Arti i qëndisjes te brezat e rinj – Atelie me punime nga duart e vajzave gjirokastrite

Këto vajza prej një muaji janë bërë pjesë e kursit të qëndisjes, çelur për herë të parë nga qendra kulturore “Fato Berberi”. E nisin këtë rrugëtim me shpresën se nesër me duart e tyre do të arrijnë të realizojnë punime të bukura sikurse gjyshet e tyre, e pse jo në të ardhmen të çelin edhe bizneset e tyre.
“Qëndisja është diçka që unë mund ta përdor për ndonjë dhuratë ose për të ardhmen time ose në një biznes të ardhshëm”, u shpreh njëra nga vajzat.
Në atelienë e hapur të qëndisjes improvizuar në një nga mjediset e pazarit karakteristik ato u shoqëruan edhe nga nënat e të cilat duan që këtë traditë të bukur të Gjirokastrës ta shohin të trashëgohet nga fëmijët e tyre.
Është mjeshtrja e qëndisjes së kostumeve popullore Eli Zhulati që i drejton vajzat në këtë eksperiencë të re dhe interesante.
“Shpresojmë që kjo punë të vazhdojë edhe për kënaqësi sepse puna e dorës të jep kënaqësi”, u shpreh mjeshtrja e qëndisjes së kostumeve popullore Eli Zhulati
Aktiviteti “Transmetojmë traditën e qëndisjes tek brezat e rinj” pati për qëllim anëtarësimin e sa më shumë vajzave në këtë kurs, por edhe njohjen e të interesuarve dhe turistëve me mënyrat e qëndisjes karakteristike.
/RTSH/