Inteligjenca Artificiale dhe video-lojërat

Në utopinë që kam unë për Inteligjencën Artificiale çdo gjë është më krijuese. Ne do të kemi përjetime të bukura digjitale. Ne do të bashkëpunojmë më shumë me njëri-tjetrin. Kjo gjë është e mundshme. Vetëm se ne duhet ta bëjmë si duhet,” thotë Sasha MacKinnon, themelues dhe drejtor i përgjithshëm i Mino Games. Ai ka lindur në Australi dhe njihet si Pokémon-Nerd. Ai është marrë me krijimin e lojërave që në moshën gjashtëvjeçare. Entuziazmi i tij është ngjitës. Fytyra e tij ndriçon nga gëzimi kur fillon të tregojë çfarë mundësish sjell përdorimi i Inteligjencës Artificiale, shkurt IA, në zhvillimin e lojërave.
Ai nuk është entuziasti i vetëm. Një studim i publikuar në shtator 2023 nga kompania e konsultimeve Bain & Company, tregon se shumica e forcave drejtuese të industrisë së lojërave kompjuterike, që janë pyetur, kanë thënë se pesë deri dhjetë vjetët e ardhshme do të fusin Inteligjencën Artificialenë procesin e krijimit të lojrave.
IA sjell “momentin magjik “
Në studion e Sasha MacKinnons, ku është duke u punuar aktualisht në lojën me roleplaying “Dimensionals”, është vënë në përdorim IA nëpërmjet një tipi simpatik, pak të çmendur, që zien nga idetë, që ulet shpesh në tavolinën e bisedimeve dhe bën sugjerime të shumta, që bëjnë të tjerët për të qeshur. IA mund të gjenerojë për shembull karaktere, beteja dhe dialogje. “Ne e përdorim IA për të patur momentin magjik, në të cilin karakteret thonë diçka që nuk pritet të thuhet prej tyre dhe që nuk është pjesë e skenarit, por që bazohet tek mënyra se si është luajtur me ta deri tani.”