E Martë, 3 Nëntor 2026

Maqedonia e Veriut do të lejojë përkohësisht fluturime nga Rusia

Maqedonia e Veriut, vend anëtar i NATO-s, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të shfuqizojë përkohësisht ndalesën e fluturimeve  nga Rusia, për t’i mundësuar ministrit të jashtë rus Sergej Lavorv pjesëmarrjen në një konferencë ndërkombëtare që mbahet këtë vend.  

Sipas një deklarate nga qeveria e vendit ballkanik, ndalesa nuk do të jetë efektive nga 29 nëntori deri në 1 dhjetor, kur në Shkup mbahet takimi i ministrave të jashtëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) presidenca e radhës e së cilës mbahet nga Maqedonia e Veriut. 

Rusia është një nga 57 vendet anëtare të OSB-së, e cila u themelua gjatë luftës së ftohtë për të zbutur tensionet mes Lindjes dhe Perëndimit. 

Ndërkohë nuk është e qartë nëse Lavrovi do të pranojë ftesën që ministri i jashtëm Bujar Osmani i dërgoi javën e shkuar. Por që të mund të zbresë në Shkup, avioni i Lavrovit duhet të lejohet të kalojë në hapësirën ajrore të vendeve të tjera të Natos dhe BE-së dhe për këtë duhet të marrë leje të veçanta nga këto vende. 

Shumë vende europiane kanë ndaluar fluturimet e avionëve nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit të shkuar. Por dipas ministrisë së jashtme të Maqedonisë së Veriut, pezullimi i ndalesës së fluturimeve nuk ishte diçka e paprecedentë, veçanërisht kur është fjala për konferenca ndërkombëtare. 

Gazetare Elda Pepa

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›