Infermieria, një profesion me të ardhme, në Shkodër 106 diplomantë këtë vit dhe 208 të punësuar në tre vitet e fundit

Dega e Infermierisë së Përgjithshme në Shkodër vijon të mbetet një nga drejtimet më të kërkuara, duke reflektuar nevojën e lartë të tregut të punës për profesionistë të kujdesit shëndetësor.
Shefi i departamentit Emiljano Pjetri thekson se vetëm këtë vit diplomohen 106 studentë, ndërsa në tre vitet e fundit, 208 infermierë të rinj janë punësuar nga operatori i rajonit verior.
“Në tre vitet e fundit kemi rreth 208 studentë të cilët janë punësuar pranë Operatorit të Veriut dhe që kanë mbaruar pranë këtij departamenti”, tha ai.
Vetë studentët që përmbyllin këtë vit ciklin Bachelor e lidhin zgjedhjen e tyre jo vetëm me pasionin për profesionin, por edhe me sigurinë që ofron tregu i punës.
Ky zhvillim e bën degën e Infermierisë në Shkodër një histori suksesi, ku përkushtimi i studentëve dhe kërkesa e lartë për profesionistë shëndetësorë ofrojnë jo vetëm shpresë për të rinjtë në vendlindje, por edhe një garanci për të ardhmen e sistemit shëndetësor.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/