E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia nuk fal por ndeshkon

Fitorja 2-1 ndaj Skënderbeut ka hedhur poshtë zërat për tolerim

Nën një atmosferë të ndezur në “Loro Boriçi” është luajtur një ndeshje me shumë emocione, por edhe tension, mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, e cila, në fund u ka buzëqeshur vendasve, të cilët me fitoren 2-1 kanë hedhur poshtë zërat për tolerim të mundshëm ndaj korçarëve dhe tashmë janë ngjitur në vendin e tretë në klasifikim, duke u rifutur fuqishëm në luftën për titull. Ka qenë një javë ku dy kryesuesit, Flamurtari dhe Skënderbeu, janë ndalur në transfertë, duke dëshmuar se kanë luhatje jo të vogla dhe do të kenë punë tashmë edhe me rivalë të tjerë për titull, sikurse është tashmë edhe Vllaznia, që regjistron nëntë ndeshje radhazi të suksesshme, pa humbur. Ndeshja e “Loro Boriçit” ka qenë shumë e bukur dhe është luftuar fort, por vendësit kanë triumfuar falë shpirtit të lartë të garës, besimit në vetvete dhe përmbysjes që i kanë bërë golit të Sozës për miqtë. Argjentinasi i Skënderbeut ka shënuar golin e vetëm të kuqebardhëve, në minutën e 33-të, duke e mbyllur me fitore pjesën e parë. Në pjesën e dytë kemi një Vllazni tepër kërkuese dhe që synon me çdo kusht të barazojë dhe qëllimit ia arrin në minutën e 57-të, me anë të kosovarit Ilir Nallbani. Këtu nis edhe kthesa e madhe e kuqebluve, që arrijnë të gjejnë edhe golin e dytë dhe atë të fitores me anë të Vajushit, i ndihmuar edhe nga devijimi i Fagut të Skënderbeut, në minutën e 65-të. Korçarët shokohen dhe nuk u besojnë syve, teksa ndiejnë shijen e një tjetër humbjeje në transfertë, një pikë mjaft e dobët e skuadrës korçare kjo. Me këtë sfidë të humbur, Skënderbeu tregon se nuk është në gjendje të përfitojë nga hapat falsë të rivalit të drejtpërdrejtë për titull, deri më tani, Flamurtarit (në Ballsh), sepse duket se nuk ka këllqe dhe mentalitet profesionist për këtë gjë. Pavarësisht se në ndeshjen me Vllazninë i janë rikthyer edhe disa lojtarë të dëmtuar, titullarë, ndër të cilët edhe kapiteni Shkëmbi, skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça nuk ka mundur dot të bëjë diferencën, duke mos dalë sërish në skenë si pretendente reale dhe e plotë për titull. Luhatjet e shumta të juglindorëve tregojnë se objektivat e proklamuar nga drejtuesit e tyre janë më shumë produkte mediatike, se sa punë serioze dhe profesionale e trajnerit Shkëlqim Muça dhe të besuarve të tij, që në kushtet e pagesave të majme duhet të mbajnë përgjegjësi. Sepse, një skuadër që fiton vetëm ndeshjet në shtëpi, më e shumta ka të sigurt mbijetesën, ndërkohë që për t’u shpallur kampion, sikurse aspiron Skënderbeu, i duhen patjetër fitore në transfertë, aq më tepër me rivalë të fortë, si Vllaznia. Kuqeblutë konfirmojnë momentin e artë që po kalojnë, futen tashmë fuqishëm në vallen e pretendentëve, bashkë me Tiranën, duke e bërë edhe më të fortë luftën për titull në këtë edicion. Mirel Josa e ka vlerësuar të rëndësishme fitoren, ndërsa humbja nuk i ka pëlqyer trajnerit të Skënderbeut, Shkëlqim Muça, i cili gjithsesi ngushëllohet disi “me lojën e bukur të lojtarëve të mi”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›