Rama në Misionin e Shqipërisë në NATO: Ambicia, riintegrimi në trupën e shtetit shqiptar me paga të ngjashme

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama pasditen e së martës është takuar me stafin ushtarak dhe civil të Shqipërisë që janë të angazhuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Në fjalën e tij gjatë takimit, Rama tha se, ambicia e tij është riintegrimi i tyre në trupën e shtetit shqiptar.
“Jam po ashtu dëshmitar që në takimet me kolegë, homologë të vendeve të BE dhe NATO-s gjithmonë e më shpesh dëgjoj fjalë realisht të bukura për ju, për njerëzit që na përfaqësojnë në nivelet e dyta dhe të treta të shtetit shqiptar dhe që përballen me volumin e jashtëzakonshëm të punës së përditshme të këtyre institucioneve ndërkombëtare dhe mund t’i kisha marrë këto fjalë, si fjalë të bukura dhe komplimente të rrethanave të takimeve, por jam shumë i vetëdijshëm që janë fjalë që burojnë nga një përmirësim i vazhdueshëm, bindës dhe mbresëlënës i të gjithë qasjes sonë në raport me ta, por edhe i qasjes së tyre në raport me ne dhe qasja e tyre në raport me ne, patjetër që ka ndryshuar ndjeshëm si rezultat i shumë gjërave që shihen nga larg, por jam i bindur që ka ndryshuar edhe si rezultat i gjithë këtij volumi kontaktesh të drejtpërdrejta me ju dhe me të gjithë ata si ju që në instanca të tjera, përfaqësojnë Shqipërinë, ulen në tryeza diskutimesh dhe mbrojnë argumentet që na bëjnë ne të ecim më përpara”, u shpreh Rama.
“Tani sigurisht që ambicia ime dhe ambicia jonë nuk mund të mos jetë që pjesën që na e kanë marrë të huajt, t’ua rimarrim. E di që kjo kërkon akoma më shumë punë, kërkon akoma ca kohë, sepse të huajt kanë një gjë që ne nuk e kemi akoma, që mund t’iu trajtojnë po kaq mirë sa ç’po ju trajtoj unë sot, por ndryshe nga unë që pasi t’ju uroj gëzuar Vitin e Ri do të largohem, ata kur largohen ju paguajnë shumë më mirë sa ç’mund t’ju paguajmë ne, kështu që këtë hendek ne jemi duke e zvogëluar, por është ende një hendek”, vijoi Rama.
“Megjithatë, të gjithë ata që janë këtu dhe që punojnë për të huajt, nuk duhet të çuditen në qoftë se më herët sa vonë ne do t’ju bëjmë propozime për t’ju ri integruar në trupën e shtetit shqiptar dhe përfaqësuesit e shtetit shqiptar me paga të ngjashme. Po deri atëherë qëndroni fort, mbani vendin e punës që e keni fituar me konkurse dhe me sprova dhe teste që pa diskutim janë shumë rigoroze. Jini krenar që kushedi se sa italianë, gjermanë, anglezë pa llogaritur edhe ata të tjerët që kemi rreth e rrotull, i keni lënë pa punë, se ju keni zënë vendit. Natyrisht, ata mund të kenë gjetur një punë tjetër ndërkohë, por nuk kanë marrë punën që kanë dashur të marrin dhe ia morët ju”, theksoi Kryeministri Rama.
1 nga 22/a.f/