E Diel, 1 Nëntor 2026

Inter-Barça, ose Eto’o vs.IbraEto’o: “Barça është ekipi më i mirë në botë, por ne mund ta mundim atë”. Ibra: “Nuk do të jetë e lehtë, pasi Interi është forcuar shumë këtë sezon”

Publikoje ne:

“Barça është ekipi më i mirë në botë, por ne mund ta mundim atë”. Paralajmërimi është i sulmuesit të Interit, Samuel Eto’o. Ish-lojtari i Barcelonës ndez parakohe luftën, përpara se të zbresë në fushë, në supersfidën Inter-Barcelona, ku midis të tjerash ka dhe një duel privat: Eto’o-Ibrahimoviç, në një “San Siro” ku të pranishëm do të jenë më shumë se 80 mijë tifozë.

Pas katër titujve rresht të fituar në Serinë A, Inter dëshiron të fitojë trofeun e Ligës së Kampioneve, që i mungon prej gati 44 vjetësh, nga edicioni i largët 1964-1965. Fati e solli që ndeshjen e parë zikaltërit ta kenë pikërisht kundër kampionëve në fuqi të Europës. Trajneri i Interit, Hoze Mourinjo gjen formulën e frymëzimit të lojtarëve të tij. “Interi ka nevojë për kundërshtarë të mëdhenj”.

Dy nga sulmuesit më të mirë në botë Zlatan Ibrahimoviç dhe Samuel Eto do të vihen kundër ish-skuadrave të tyre, me të cilat kanë shkruar një pjesë të historisë. Dy sulmuesit kanë ndërruar vendet dhe gjatë verës së fundit. Ibrahimoviç ka lënë “San Siron” për “Kamp Nou”, ndërsa Eto’o ka bërë të kundërtën, vetëm dy muaj pasi kishte shënuar golin e parë në finalen ndaj Mançester Junajtid. Ka qenë pikërisht sulmuesi kamerunas ai që ka shprehur dëshirën për të ndëshkuar ish-skuadrën. “Që kur kalova tek Barcelona dhe që nga ndeshja ime e parë, kam bërë gjithçka që kam mundur për të bërë detyrën time, - është shprehur Eto’o.

“Asnjëherë nuk kam refuzuar asgjë, ndryshe nga disa lojtarë tjerë te Barça që thoshin ‘jo’, dhe refuzonin të luanin atje. Sezoni i kaluar për mua ishte një vit i suksesshëm, sepse të gjithë punuam bashkë për të mirën e Barcelonës. Kam pasur disa probleme, por gjithçka është në rregull, edhe nëse Guardiola ka thënë se nuk kam ndjenja për skuadrën, është mendimi i tij. Gjithmonë kam qenë i përkushtuar dhe do t’ia tregoj atij këtë javë”.

Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimoviç, foli me tone të qeta përpara sfidës me ish-skuadrën e tij, prej nga ku u shit 66 milionë euro, përfshirë këtu edhe kartonin e Samuel Eto’o-së si pjesë e marrëveshjes. Suedezi do të vizitojë për herë të parë “San Siron”, ku shpenzoi tre vjet të karrierës së tij italiane. “Do të jetë një moment shumë emocionues për mua. Jam i gëzuar që të kem edhe një shans tjetër të luaj në këtë stadium. Nuk do të jetë e lehtë, pasi Interi është forcuar shumë këtë sezon dhe gjërat do të jenë të vështira për ne”.

Nën urdhrat e Murinjos, Ibrahimoviç shënoi 25 gola sezonin e kaluar, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë i Serisë A. Me Barcelonën, Ibra ka shënuar dy gola në dy takime. Barcelona do të kërkojë të bëhet skuadra e parë që do të mbrojë titullin Evropian që nga kohët e Milanit 1989-90, ndërsa Interi është në kërkim të trofeut as shumë të munguar në pjesën zikaltër të Italisë, që nga viti 1965. Gjithsesi skuadra e Murinjos ka arritur të marrë rezultate pozitive me skuadrat spanjolle në shtëpi, duke humbur vetëm një ndeshje nga 15 të luajtura.

E Marte, 15 Shtator 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›