E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intensifikohet stuhia Sandy, më e rënda në brigjet lindore

Meteorologët thonë se kushtet atmosferike përgjatë bregdetit lindor të Shteteve të Bashkuara do të përkeqësohen sonte, ndërsa stuhia më e madhe ndonjëherë që godet tokën sjell rreshje të shumta dhe errëra të fuqishme në një zonë të madhe të rajonit më të populluar të Shteteve të Bashkuara.

Uragani Sandy vazhdon të zhvendoset drejt bregdetit verilindor dhe pritet të bashkohet me dy stuhi dimrore, duke krijuar një "superstuhi" hibride, që mund të prekë deri në 50 milion banorë.

Erërat e uraganit u fuqizuan deri në 150 kilometra në orë, ndërsa ai mori drejtimin nga perëndimi, drejt brigjeve të Shteteve të Bashkuara. Sandy pritet të godasë tokën sonte vonë. Meteorologët parashikojnë që stuhia të shoqërohet me erëra të fuqishme në zona të ndryshme bregdetare, nga Virxhinia deri në Masaçusets. Shërbimi Meteorologjik Kombëtar parashikon kushte të rrezikshme për jetën si pasojë e rritjes së nivelit të ujit prej më shumë se 3 metrash në portin e Nju Jorkut.

Stuhia ka detyruar qytete të mëdha mes tyre Uashingtonin, Filadelfian dhe Nju Jorkun, që të mbyllin shkollat, aeroportet dhe sistemet e transportit publik. Tregjet e aksioneve në Shtetet e Bashkuara janë mbyllur sot, ndërkohë që Kombet e Bashkuara kanë anuluar takimet dhe kanë mbyllur zyrat.

Shtetet e Nju Jorkut, Pensilvanisë, Marilandit, Virxhinisë, Karolinës së Veriut dhe kryeqyteti Uashignton kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Autoritetet në shtetin Delaware kanë urdhëruar evakuimin e detyrueshem nga disa pjesë të këtij shteti bregdetar. Ndërsa autoritetet e New Yorkut kanë urdhëruar evakuimin e 375 mijë njerëzve nga pjesët e ulëta të qytetit. Javën e kaluar, para se t’i afrohej Shteteve të Bashkuara, uragani Sandy shkaktoi 65 viktima në rajonin e Karaibeve. /voa/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›