E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interi fiton me Xhenoan vetëm në shtesa

Milano - Interi arriti një fitore të vështirë kundër skuadrës së Xhenoas për Kupën e Italisë. Koha e rregullt u mbyll në shifrat e barabarta 1-1. Në kohën shtesë zikaltërit arritën të shënonin dy herë duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 3-1.

Në minutëne 20-të Interi fiton një penallti, dhe skuadra e Xhenoas mbetet me 10 lojtarë pas daljes me të kuqe të Biavës. Adriano nuk arrin dot të shënojë nga pika e bardhë, duke humbur një shans të mirë, në radhë të parë për veten e tij. Me rrjeta të paprekura do të përfundonte edhe pjesa e parë e këtij takimi.

Në pjesën e dytë “Perendori” arrin të korrigjojë gabimin e penalltisë, duke arritur të shënojë në minutën e 75-të. Avantazhi i vendasve nuk do të zgjaste shumë, pasi është Rosi që barazon shifrat në minutën e 79-të. Rezultati 1-1 do të mbetej në fuqi deri në përfundimin e kohës së rregullt.

Koha shtesë do të rezultonte vendimtare për fatin e takimit, pasi është Interi që arrin të shënojë dy herë. Në minutën e 100-të është Esteban Kambiaso që kalon Interin në avantazh. Katër minuta më vonë Ibrahimoviç shënon golin e tretë për kampionët e Italisë.

Kjo fitore e kalon Interin në turin tjetër me meritë, por duhet të themi se qendresa e Xhenoas ishte mjaft e fortë, kujtojmë që luajti që nga minuta e 20-të me 10 futbollistë.

Në përfundim të takimit tekniku Murinjo është shprehur i kënaqur nga loja e djemve të tij, veçanërisht nga Adriano. “Nuk është e rëndësishme që gaboi nga penalltia, -shprehet tekniku për Adrianon në Rai Sport. Nëse Adriano punon në këtë mënyrë, atëherë humbja e penalltisë nuk është asgjë. Ajo që nuk shoh dot tek ai janë kilot e tepërta.”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›