Institucionet publike nisin porositë e para në platformën ALB-ZONE

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Platforma elektronike ALB-ZONE, risia më e fundit e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), tashmë është në funksion të plotë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se autoritetet kontraktore kanë nisur të bëjnë porositë e tyre të para në këtë platformë inovative, duke përfituar nga një proces i shpejtë, i lehtë dhe i efektshëm.
“Falë trajnimeve të dedikuara dhe manualit të përdorimit të vënë në dispozicion, institucionet publike tashmë navigojnë me lehtësi në ALB-ZONE, duke realizuar çdo porosi pa vonesa dhe pa procedura të ndërlikuara”, theksoi ai.
Kërkesat për mallra të standardizuara dhe me çmime të unifikuara, vuri në dukje ministri, po vijnë më shpejt se kurrë, duke përmirësuar ndjeshëm ecurinë e punës.
“ALB-ZONE nuk është thjesht një platformë – është një revolucion në mënyrën si porositen mallrat e nevojshme në sektorin publik. Ky është vetëm fillimi i një epoke të re për institucionet publike që kërkojnë të prokurojnë nëpërmjet OBP-së”, shtoi Gonxhja.
Në më pak se një vit kalendarik, OBP ka arritur t’i kursejë 20,4 milionë euro buxhetit të shtetit, si rezultat i prokurimeve të centralizuara dhe transparente. Numërohen 336 kërkesa për prokurim të procesuara me sukses nga OBP, duke ofruar shërbime të shpejta dhe cilësore për institucionet publike. Po ashtu janë 151 institucione publike, përfshirë Kryeministrinë, ministritë dhe agjencitë e varësisë që kanë përfituar nga shërbimet e OBP.
/r.e/