E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Interpol megaoperacion në Amerikën Latine. Mbi 14 mijë të arrestuar, 5.7 mld dollarë drogë e sekuestruar

Një megaoperacion që ka çuar në pranga 14,260 persona është zhvilluar në Amerikën Latine. Interpol në bashkëpunim me policinë e 15 vendeve të Amerikës Latine zhvilluan operacionin “Trigger IX” duke sekuestruar kokainë dhe drogë me vlerë 5.7 miliardë dollarë.

Operacioni zgjati tre javë, ku forcat e policisë nga Meksika në veri deri në Argjentinë u përfshinë në shkëmbimin e informacionit nën koordinimin e Interpol.

Interpol konfiskoi gjithashtu më shumë se 8,000 armë zjarri ilegale, që përdoreshin për vrasje e vjedhje nga bandat kriminale.

Përpjekja ndërkombëtare kishte për qëllim kryesisht luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit të paligjshme.

“Autoritetet në Amerikën Qendrore dhe Jugore kanë sekuestruar rreth 8,263 armë zjarri ilegale, si dhe 305,000 fishekë municionesh. Municionet përdoreshin nga kriminelët për të kryer grabitje me armë dhe vrasje. U sekuestruan edhe 203 ton kokainë dhe droga të tjera së bashku me vlerë rreth 5.7 miliardë dollarë”, thuhet në njoftimin e Interpol.

Interpoli ka paralajmëruar prej kohësh se kontrabanda e armëve forcon fuqinë e bandave dhe nxit më tej aktivitetet e tyre kriminale.

“Fakti që një operacion që synonte armët e zjarrit të paligjshme rezultoi në konfiskime kaq masive droge është një provë tjetër, nëse është e nevojshme, se këto krime janë të ndërthurura,” tha Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Jürgen Stock .

Bandat kriminale në Meksikë, Amerikën Qendrore dhe Jugore janë gjithnjë e më shumë të armatosura mirë dhe policia lokale shpesh e gjen veten të paarmatosur dhe të mbizotëruar kur përballet me ta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›