Infrastruktura rrugore në Kukës, nis shtrimi i asfaltit në rrugët e brendshme të lagjes nr. 2

Pas përfundimit të punimeve në infrastrukturën nëntokësore, puna po vijon me shtresat e para të asfaltit në rrugët e brendshme të lagjes nr. 2 të qytetit të Kukësit, një investim i domosdoshëm e që përfshin të gjitha ndërhyrjet e nevojshme të infrastrukturës mbi- dhe nëntokësore.
Gazmend Lala është inxhinier i kompanisë sipërmarrëse të punimeve. Ai thotë se brenda dy ditësh përfundon edhe shtresa e parë e asfaltit në të gjithë lagjen.
“Procesi po shkon shumë mirë. Edhe banorët i kemi pasur bashkëpunues me heqjen e makinave. Edhe koha na ka favorizuar. Shtresa e parë asfaltike përfundon nesër,” tha inxhinieri Lala.
Ky projekt është financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë e Kukësit. Vlera e tij është rreth 5 milionë euro.
Projekti përfshin ndërhyrjen në fasadat e pallateve dhe veshjen e tyre me sistem kapot për të zbatuar detyrimet ligjore të efikasitetit të energjisë, sistemimin e rrjetit të kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza, sistemim e asfaltim të rrugëve e trotuareve, hapësirat publike, gjelbërim dhe ndriçim, si dhe infrastrukturën mbi- dhe nëntokësore për linjat e ujësjellësit, energjisë dhe shërbimeve të tjera të telekomunikacionit.
Gazetare: Irda Bajraktari
/rtsh.al/