Intelektualët maqedonas, protesta kundër qeverisë

Një grup intelektualësh maqedonas, të udhëhequr nga lideri i opozitës, ish-kryeministri Branko Cervenkovski, marshuan në rrugët e Shkupit për të tretën ditë radhazi të premten.
Manifestime të reja janë parashikuar edhe në ditën e nesërme. Midis gazetarëve, profesorëve dhe intelektualëve të tjerë ishte i pranishëm edhe shkrimtari i mirënjohur Vlatko Galevski, i cili u bëri thirrje të gjithë kryetarëve të institucioneve të rëndësishme që të bashkohen për të rrëzuar qeverinë e Gruevskit, raporton bw.
“Nëse kjo qeveri do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, shpejt do të vijë dita kur teatrot të jenë të mbushur me fshatarë që mendojnë se Shakespeare është ndonjë futbollist", deklaroi Galevski.
Sipas opozitës, mazhoranca aktuale e ka zhytur vendin në varfëri, ka shkurtuar buxhetin në arsim e shëndetësi, ka eliminuar pavarësinë e universiteteve dhe ka ndikuar në rritjen e korrupsionit e mungesës së rendit në mënyrë të skajshme.
Protestat disaditore nisën pasi më parë, gjatë dhjetorit, një buxhet i shumëpërfolur u kalua vetëm nëpërmjet votave të mazhorancës./Indeksonline/