Integrimi ekonomik i Shqipërisë, konkurueshmëria duhet të vijë nga forca reale e ekonomisë

Ekonomia shqiptare do të duhet të qartësojë pritshmëritë për hyrjen në tregun europian si një forcë reale ekonomike, me prodhim brenda vendit.
Eksperti Eduard Gjokutaj e sheh këtë hallkë të procesit të integrimit si një fazë përshtatjeje ku shteti duhet të marrë rolin e vet në orientimin e ekonomisë.
“Tashmë ekonomia shqiptare duhet të përfshihet në modelin e ri ekonomik botëror i cili po e ndryshon zinxhirët e qarkullimit të tij dhe natyrisht kjo ndikon edhe në bizneset shqiptare që kanë nevojë të orientohen. Pikërisht këtu është ndërhyrja e shtetit me ato institucionet dhe mekanizmat e veta që t’i bëjë më të lidhur dhe më të orientuar jo vetëm me bizneset e Europës por me gjithë zinxhirët pse jo të Azisë dhe vendeve të tjera për mallrat shqiptare.”
Ekonomia shqiptare duhet të përshtatet me modelin e ri global. Ndryshimi i zinxhirëve të furnizimit dhe qarkullimit të mallrave në botë kërkon që edhe ekonomia shqiptare të orientohet drejt tregjeve dhe partnerëve të rinj.
Sipas Gjokutajt, disa sektorë janë më të ndjeshëm ndaj kërkesës për transformim.
“Kam parasysh pjesën e ekonomisë bujqësore që duhet të rigjejë vetveten dhe ekonomi të tjera që deri më sot quhet fasoneri. Nuk po punohet për të plotësuar ato hapësirat që janë tek Kapitujt për bujqësinë, mjedisin, ekonominë dhe financat.”
Veçanërisht bujqësia, mjedisi dhe ekonomia prodhuese kanë nevojë për politika konkrete zhvillimi dhe jo vetëm për rregulla formale.
Në këtë proces, rol të rëndësishëm ka edhe orientimi i biznesit nga shteti. Institucionet duhet të krijojnë mekanizma që lidhin bizneset shqiptare jo vetëm me tregun europian, por edhe me zinxhirët globalë të prodhimit dhe tregtisë.
Në të njëjtën kohë, vendi duhet të përgatitet për të përballuar regjimin fiskal dhe doganor të Bashkimit Europian.
“Natyrisht nuk mund të aplikohen regjime të posaçme as tatimore dhe as doganore. Dhe duhet ta pranojmë si realitet që nuk duhet të synojmë pjesë e realitetit të taksave se sa politikën e brendshme ekonomike që në momentin që ne do futemi në BE të jetë ekonomia ajo që të konkurrojë dhe jo taksat.”
Integrimi në BE nuk lejon regjime të veçanta fiskale apo doganore. Shqipëria nuk mund të mbështetet në avantazhe të posaçme tatimore; konkurrueshmëria duhet të vijë nga forca reale e ekonomisë dhe prodhimit.
Duke ruajtur mbështetjen për prodhimin vendas, në gjurmë edhe të vendeve si Kroacia apo Greqia, politika ekonomike shqiptare përballet veç të tjerash me sfidën e krijimit të një tregu ku investitorët europianë të ndihen njësoj si në vendet e tyre.
Gazetare : Entela Komnino
/rtsh.al/