E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta njihet me mbylljen e hetimeve për CEZ-DIA: “Diktat politik”. Avokati: S’ka fakte penale

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është njohur sot (4 gusht) me mbylljen e hetimeve nga SPAK dhe tri akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Me një postim në rrjetin social Facebook, Meta e përshëndeti mbylljen e procesit që nisi në dhjetor të vitit 2019, duke iu referuar hetimeve si “hetim-fabrikime”, ndërsa vetë procesit si një “diktat politik”.

“Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 Maj me prokurorët e SPAK-ut. Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS. Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh,” shkroi Meta.

Në një deklaratë për mediet, avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi se në seancën e sotme, Meta dha shpjegimet përkatëse, ndërsa shtroi edhe një sërë pyetjesh ndaj organit të akuzës.

Po ashtu, Cakrani theksoi se asnjë prej akuzave që rëndon ndaj Metës nuk është vërtetuar dhe për çështjen CEZ-DIA mungojnë faktet penale.

“Meta ka dhënë shpjegime dhe ka kërkuar nga organi akuzës kush ka bërë pagesat për lobimin. Prokurorja nuk ka informacion nga kanë dalë pagesat, nga cila bankë kanë hyrë dhe nga cila llogari. Kjo ka qenë arsyeja përse jemi zgjatur shumë. Meta ka shpjeguar me detaje 3 akuzat për të cilat akuzohet. Ka qenë seancë e qetë, deri miqësore. Ne duam të dimë kush i ka bërë pagesat e kush ka marrë faturat. CEZ-DIA akuzë e rëndë sepse nuk vërtetohet që z Meta të ketë të ardhura e të ketë grumbulluar pasuri. S’ka prova që të vërtetohet se rëndojnë akuzat mbi z. Meta. S’ka fakt penal. Organi i procedurës thotë që ta zgjidhim në gjykatë. Do shkojmë në gjykim të zakonshëm”, deklaroi ai.

Ish-presidenti Meta u arrestua më 21 tetor të vitit të kaluar dhe ndodhet në paraburgim pas vendimit të Gjykatës për “arrest me burg”. 

Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Edhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, është nën masën “detyrim për paraqitje”. Ajo akuzohet për korrupsion pasiv. 

Sipas akuzave, dy politikanët gjatë viteve e kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, duke fshehur burimin e tyre dhe duke përfshirë familjarët.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›