Instituti i Shëndetit Publik drejt transformimit

Instituti i Shëndetit Publik, pas rindërtimit, do të kthehet në një institucion bashkëkohor, me një strukturë moderne të laboratorëve me pajisje të teknologjisë së lartë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau të enjten në rrjetet sociale pamje nga projekti për rindërtimin e ISHP-së.
“Projekti i ri për transformimin e Institutit të Shëndetit Publik, me njësinë e re të laboratorëve dhe korpusin modern, do të garantojë një standard krejt të ri shërbimi për një prej institucioneve më të rëndësishme të sistemit tonë shëndetësor, në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve”, tha Manastirliu.
Faza e parë e rindërtimit të ISHP fillon me ndërtimin e godinës së laboratorëve, që fillon këtë vit, një investim i siguruar nga buxheti i shtetit dhe më pas me godinën qendrore të Institutit të Shëndetit Publik.
Projekti përfshin ndërtimin e një laboratori të ri, që do t’i shërbejë Institutit të Shëndetit Publik. Ai do të përmbledhë të gjithë laboratorët që sot ekzistojnë në godinën aktuale dhe të shpërndarë në godina të tjera. Me rehabilitimin e godinës qendrore të Institutit të Shëndetit Publik ai do të zhvillohet më tej nga pikëpamja shkencore dhe nga pikëpamja organizative.
/ rtsh.al /