Integrimi në BE, Lamallari: Rezultat i punës dhe reformave ndër vite

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari u shpreh sot në një intervistë për media, për rrugën drejt integrimit në BE dhe çeljen e negociatave për kapitullin e gjashtë. Ai e vlerësoi si një moment shumë të rëndësishëm dhe të veçantë për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare.
Lamallari nënvizoi se e gjitha kjo arritje është si pasojë e punës së vazhdueshme, duke shtuar se qeveria mbetet e vendosur për të vijuar me këtë ritëm, në mënyrë që të procedohet sa më shpejt edhe me hapjen e grup-kapitujve të tjerë.
“Është një moment shumë i rëndësishëm i veçantë. Çdo konferencë ndërqeveritare është një gur kilometrik në hapat e fundit që Shqipëria po bën drejt BE. Është rezultat i një pune të mundimshme prej vitesh. Nga kjo ditë jemi shumë të vendosur për të vijuar me këtë ritëm dhe me këtë energji. Vetëm dy muaj më parë hapëm grup-kapituj të rëndësishëm. Asnjë grup-kapitull nuk mund të konsiderohet i lehtë.
Çdo kapitull ka rëndësinë e tij. Shqipëria e ka bërë shumë të qartë politikën e saj të Jashtme, dhe ne përputhemi me BE. Kemi qenë ndër vendet që kemi sanksionuar Rusinë dhe po ashtu jemi edhe ndër vendet e rëndësishme. Pozicioni i Shqipërisë u pranua për vetë masat, për të arritur në këtë ditë dhe për të hapur këtë grup-kapitull shumë të rëndësishëm.
Nga janari do të fillojmë me takime javore, monitorime nga Komisioni Europian dhe jam i bindur që brenda pranverës të bëjmë të pamundur që t’i japim mundësisë Shqipërisë që të procedojmë me hapjen e grup-kapitujve të tjerë. Është një proces transformuar dhe në dobi të shoqërisë shqiptare për vitet që do të vijnë”, tha ai.
/r.e/a.f/