E Diel, 1 Nëntor 2026

Infarktet tek moshat e reja – Mjekët kardiologë thonë se po trajtojnë dhe raste të moshave 30-32 vjeç

Sëmundjet kardiake jo vetëm janë shtuar dhe mbajnë vendin e parë për vdekshmërinë në popullatë, por po hasen shpesh edhe te moshat e reja. Mjeku kardiolog në Shkodër, Edi Smajlaj tregon se rastet e fundit i përkasin moshës 30-32 vjeç.

“Vëmë re që kohët e fundit vijnë pacient në mosha të reja me probleme të sëmundjeve artero-koronare dhe në pavijonin tonë kemi pasur raste të reja në mosha 30-32 vjeç”, u shpreh kardiologu Edi Smajlaj.

Faktorët janë të ndryshëm, që nga rritja e yndyrave në gjak, jeta sedentare, keq ushqyerja  apo edhe  pirja e duhanit dhe alkoolit në adoleshencë.

“Ky është një alarm dhe lidhet shumë me stilin e jetesës, konsumi i duhanit, stresi dhe faktorë të tjerë”, tha mjeku.  

Në Shkodër, mjekët specialistë theksojnë rëndësinë e rritjes së ndërgjegjësimit qytetar dhe kryerjes së kontrolleve të rregullta mjekësore, si masa thelbësore për parandalimin dhe diagnostikimin në kohë të sëmundjeve kardiovaskulare.

Gazetare: M. Gjoni 

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›