve duhet të jetë ajo mes dy popujve. Kjo marrëdhënie është dëmtuar nga ajo që ndodhi sot, deklaroi ministri indian i Punëve të Jashtme, Salman Khurshid.
India, e zemëruar nga vdekja e fshatarit spiun burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email