E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi dhe shembulli i rotacionit në Shqipëri

Muhamer Pajaziti/pedagog në Kolegjin

-ISPE Qytetarët e Kosovës, simbolikisht janë qytetarët e vagonit të fundit, si pjesë e odiseadës së fateve të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor për t`i ikur dëshpërimit, zhgënjimit dhe pa-perspektivës në vendet e tyre, por me shpresën se Europa e “mitizuar” është po ajo parajsë që dikur shijohej nga gasterbajterët tanë. Eksodi po vazhdon dhe liberalizimi mund ta shndërrojë Kosovën në një shkretëtirë, me vetëm oazet e pushtuara nga klasa politike dhe klanet zinxhirore. Një histori rasti e një gazete ditore, nxori në pah një realitet që ishte pjesë e një debati joformal në ndejat e Prishtinës dhe qyteteve të tjera. Por, pse po ikën gjithë ajo armatë e rinisë së Kosovës dhe çka e detyron atë që 14 vite nga përfundimi i luftës të marrë rrugën pa kthim drejt vendeve europerëndimore, atje ku kemi një realitet të krizës së brendshme dhe pasigurisë së vetë qytetarëve të atyre vendeve? Mungesa e perspektivës, kushtet e rënda social-ekonomike, papunësia e madhe dhe shpresa thuajse e vdekur, po i detyron familjet kosovare t’i shesin shtëpitë, floririn, pasurinë e krijuar ndër vite, për të grumbulluar paratë e rrugës së gjatë e pa kthim. Çdo i ri kosovar synon të ikë dhe të krijojë një jetë më të mirë diku në botën e Perëndimit. Ata si shteg të tyre shpëtues i shohin vendet e BE-së, pa llogaritur koston e sfidave dhe sakrificave të tyre. Eksodi i trurit të ri është si rezultat i brishtësisë së shtetit, dominimit dhe indoktrinimit politik në çdo pore të shoqërisë dhe jetës së përditshme, anashkalimi i trurit dhe intelektualizmit, dominimi i klasave mediokre politike, të zhytura në krim të organizuar dhe korrupsion të hatashëm. Klasa politike në Kosovë, kryesisht përbëhet nga një miks i elitave politike të periudhave të komunizmit dhe elitave të reja fshatareske, të varfra, anti-komuniste, që janë brumë i krijesave të dala nga konfliktet e fundit dhe ombrellat nacional – romantike. Kjo armatë që ka pushtuar institucionet dhe sferat e tjera shoqërore është një oktapod gllabërues që thellon humnerën e një keqqeverisjeje dhe mungesën e një vizioni për të ardhmen e vendit dhe sidomos, popullsisë së re, duke shërbyer varfërinë dhe pasigurinë totale. Mentalitetet e tilla janë aq larg botëkuptimeve dhe trendeve të punës europerëndimore, saqë krijojnë përshtypjen se integrimi europian për ta nënkupton shkuarjen apo largimin nga vendi dhe jo forcimin e brendshëm institucional dhe zhvillimin ekonomik. Ngatërrimi i këtyre koncepteve sipas mentaliteteve dhe formësimeve “alla turke” pasqyron në të vërtetë se ku gjendet sot Kosova dhe pse çdo ditë kemi braktisje masive nga ky shtet i ri. Fatkeqësisht, dhjetë vite pas lirisë së fituar me mund dhe sakrificë, diferenca në pasuri mes Kosovës, por edhe vendeve të Ballkanit me BE-në është shumë e madhe. Korrupsioni, kriminaliteti i jakës së bardhë, mungesa e edukimit profesional, po i pamundëson Kosovës një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm si dhe një perspektivë më të mirë për të rinjtë. E vetmja mundësi, për të parandaluar dhe dënuar këtë kastë politikanësh që shkaktoi një dramë të madhe shoqërore, është rotacioni politik, një alternativë e re politike, për të rivendosur demokracinë, shtetin e së drejtës si dhe për të përshpejtuar integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. Fitorja e socialistëve në Shqipëri, rotacioni që ndodhi atje, duhet të reflektohet edhe në Kosovë, përndryshe do të vazhdojmë të përballemi me papunësinë, mungesën e perspektivës, emigracionin masiv dhe shumë dukuri të tjera negative, të cilat minojnë shanset për një jetë më të mirë dhe dinjitoze. Liberalizimi i vizave Procesi i liberalizimit të vizave është një tregues se qytetarët e Ballkanit Perëndimor duan të ikin drejt vendeve të BE-së dhe kjo e fundit u detyrua të nxjerrë dhëmbët dhe të paralajmërojë mekanizmat sanksionues. Nga Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria është evidente ikja e heshtur e rinisë, por edhe familjeve drejt vendeve të BE-së, duke u pajtuar edhe me një status të paqartë qëndrimi dhe të zvarritur, por vetëm e vetëm për të mos u kthyer në vendlindjet e tyre. Numri i popullsisë në Serbi shënoi rënie prej 5 për qind, në Maqedoni u ndërpre regjistrimi i popullsisë për faktin se shifrat ishin shqetësuese, ndërsa në Kosovë askush nuk e besonte se jetojnë më pak se 2 milionë banorë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Maqedoninë, ku statistikat bëjnë të ditur se mbi 200 mijë shqiptarë jetojnë në diasporë, ndërsa nuk është i vogël edhe numri i maqedonasve të rinj që kanë emigruar dhe po emigrojnë drejt Australisë, SHBA-ve dhe vendeve të BE-së. Për Kosovën pritjet janë që, një numër i madh i të rinjve kosovarë do ta braktisin vendin pas procesit të liberalizimit të vizave. Kjo po i bën europianët që ta shtyjnë këtë proces deri në vitin 2015 apo 2016. Një situatë e tillë alarmuese do të tejkalohej vetëm atëherë sikur të kishim një perceptim më real të konceptit të integrimit nga vetë popullata si dhe një përkushtim më të madh të qeverive në lidhje me proceset integruese, në mënyrë që të sjellë më shumë përfitime reale dhe të prekshme për popullatën. Por, kjo vështirë të ndodhë me një klasë të tillë politike. Emigracioni brenda BE-së Edhe vendet anëtare nuk po i shpëtojnë eksodit masiv të të rinjve. Në Rumani ku rroga mesatare është rreth 300 euro gjatë dhjetë viteve të fundit numri i popullsisë është zvogëluar për 12 për qind. E njëjta ka ndodhur edhe në Bullgari ku sipas statistikave zyrtare numri i popullsisë është zvogëluar për 7 për qind. Ndërsa si pasojë e emigrimit të shteteve të reja anëtare nga zgjerimet e fundit në vitin 2004 dhe 2007 po rritet numrin i popullsisë në vendet e pasura europiane. Sipas raportit të fundit të lëshuar nga Zyra Federale e Statistikave në Gjermani numri i emigrantëve atje ka arritur në 13 për qind. Shumica e emigrantëve të rinj janë vendosur nga vendet e Bashkimit Europian dhe në veçanti nga Greqia janë vendosur në Gjermani. Rreth 10.000 shtetas grekë janë vendosur më shumë se në vitin 2011, numër ky i rritur me 43 për qind. Një rritje prej 45 për qind është regjistruar nga emigrantët spanjollë në Gjermani, ndërsa përkatësisht Portugalia dhe Italia me 43 për qind dhe 40 për qind. Në numra absolutë, shumica e emigrantëve të rinj janë nga Polonia, ndërsa një rritje e ndjeshme është vërejtur në emigrimin e shtetasve të shteteve të cilat u pranuan në Bashkimin Europian në vitin 2004 dhe 2007 dhe veçanërisht nga Sllovenia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›