Interes për shkollat profesionale, në Korçë ofrohen 5 drejtime studimi

I kënaqshëm ka qenë interesi i të rinjve për tu regjistruar pranë Shkollës Profesionale Shërbime në qytetin e Korçës edhe pse kanë kaluar vetëm disa ditë nga nisja e regjistrimeve për klasat e 10-ta, pasi drejtimet që kjo shkollë ofron, lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e tregut të punës.
“Janë drejtime të gjitha që i përshtaten tregut të punës, ka kërkesa të pafundme në tregun e punës, ka vende pune që kërkojnë këto profile në të cilat studiojnë nxënësit tanë dhe kjo i krijon edhe mundësinë që të krijojnë një të ardhme të sigurt”, tha Tatjana Mero, Drejtoresh e Shkollës Profesionale Shërbime Korçë.
Sipas Meros, agroturizmi sot është një ndër sektorët më të zhvilluar ndaj dhe për këtë të rinjtë duhet t’i kushtojnë vëmendje.
“Agroturizmi sot është jo vetëm një fushë shumë e rëndësishme e Korçës por edhe e gjithë vendit tonë kështu që të gjithë ata nxënës që kanë shprehur interesin për tu regjistruar në këto drejtime do të jenë falënderues për profesionin që kanë zgjedhur”, tha Mero.
Nga ana tjetër shkolla ka marrë të gjitha masat për të ndihmuar prindërit dhe nxënësit të kryejnë regjistrimin.
Shkolla Profesionale Shërbime në Korçë ofron 4 drejtime studimi hoteleri-turizëm, ekonomi-biznes, bujqësi dhe veterinari dhe një program studimi 2-vjeçar pas të mesëm dizenjim mode.
/RTSH/