E Hënë, 2 Nëntor 2026

Inflacioni në Shqipëri stabilizohet gjatë muajit maj, rriten çmimet tek argëtimi, mishi dhe bulmeti, ulen në transport

Inflacioni në Shqipëri ka shfaqur stabilitet në Maj 2025, duke u regjistruar në nivelin 2.2%. Kjo shifër është pothuajse identike me atë të Majit të një viti më parë, kur inflacioni ishte 2.3%, duke sinjalizuar një treg çmimesh konsumi relativisht të qëndrueshëm.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), çmimet e konsumit kanë shënuar një rënie të lehtë mujore prej 0.3% në krahasim me Prillin 2025.

Faktorët kryesorë të inflacionit vjetor

Analiza e detajuar e grupeve kryesore të shpenzimeve tregon se rritja vjetore e çmimeve është nxitur kryesisht nga disa kategori:

Argëtim dhe kulturë- Ky grup ka shënuar rritjen më të lartë, me 6.3%.

Pije alkoolike dhe duhan- Çmimet në këtë kategori janë rritur me 3.7%.

Ushqime dhe pije joalkoolike- Këtu vihet re një rritje prej 3.2%.

Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë-  Edhe ky grup shënon rritje me 3.2%.

Rritje të tjera janë regjistruar edhe në veshje dhe këpucë (2.5%), hotele dhe restorante (1.8%), komunikim (1.6%), dhe energji (1.5%).

E vetmja kategori që shënoi ulje të ndjeshme vjetore ishte ajo e transportit, me një rënie prej 1.2%.

Tendencat brenda ushqimeve

Brenda grupit të ushqimeve, disa nëngrupe shfaqin rritje të dukshme:

Vajrat dhe yndyrnat- Rritje prej 7.2%.

Zarzavatet, përfshirë patatet- Rritje prej 6.8%.

Qumështi, djathi dhe vezët- Rritje prej 4.8%.

Mishi- Rritje prej 3.8%.

Rënia e përgjithshme e çmimeve në Maj, në krahasim me Prillin, është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve në grupin “ushqime dhe pije joalkoolike”, që shënuan një tkurrje prej 1.3%. Kjo rënie lidhet kryesisht me daljen e prodhimeve sezonale bujqësore, gjë që lehtëson presionin mbi çmimet e kësaj kategorie thelbësore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›