E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi në BE, Brukseli "ngrin" Serbinë

BRUKSEL -Brukseli ngrin kandidaturën e Serbisë për anëtarësim në BE deri në qershorin e këtij viti. Lajmi i keq i është bërë i ditur së fundmi shefit të diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç nga zyrtarët europianë. Sipas gazetës "Blic" të Beogradit, shkak janë bërë kundërshtimet e Holandës dhe Belgjikës, të cilat nuk pranojnë që çështja e kandidaturës të shqyrtohet para raportit të kryeprokurorit Brammertz, në lidhje me bashkëpunimin e Beogradit e Hagës, kurse në këtë drejtim përkrahen edhe nga Gjermania, e cila kundërshton "kapërcimin e hapave". Serbia aplikoi pak kohë më parë për anëtarësimin në BE, menjëherë pas liberalizimit të vizave për këtë vend. Spanja, që mban presidencës e radhës së Bashkimit Europian, ka premtuar se do të mbështesë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa prioritet të saj ka finalizimin e negociatave me Kroacinë dhe zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë, në vend të dytë janë diskutimi i kandidaturave për anëtarësimin në BE të Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinën. "Mendoj se 2010 do të jetë një vit kyç për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor: Presidenca spanjolle e BE, Komisioni Europian, përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme europiane, do të punojnë së bashku që rajoni të ecë përpara në rrugën e integrimit europian", - deklaroi ministri i Jashtëm spanjoll, Miguel Angel Moratinos. Zgjerimi i BE me vende të reja nga Ballkani Perëndimor është faza e re që hap hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës. Kjo përkon edhe me kalimin e Ballkanit Perëndimor në një fazë të re: nga Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit me BE, në atë të anëtarësimit. Në këtë kuadër, Spanja konsideron si moment kyç të presidencës së saj, takimin që do të zhvillohet në Sarajevë mes ministrave të Jashtëm të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor. Takimi zhvillohet 10 vjet pas samitit të Zagrebit, që u zhvillua pas krizës së Kosovës, i cili i dha rajonit perspektivën e kalimit nga zgjidhja e konflikteve, në atë të MSA-së me BE-në. Samiti i majit është momenti i kalimit nga MSA-ja te zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ministri i Jashtëm spanjoll, Moratinos konfirmoi që-llimin e Spanjës për të organizuar samitin e nivelit të lartë, ku do të marrë pjesë dhe Kosova. "Tani është momenti i kalimit nga MSA-ja tek zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë është e domosdoshme jo vetëm që këto vende të mos kenë më konflikte, por që të jenë të afta të flasin me një zë të përbashkët në BE. Kjo është sfida e Ballkanit Perëndimor", - tha ai.(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›