E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intelektualet e Fierit kunder konferences se stisur te gjuhes

Debati për gjuhën shqipe/ Studiues e njohës të gjuhës shqipe nga qyteti i Fierit janë përfshirë në debatin mbi për gjuhën shqipe. Pjesa më e madhe e tyre shprehen kundër konferencës që u mbajt në Durrës gjatë javës që lamë pas dhe pretendimeve për ndryshim të standardit të shqipes. Vasil Prifti, ish-anëtar i Kongresit të Gjuhës Shqipe të vitit 1972, thotë: Mos e ngacmoni gjuhën shqipe!

Edhe pse konferenca shkencore për çështjet e shqipes së sotme, e kryesisht të standardit të saj, ka përfunduar prej disa ditësh, jehona që la pas vazhdon të përfshijë intelektualë e mësues të gjuhës shqipe. Reagimi kësaj here vjen nga Fieri. Studiues e intelektualë të këtij qyteti prej dy ditësh janë përfshirë në debate, ku pjesa më e madhe e të cilëve është vendosur në krahun e mbrojtjes së standardit aktual të gjuhës. Vasil Prifti, një prej ish-anëtarëve të Kongresit të Gjuhës Shqipe të vitit 1972, i cili mban edhe titullin “Mësues i Merituar”, reagon duke u shprehur: “Mos e ngacmoni gjuhën shqipe!”. Prifti, studiues i gramatikës historike të gjuhës shqipe, thotë se kjo gjuhë funksionon mjaft mirë sot si një gjuhë e shtypit periodik, gazetave, revistave, librave, duke filluar që nga abetarja, deri tek pjesët akademike të shkencave. “Pra, shqipja e sotme është një gjuhë që funksionon mjaft mirë në të gjitha sferat. Kristalizimi i gjuhës letrare shqipe mund të konsiderohet mjaft mirë si një prej arritjeve të shqiptarëve. Shqipëria me gjuhën e saj radhitet krahas atyre shteteve që janë të zhvilluara, si p.sh Franca, Anglia, Gjermania, të cilat kanë sot një gjuhë letrare kombëtare. Pra, është një fitore e madhe e jona”, - ka thënë Vasil Prifti. Më tej ai është shprehur se kjo gjuhë është e kodifikuar. “Fjalori i gjuhës shqipe ka dalë në vitet ’80, më pas doli edhe fjalori drejtshkrimor. Më vonë erdhën gramatikat akademike, për të vazhduar me krijimin dhe formulimin e rreth 60 fjalorëve terminologjikë për të gjitha sferat dhe shkencat. Me këta fjalorë është arritur që gjuha të bëhet më e kapshme në masën e njerëzve”, - shton ai. Kjo është edhe një prej arsyeve thelbësore që e shtyjnë Vasil Priftin, të njohur për kontributin e dhënë në lëmin gramatikor të gjuhës shqipe, që shprehet kundër konferencës që u zhvillua në Durrës gjatë javës që sapo lamë pas. Sipas tij, gjuha shqipe nuk mund të mbrohet me të tilla vendime të dala nga kongrese a konferenca të kësaj natyre. “E quaj një marramendje këtë lloj nisjeje dhe këtë stisje. Gjuha që ne kemi sot i kryen të gjitha funksionet shoqërore, në të gjitha sferat e veprimtarisë së saj. I kryen mjaft mirë”, - ka këmbëngulur mësuesi Vasil Prifti, i cili është shprehur hapur kundër me ndryshimet ne shqipen standarde dhe në emër të forcimit të pozicionit të saj. Nga analizat e shkencëtarëve gjuhëtarë, përfaqësuesve të qendrave albanologjike, instituteve të gjuhës dhe universiteteve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Italia dhe Gjermania, pjesëmarrës në konferencën shkencore treditore të organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike në Durrës, dolën disa përfundime të cilat u bënë të ditura përmes mediave. Gjatë kësaj konference u vlerësua së pari vlefshmëria e standardit në këtë dekada, pavarësisht se i themeluar "në një epokë të ngarkuar me ideologji dhe me mungesë të lirisë shkencore". Por, duke ju referuar praktikës së përdorimit të shqipes standarde, që prej vitit 1972 e deri më sot, rezulton se kjo gjuhë "ka nevojë që t'i nënshtrohet periodikisht një shqyrtimi shkencor lidhur me funksionimin e sistemit në të gjitha segmentet". Në vitin 1972, në Tiranë është mbledhur Kongresi i Gjuhës Shqipe. Nga Fieri në këtë kongres morën pjesë “Mësuesi i Popullit”, Kristaq Shtëmbari dhe “Mësuesi i Merituar”, Vasil Prifti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›