Katolikët dhe PD-ja
Katolikët në Partinë Demokratike kanë qenë të përfaqësuar në nivele të larta gjatë këtyre 22 viteve me dy emra të përveçëm, Pjetër Arbnori e Jozefina Topalli.
Për më shumë se dy dekada, individë të këtij religjioni kanë qenë shumë pranë kësaj force politike, duke i konsideruar kundërshtarët e majtë si pasardhës të regjimit totalitar.
Numri jashtëzakonisht i madh i klerikëve, por edhe besimtarëve katolikë që përjetuan kalvarin e burgjeve të diktaturës (përfshi dhe vetë Arbnorin), si dhe një tjetër numër po aq i madh i atyre që u pushkatuan, janë shembulli më domethënës i pozicionimit të kësaj kategorie krah Partisë Demokratike që në themelimin e saj. Por vetëm një vit pas formimit të Partisë Demokratike, një bërthamë intelektualësh katolikë do të përbënin grupin nismëtar të Partisë Demokristiane, kryetar i së cilës do të zgjidhej Zef Bushati, një shenjë kjo që demonstronte pakënaqësitë e para për numrat në përfaqësim pranë PD-së.
Ky në fakt ka qenë në vijimësi një pretendim i shprehur gjithmonë jo aq nën zë nga përfaqësues të këtij besimi, kryesisht në Shkodër, Malësi të Madhe, Lezhë apo Mirditë, aty ku dhe numri i qytetarëve të besimit katolik është më i lartë.
Të njohura si bastione të Partisë Demokratike, padyshim dhe me kontributin e vazhdueshëm të katolikëve, këto zona kanë qenë më pak të përfaqësuarat në nivelet e larta të politikës, çka përherë krijonte ndjenja pakënaqësie ndër ta.
Me gjithë këto rezerva ndaj selisë blu, Partia Demokristiane dhe bijëzat e saj të krijuara më vonë, ngjanin përherë të pabesueshme për katolikët brenda PD-së dhe këta të fundit me gjithë simpatinë për termin demokristianizëm, asnjëherë nuk tentuan të hidheshin në një aventurë politike, pas të cilës fshiheshin shumë rebuse.
Jo rrallë herë Nard Ndoka i ka shkelur syrin katolikëve me peshë në degët veriore të PD-së, por këta të fundit përherë janë konsideruar si qëndrestarët më të mëdhenj pro Berishës.
Faktori Topalli padyshim ka qenë një urë e fortë lidhjeje mes Sali Berishës dhe katolikëve, të cilët tek nënkryetarja demokrate e shihnin veten, në mos tërësisht të përfaqësuar, të paktën të rëndësishëm në drejtimin e PD-së.
E ndërsa Topalli kishte nën kontroll katolikët brenda forcës që përfaqësonte, mjeshtërisht ajo luajti kartën e të besuarve të saj edhe brenda demokristianëve, duke çuar njërin prej tyre deri në nivel nën-kryetari të PDK-së.
Një rol të rëndësishëm në kontrollin e katolikëve nga ana e PD-së (sidomos në Shkodër), luajtën edhe individë brenda klerit katolik.
Në disa raste ata bashkëpunuan me nënkryetaren demokrate për të orientuar votën e besimtarëve drejt së djathtës. Raste të tilla ku vota përzihej me religjionin u shpeshtuan vit pas viti, ndërkohë që përfaqësues të së majtës lokale ndiheshin të pafuqishëm për të reaguar, kjo dhe për hir të balancave që konsiderohen si të brishta në këtë qytet.
Ky lloj orientimi drejt PD-së nga ana e klerikëve ishte aq i justifikueshëm në fillimin e viteve 90-të kur të gjithë po mundoheshin të vinin një gur në forcimin e kësaj force të parë opozitare në vend, sa është absurd dhe i dëmshëm në këto kohë kur diferenca e programeve dhe ideve mes forcave politike (sidomos në raport me religjionet) është thuajse e padallueshme.
Zgjedhja e Bashës
Është pak të thuhet se katolikët e PD-së janë të zemëruar me zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD-së.
Aq sa ka ëndërruar vetë zonja Topalli të marrë drejtimin e këtij formacioni politik, aq kanë qenë të gatshëm ata ta përkrahin masivisht në çdo betejë të mundshme.
Tërheqja e nënkryetares demokrate nga një garë, të cilën e priste me padurim prej shumë kohësh, dhe ndikimi direkt i Berishës në vendimin që ajo mori, kanë krijuar ndër ta një klimë mosbesimi e acarimi edhe ndaj këtij të fundit.
Në procesin e zgjedhjes së Bashës, katolikët jo vetëm u ndjenë të papërfaqësuar, por njëkohësisht edhe të nëpërkëmbur e të fyer nga një lider, për të cilin kanë dhënë më të mirën e mundshme për më shumë se dy dekada.
Është fakt i patjetërsueshëm që Partia Demokratike ka pasur historikisht rezultatet më të mira në zonat me popullsi katolike, një besnikëri kjo asnjëherë e shpërblyer si duhet nga kjo forcë politike që de jure justifikohej me përfshirjen e Topallit në lidershipin e saj.
Nëse dikush mendoi se momenti i shpërblimit kishte ardhur, ky ishte një gabim në llogaritje dhe për më tepër besim i verbër tek Berisha.
Perceptimin e gabuar të erës në favor e kishte ne realitet edhe vete zonja Topalli, por zhvillimet e fundit një muaj përpara zgjedhjeve e rikthyen me këmbë në tokë të përzgjedhurën e katolikëve e cila kuptoi se nuk hynte në preferencat e Berishës si pasardhëse dhe sinjalet për këtë ishin mëse të qarta.
Me gjithë zhgënjimin e pësuar, nënkryetarja demokrate vazhdoi të mbajë rigorozisht të njëjtin qëndrim radikal në betejat e saj politike duke pasur të vetmin flamur, jo atë të PD-së, por atë të Sali Berishës.
Zhvillimet, që kulmuan me zgjedhjen e Bashës në krye të partisë, e gjetën Topallin me një qëndrim neutral mes palëve dhe me deklaratën provokative, por në dukje aspak armiqësore se demokratët janë përjetë me Sali Berishën.
Edhe pse këto qëndrime ngjajnë me letrat e besnikërisë që puçistët i linin Enver Hoxhës pak çaste para ekzekutimit, sërish një logjikë e ftohtë të çon tek riciklimi i Topallit në kupolën e re drejtuese të Partisë Demokratike dhe kaq gjë ajo ka pasur kapacitetin e duhur për ta nuhatur.
Nëse binomi Berisha-Basha do ta ketë seriozisht idenë e krijimit të një PD-je të fortë në opozitë, atyre u nevojitet agresiviteti deri në vulgaritet i Topallit në sallën e parlamentit.
Atyre u nevojitet ish-e përndjekura Topalli, por më së shumti atyre u vjen si nevojë emergjente besnikëria e katolikëve të veriut, biletë të cilën aktualisht mund ta tërheqin vetëm nëpërmjet Jozefina Topallit.
E ardhmja
A do të jetë në gjendje të mbajë të bashkuar PD-ja militantët e saj të besimit katolik në rrethe? A do të jenë më kërkues këta të fundit sa i përket numrave në përfaqësim, me një të drejtë të pa marrë asnjëherë e që i përket atyre prej më shumë se 20 vitesh?
Nëse i referohemi tetë viteve të fundit, justifikimi për përfaqësim në institucione shtetërore ka qenë vetëm me qarqet Shkodër e Lezhë, edhe këtu me shumë polemika pse ka dy apo tre katolikë më shumë sesa myslimanë.
Në fakt askush nuk ka bërë një përllogaritje të thjeshtë në përqindjen e katolikëve në nivel kombëtar (diku tek 12 %) që e përkthyer në po të njëjtin nivel duhej të ishte një përfaqësim shumë herë më i madh në numra.
Po
