E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, Sequi: Të vijojë dialogu për plotësimin e kritereve

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka ripërsëritur apelin drejtuar forcave politike në Shqipëri të vijojnë dialogun për të përmbushur rekomandimet e kërkuara nga Brukseli.
 

Ndërsa i ka dorëzuar sot progress raportin e KE-së, kreut të LSI-së Ilir Meta, ambasadori Sequi u shpreh optimist për realizimin e 3 kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian.

“Përmbushja e reformave që janë të nevojshme në mënyrë që Këshilli të pranojë rekomandimin e Komisionit Europian janë të mundshme. Realizimi i refomave është e nevojshme të bazohet tek arritjet që janë bërë të njohura në progres raport. Këto arritje kanë qënë të mundura të realizohen përmes dialogut dhe konsensusit politik dhe kjo është interesi më i mirë për integrimin e Shqipërisë” tha ambasadori.
 

Ai ka theksuar se me rëndësi është edhe zbatimi i reformave të arritura deri më tani në mënyrë që në muajin dhjetor të merret një vendim pozitiv për Shqipërinë. “Kjo është e arritshme dhe për këtë duhet kompromis dhe dialog” shtoi ambasadori Sequi.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kreu i LSI-së Ilir Meta i cili theksoi se vetëm bashkëpunimi do të bëjë të mundur përmbushjen e reformave të kërkuara.
 

“Është një proces që do të vazhdojë dhe pavarësisht nga arritjet pozitive lidhur me zhvillimet e fundit, progresi i realizuar në bazat e një bashkëpunimi dhe konsensusi duhet të vazhdojë. Kemi edhe disa çështje ku përmbushja e të cilave do të çojë më tej projektin e përbashkët të integrimit, për hapjen e negociatave dhe më pas për anëtarësimin e Shqipërisë” tha Meta.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›