“Infermierë për Shqipërinë”, Koçiu: 29 teknikë të shkencave mjekësore i bashkohen strukturave tona shëndetësore

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sot se procesi i punësimit nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë” vijon të garantojë transparencë dhe meritokraci, duke forcuar çdo ditë sistemin shëndetësor me profesionistë të rinj dhe të përkushtuar.
Ministrja Koçiu u ka uruar suksese të gjithë atyre që fituan e u punësuan nga thirrja e 3-të publike, e zhvilluar në Vlorë. Sipas Koçiut në këtë fazë “u shpallën fitues 29 teknikë të shkencave mjekësore, të cilët do t’i bashkohen strukturave tona shëndetësore me profesionalizëm dhe përkushtim”.
“Gjatë periudhës janar – prill 2025, janë punësuar rreth 100 mjekë dhe 480 infermierë në të gjithë vendin, përmes një procesi të drejtë dhe të hapur”, thotë Koçiu në një postim në rrjetet sociale, teksa shton se do të vazhdohet të investohet te njerëzit që i japin shpirt dhe zemër shëndetësisë.
Ministrja Koçiu ka përcjellë gjithashtu edhe mesazhet e disa të rinjve fitues në këtë thirrje të tretë publike të zhvilluar në OSHKSH (Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor) në Vlorë.
“Jam Rozalinda Behari aplikova në portalin “Infermierë për Shqipërinë” dhe fitova vendin e punës në Spitalin Memorial”, thotë e reja.
“Jam Klea Shahini mora pjesë në portalin “Infermierë për Shqipërinë” për specialitetin teknik imazherie dhe sot kam ardhur pranë OSHKSH (Operatori i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor) Vlorë për t’u pranuar për vendin e punës si teknik imazheri në Spitalin Rajonal Fier”, shprehet ajo. /j.p/