Nga marrëdhëniet me Greqinë, te integrimi dhe lufta në Ukrainë, Rama për “MEGA”: Objektivi im, në 2030 të jemi në BE

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për televizionin grek, MEGA ku ka folur për marrëdhëniet me Greqinë, luftën në Ukrainë dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
“Intervista në emisionin “Pamja e Madhe” për televizionin kombëtar grek ‘MEGA’, me një falenderim për etikën e shkëlqyer të gazetares, e cila nuk la asnjë pyetje pa bërë, por më dha mundësinë të dëgjohem nga publiku grek me të gjitha të vërtetat e mia”, shprehet Rama në rrjetet sociale krahas intervistës së plotë me televizionin grek.
I pyetur se cili është qëndrimi i tij për bisedimet aktuale SHBA- Rusisë për luftën në Ukrainë, pa Ukrainën dhe pa BE, Rama tha se “mendoj se jetojmë në kohëra revolucionare. Ajo që po ndodh ka tiparet e një revolucioni. Ne duhet të jetojmë me të, të reagojmë ndaj kësaj, të mos ankohemi e të mos mendojmë se status quoja me të cilën jemi mësuar mund të na ndihmojë”.
“Kur bëhet fjalë për këtë pyetja ime nuk ka të bëjë me SHBA e Rusinë, por me Europën. Çfarë po bën Europa në këto rrethana ku SHBA e Rusisë po flasin dhe po negociojnë diçka që ka të bëjë me Europën. Më duhet t’ju them se këto janë ato raste ku në një farë mënyre ndjej keqardhje për miqt dhe kolegët e mi që janë në krye të Europës sepse ju duhet të bëjnë zgjedhje të vështira dhe nuk i kam aspak zili” , deklaron Rama.
Ndërsa pyetjes nëse është dakord me ata që thonë se ka mungesë qeverisjeje në BE, Kryeministri nënvizon se “Europa është projekti më i mrekullueshëm i njerëzimit, por kështu siç është Europa ngjan me një pacient me 27 mjekë. Nuk është panoramë që të jep fort siguri. Jo vetëm se janë 27 mjekë, por dhe patologë”.
E pyetur nga gazetarja greke nëse ka kërcënim ekzistencial Europa, Rama u shpreh se “është fjalë e madhe, por më keq se kërcënimi ekzistencial do të ishte që ky kontinent të shndërrohej në i parëndësishëm”.
Rama theksoi se nëse Evropa do të fajësojë Presidentin Trump për situatën e saj, do të jetë një gabim i tmerrshëm.
Për integrimin e Shqipërisë në BE, Rama tha se “i gjithë procesi nuk është i lehtë sepse të negociosh me BE është shumë sfiduese sepse ka të bëjë me të ndryshuarit dhe transformimin e vetes dhe për ta bërë veten pjesë të një mozaiku shumë më të madh. Është proces shtetndërtimi demokratik e ne kemi bërë shumë. Gjatë këtyre viteve Shqipëria ka ndryshuar në shumë mënyra. Sot është vendi që vitin e kaluar arriti në afro 12 milionë turistë. Kemi aeroportin me rritjen më të madhe në Europë. Kemi kaluar edhe aeroportin e Beogradit sa I takon numrit të udhëtarëve. Mesa duket ka ndryshuar diçka thelbësore. PBB është rritur më shumë se dyfish. Agresioni rus për fat të keq erdhi në ndihmë. Na duhej Vladimir Putin të shihnim që Europa të zgjohej një herë e mirë dh eta shtynte përpara këtë proces. Tashmë me KE kemi një plan për ta përmbyllur të gjithë pjesën teknike brenda 2027.Pastaj vjen pjesa politike. Pastaj ratifikimi në parlamente të ndryshme. Objektivi im është që 2030 të na gjejë së bashku në të njëjtën familje të madhe”.
Marrëdhëniet me Greqinë, Rama: T’i jepet fund ligjit absurd të luftës
Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhëniet mesh Shqipërisë dhe Greqisë gjatë intervistës së dhënë për emisionin ‘Pamja e Madhe’ në televizionin grek “MEGA”.
Rama u shpreh se “ne vazhdojmë të kemi problem që jemi fqinj shumë të vjetër, por në të njëjtën kohë të jemi fqinj shumë të rinj sepse patëm ndërprerjen prej 50 vitesh e rrugët tona ishin krejt të ndara. Në disa raste kemi qenë viktima të kësaj të shkuare, por sot më shumë sesa një herë kemi pasur provën që jemi shumë shumë të ngjashëm. Kaq shumë ballkanikë, mesdhetarë, emocionalë dhe sërish vazhdojmë të mbetemi pengje të historisë sonë”.
“ Por unë kam bërë një zgjedhje shumë të qartë që historia mund të jetë ose një kurth i madh ose burim i madh për të ecur para. Kështu që sfida është ta shohësh historinë me sytë e të ardhmes dhe jo të ardhmen me sytë e historisë. Kjo është çfarë mendoj se duhet të bëjmë”, nënvizoi Kryeministri.
Ai shtoi se marrëdhëniet tani janë mirë, mund të jenë shumë më mirë.” Për një farë kohe ishin keq, për një çështje që ishte shumë shumë e rëndësishme për palën greke ndërsa për ne ishte thjeshtë një mes shumë çështjesh, por jemi në rregull tani”, tha Rama duke iu referuar çështjes së Belerit.
I pyetur se përse ka vonesë sa i përket çështjes së detit që të shkojë në Hagë, Rama tha: “Sepse hyri diçka tjetër në mes. Siç e dini mirë, ne jemi shumë të ngjashëm. Ne kemi një thënie: Të djegësh jorganin për një plesht”.
“Unë mendoj se kemi humbur shumë nga vrulli i atij moment sepse e nisëm shumë mirë kur Kyriakos erdhi në qeveri. Ishte moment i mirë në kohë. Kishim një pikëpamje shumë të përbashkët për thellësinë dhe rëndësinë e marrëdhënies tonë. Donim që të ecnim para me disa çështje të mbetura pezull. Për ne është e rëndësishme t’i jepet fund ligjit absurd të luftës. Ligjërisht jemi në luftë”, nënvizoi Kreu i Ekzekutivit.
Ndërhyrjes së gazetares e cila tha se është shfuqizuar, Rama e mohoi një gjë të tillë. “ Jo nuk është shfuqizuar dhe duhet të shfuqizohet. Ajo çfarë ka ndodhur është se kemi nënshkruar një traktat miqësie, por ligji është në fuqi. Kështu sipas traktatit jemi miq shumë të ngushtë, por armiq sipas ligjit të luftës|.
“Ajo çfarë kemi diskutuar dhe kam thënë përherë dhe çfarë ka thënë përherë kryeministri juaj është se na duhet të pastrojmë të gjitha rudimentet e së shkuarës. Kjo është një prej tyre. Për ne është shumë e rëndësishme. Përcaktimi i zonës detare është po kështu një çështje tjetër që duhet të zgjidhim”.
Pyetjes së gazetares së “MEGA” nëse ka një afat për ta çuar në Hagë, Rama tha se “kërkon që të dyja palët të ulen e punojnë e të mos shpërqëndrohen nga gjërat që ndodhin dhe pastaj të na mbajnë peng për një kohë të gjatë”.
“Unë drejtoj një qeveri që në programin e vet qysh kur ishim në opozitë e ka shprehur qartë që politika jonë e jashtme, një prej shtyllave të saj është trekëndëshi i partneritetit strategjik me Italinë, Turqinë dhe Greqinë. Greqia është partner strategjik e duam të jemi shumë pranë e të bëjmë shumë më tepër”, deklaroi ai.
Rama: Vorio Epiri nuk ekziston
Kryeministri Rama gjatë intervistës për televizionin grek , iu përgjigj pyetjes së gazetares edhe sa i përket minoritetit grek.
“Kemi dëgjuar të flitet për grabitje tokash për qëllime turistike. Ka njerëz që thonë që synimi i shtetit shqiptar është që të fshijë popullsinë greke nga zona”, pyeti gazetarja e MEGA-s.
“Kjo është një tjetër teori e marrë sepse nuk mbështetet në prova. Këto janë akuza mjaft të rënda dhe duhet të bazohen në prova. Të flasësh për grabitje është e tepërt, është vërtetë e tepërt. Nuk ka asnjë rast që një pronë pritave të jetë marrë nga qeveria. Së dyti, të gjitha resortet apo hotelet, gjithçka tjetër që është ndërtuar, është ndërtuar mbi baza private mbështetur në kontrata. Nëse sheh kontratat, kontratat janë lidhur me pronarët e tokës”, deklaroi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se nuk është një problem i pakicës greke, është një problem i qytetarëve të këtij vendi dhe i regjistrimit të pronësisë.
Për hapjen e një shkolle greke, Rama tha se “i vetmi problem është që Ministria greke e Arsimit duhet të ofrojë mësues sepse ne mund të japim leje për të hapur një shkollë private, por duhet të ketë mësues. Private apo publike nuk kemi asnjë problem me këtë. Nuk ka një problem të grekëve etnik në Shqipëri. Nuk ka të tillë”.
Një nga pyetjet e gazetares greke gjatë kësaj interviste kishte të bënte edhe me termin “Vorio Epir”.
”Nëntorin e kaluar vizituat Selanikut dhe gjatë fjalimit tuaj zgjodhët të thoni se Vorio Epiri si term ka vdekur?!”, pyeti gazetarja.
Rama iu përgjigj duke sqaruar se: “Jo, nuk e thashë gjatë fjalimit tim. Unë nuk i përdor fjalimet e mia për të thënë gjëra që janë të pakuptimta. Ju përgjigja një kolegut tuaj më pas në konferencë shtypi, pata një bisedë me gazetarët grekë. Një koleg i juaji më pyeti çfarë mendoj për Vorio Epirin? Për mua nuk ekziston. Kaq. Ndoshta është një mënyrë për ju për të përshkruar një realitet të caktuar, por jo për ne. E dini çfarë është Vorio Epiri?Është si të themi ne Shqipëria e jugut”.
Kryeministri nënvizoi se “nuk ka territore shqiptare, ka territore ku shqiptarët jetonin më parë. Territore shqiptare në Greqi nuk është gjëja e drejtë për t’u thënë”.
Rama shtoi se “unë e shoh të ardhmen tone si të qenit një, si euopianë. Natyrisht me zënkat tona, por si europianë”.