E Diel, 1 Nëntor 2026

Industria u zgjerua në 2025, rritet prodhimi i çimentos, ushqimeve dhe komponentëve për automjete

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Prodhimi industrial në Shqipëri u zgjerua gjatë vitit 2025, me rritje të prodhimit në disa sektorë, veçanërisht në materialet e ndërtimit, industrinë ushqimore dhe prodhimin e komponentëve për automjete, sipas të dhënave të Instituin Kombëtar të Statistikave (INSTAT).

Të dhënat e Anketës së Produkteve Industriale (PRODCOM) të INSTAT, publikuar të hënën,  tregojnë se disa prej produkteve me peshë në ekonominë shqiptare kanë shënuar rritje të prodhimit gjatë vitit të kaluar, me një prani më të dukshme të industrive që përpunojnë lëndën e parë dhe prodhojnë mallra me përdorim të gjerë në tregun vendas dhe atë të huaj.

Një nga treguesit pozitivë vjen nga industria e materialeve të ndërtimit. Prodhimi i çimentos Portland arriti në rreth 1,99 milionë tonë, 2,5% më shumë se në vitin 2024, ndërsa betoni i gatshëm u rrit me 3,5%, duke arritur në 1,77 milionë tonë.

Zgjerim të rëndësishëm pati edhe industria që furnizon sektorin automobilistik. Prodhimi i sistemeve të fijeve elektrike të izoluara për automjete arriti në rreth 263 milionë copë, me rritje 8,7% në një vit, ndërsa vlera e shitjeve të këtij produkti u ngjit në 9,55 miliardë lekë.

Një tjetër sinjal pozitiv vjen nga industria ushqimore, ku rritja e prodhimit prek produkte të konsumit të përditshëm. Prodhimi i bukës arriti në 67,2 mijë tonë, duke u rritur me 8,4%, ndërsa prodhimi i sallameve dhe produkteve të ngjashme me mish arriti në 13,3 mijë tonë.

Edhe industria e pijeve vijoi zgjerimin. Prodhimi i ujit mineral dhe ujit të gazuar u rrit nga 4,98 milionë hektolitra në vitin 2024 në 5,09 milionë hektolitra në vitin 2025, ndërsa vlera e shitjeve u rrit me 8%, në 8,96 miliardë lekë.

Në tërësi, struktura e shitjeve tregon peshën në rritje të industrive përpunuese. Produktet ushqimore përbëjnë 16,4% të vlerës totale të shitjeve të produkteve industriale, duke zënë peshën më të madhe ndër aktivitetet industriale. Pas tyre renditen produktet minerare jo metalike me 14,4% dhe metalurgjia me 8,4%.

Rritje të vlerës së shitjeve u regjistruan edhe në disa produkte të tjera të industrisë. Llaçi i prodhuar në fabrikë shënoi rritje 19,5%, ndërsa alumini i lidhur i papërpunuar 15,4%.

Në vlerë, çimentoja Portland gjeneroi rreth 19,37 miliardë lekë shitje gjatë vitit 2025, betoni i gatshëm 13,67 miliardë lekë, ndërsa sistemet e fijeve elektrike për automjete 9,55 miliardë lekë.

Treguesit e PRODCOM japin një panoramë të detajuar të prodhimit industrial në vend dhe, përmes të dhënave për sasinë e prodhuar dhe vlerën e shitjeve, evidentojnë ndryshimet që kanë ndodhur në strukturën e industrisë shqiptare gjatë vitit 2025.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›