E Martë, 3 Nëntor 2026

Qendra Shëndetësore Bubullimë, Balluku: Shërbim sipas standardeve më të mira

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Qendra shëndetësore në Bubullimë të Lushnjës, tashmë e rikonstruktuar totalisht, ofron shërbim sipas standardeve më të mira për qytetarët.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe kryetarja e bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa vizituan ambientet e kësaj qendre, që falë investimit nga buxheti i shtetit është transformuar tërësisht me kushte dhe standarde dinjitoze për ofrimin e shërbimit shëndetësor ndaj komunitetit.

Krahas rikonstruksionit të plotë të godinës shëndetësore në Bubullimë të Lushnjës, investime janë kryer edhe për pajisjen me aparatura të reja mjekësore, që e kanë shndërruar në një qendër model.

Kryetarja e bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, e informoi zëvendëskryeministren Balluku për vijimin e investimit në hapësirën ngjitur me këtë qendër shëndetësore, ku do të ngrihet një kopsht i ri me drekë për fëmijët e zonës.

Balluku i cilësoi investimet e reja si të rëndësishme që i vijnë në ndihmë komunitetit dhe përmirësojnë cilësinë e jetesës për banorët e zonave rurale, teksa njoftoi edhe nisjen e  rikonstruksionit të spitalit të Lushnjës.

“Dua të ndaj me ju një lajm të mirë: Ka nisur rikonstruksioni i spitalit të Lushnjës që është një spital rajonal dhe i shërben edhe zonës së Beratit dhe zonave për rreth. Investimet në sektorin e shëndetësisë do të vijojnë dhe qeveria ka në vëmendje kujdesin për stafin e mjekëve dhe do të vijojë të adresojë të gjithë nevojat e sektorit”, u shpreh Balluku.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›