E Enjte, 5 Nëntor 2026

Intervista e plotë e Presidentit Meta, për emisionin “Përballë”, të gazetarit Lutfi Dervishi në RTSH1- HD

Gazetari (Lutfi Dervishi): Përshëndetje! Mirë se erdhët në përballë! 30 vite më parë studentët në Tiranë nisën protestat kundër regjimit të fundit në Evropë me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”! 30 vite më pas vendi është ende në dyert e Bashkimit Evropian, ndërsa një ndër çdo tre shqiptarë gjatë këtyre tre dekadave ka vendosur që të bëhet evropian duke shkuar për të punuar dhe jetuar në Italia, Gjermani, Britaninë e Madhe, Greqi, e gjetkë. Ëndrrës evropiane më pas iu bashkangjit edhe ëndrra amerikane. Rregullisht rreth një milion shqiptarë aplikojnë çdo vit me dëshirën për të punuar dhe jetuar në tokën e premtuar. Në fillim të viteve ’90-të të ikurit quheshin emigrantë, ndërsa sot quhen azilantë.

Çfarë e bën trishtues këtë përvjetor është fakti se vendet fqinje në rajon, që në vitet ’90-të ishin në luftë, sot ose janë anëtarë të Bashkimit Evropian, ose po negociojnë kapitujt e fundit përpara se të bëhen anëtarë me të drejta të plota. Shqiptarët kanë ikur rregullisht gjatë këtyre tridhjetë viteve. Një pjesë e vogël janë kthyer. Vendi ka ndryshuar shumë, por ajo që ka ndryshuar pak, ose aspak, është elita politike.

Sonte në “Përballë” do të flasim me një ish-student të Dhjetorit, ëndrra e të cilit ishte të bëhej pedagog, por që më pas u bë kryetari më i ri i shtetit i periudhës së tranzicionit. Në këtë përkujtimi të kësaj ngjarjeje – ngjarjes më të madhe të historisë së këtij tranzicioni tridhjetëvjeçar, – do të flasim jo vetëm për sfidat ku ndodhet vendi gjatë pandemisë dhe katër muaj përpara zgjedhjeve, por edhe për raportet e shtetit të dytë të shqiptarëve në rajon dhe për çështje të tjera të ditës.

I ftuar në “Përballë” sonte është Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Zoti President, kënaqësi që jeni sonte në Televizionin Publik Shqiptar!

Presidenti Meta: Faleminderit edhe nga ana ju që më zgjodhët mua për sonte, në këtë ditë shumë të rëndësishme për të gjithë popullin tonë!

Pyetje: Kjo ditë për ju është ditë feste, reflektimi apo ditë trishtimi për gjendjen ku jemi?

Presidenti Meta: Ju i përmblodhët të gjitha bashkë. Është ditë feste, sepse tridhjetë vite më parë ka ndodhur një zgjim historik vetëm falë atij guximi të studentëve të Dhjetorit që vrau frikën dhe për herë të parë bëri që në Shqipëri pas kaq dekadash të shpërthejnë nga gjokset rinore thirrjet “Liri-Demokraci!” dhe e “Duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”, njëherazi e pamenduar më parë për gjenerata të tëra.

Sigurisht që është edhe trishtim po të kemi parasysh një bilanc tridhjetëvjeçar, që është zhgënjyes në shumë aspekte. Besoj se këtë s’e kemi pritur të gjithë tridhjetë vite më parë kur nisi ajo epokë e re aq frymëzuese dhe me aq shumë të papritura. Pra pas tridhjetë vitesh, siç e përmendët edhe ju, nuk jemi aty ku duhet të ishim.

Pyetje: Çfarë shkoi keq?

Presidenti Meta: Në raport me integrimin evropian, me zhvillimin e vendit, me shtetin ligjor, me pozicionin e Shqipërisë në rajon. Çfarë shkoi keq? Ka qenë një proces ulje-ngritjesh, por ajo që na ka dëmtuar më shumë është braktisja nga shumë prej politikanëve e atyre idealeve të Dhjetorit për demokracinë, për lirinë, për të drejtat e njeriut. Sidomos mosbërja e atyre sakrificave që duhet të bëjë çdo politikan për një çështje të madhe: për të ardhmen evropiane të vendit. Dhe sakrifikimi herë pas herë i këtyre prioriteteve të mëdha për çështje të egoizimit dhe interesave afatshkurtra personale apo partiake na ka sjellë këtu ku jemi, sepse po të shikojmë kurbën e tridhjetë viteve Shqipëria ka pasur momente të shkëlqyera. Pastaj kemi pasur kriza si 1996 që na ka ulur shumë poshtë. Pastaj e kemi rimarrë përsëri veten pas 1997-s, pas Kushtetutës, etj., pastaj prapë kemi momente kur kemi qenë shumë përpara Serbisë, Malit të Zi në proceset e integrimit evropian. Pavarësisht nga vonesat që i kemi krijuar vetes, Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit e kemi firmosur në 2006-n para tyre. Tani ata, Mali i Zi ka tetë vitë që i ka hapur të gjithë kapitujt. Ne ende e kemi të mbyllur perspektivën e çeljes së negociatave për këtë vit për interesa përsëri të ngushta këtu. Serbia ka gjashtë vite që ka çelur negociatat. Ne jemi populli më proevropian, sepse nuk kemi pasur dhe s’kemi alternativë tjetër.

Pyetje: Nuk kemi plan B.

Presidenti Meta: S’kemi plan B dhe nuk kemi pse të kemi. Sepse kishim planin koreanoverior që e provuam dyzet vjet dhe e dimë se ç’ndodhi. Kështu që nuk ka asnjë arsye për të qenë krenarë sot.

Pyetje: Sa përgjegjës e gjeni ju veten, personalisht, si pjesë e elitës politike nga vitet ’90-të, për faktin që vendi është mund të themi në vagonat e fundit përpara stacionit të BE-së?

Presidenti Meta: Që të jem shumë i sinqertë me ju: Në tridhjetë vite kam shumë arsye për të qenë reflektues ndaj shumë gjërave që vetë mund t’i kisha bërë më mirë, sepse në fund të fundit ne erdhëm në jetën politike nga Lëvizja Studentore. Unë u bëra edhe deputet që kur isha student. Pra nuk erdhëm nga një shkollë politike apo një traditë e caktuar.

Ajo që jam sot krenar për veten time si një ish-student i Dhjetorit jam për këto gjëra: Që në tridhjetë vjet Shqipëria në asnjë sekondë nuk është vonuar në procesin e integrimit evropian për shkak të Ilir Metës!

Në të gjitha pozicionet që Ilir Meta ka pasur, edhe kur ka qenë në opozitë, edhe kur ka qenë në qeveri, Ilir Meta ka dhënë gjithmonë zgjidhje politike për të zhbllokuar çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë, duke dhënë dorëheqjen edhe nga kryeministër, edhe nga zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, duke krijuar edhe një forcë politike për të ndihmuar rotacionin dhe zhbllokimin e integrimit evropian në Shqipëri, duke bërë edhe një koalicion me Sali Berishën si në 2009-n që ndihmoi për liberalizimin e vizave, duke bërë edhe një koalicion të sforcuar edhe me Edi Ramën para 2013-s, vetëm me një kusht: Që të zhbllokoheshin tre ligjet që bllokonin procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Pra në aspektin e integrimit evropian nuk mendoj se ka një politikan që do të ishte më i qetë se sa unë në raport me vendimet, por kjo nuk mjafton.

Pyetje: Mirë, por në qoftë se do të vemë emrat se kush gaboi, ju nuk keni gabuar. Kush gaboi?

Presidenti Meta: Ju më pyetët mua. Gabojnë të gjithë ata, të cilët për pushtetin personal e kanë vonuar procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Përse jemi vonuar kaq shumë ne? Si na arriti Serbia dhe Mali i Zi që s’ishin asgjëkundi në procesin e Asociim-Stabilizimit në 2001-n apo jo? Dhe jo vetëm na arritën, por edhe na kaluan. Shikoni ku janë ata dhe ku jemi ne! Pse? Sepse vazhdimisht politikanë të caktuar kanë emra. Sot ne kemi një kryeministër, i cili po bllokon procesin e integrimit evropian në mënyrë të qëllimshme, i cili shkeli Marrëveshjen e 5 Qershorit në mënyrë të qëllimshme, i cili kërkon të vërë dorë mbi zgjedhjet e ardhshme në mënyrë të qëllimshme, edhe pse e di që kjo ka pasoja fatale për t’i shtyrë negociatat jo deri në prill 2025, por edhe më tej, sepse nuk është ky prioriteti i tij, për fat të keq! Mua më vjen shumë keq, sepse ai përfaqëson një forcë, e cila në të kaluarën ka pasur kontributet e veta në demokratizimin e vendit, në shumë elemente pozitive. Këtu jemi apo s’jemi këtu?

Pyetje: Mirë, nëse shikojmë të gjitha vendet e rajonit…

Presidenti Meta: Më falni, kemi edhe një problem tjetër në tridhjetë vjet! Dhe tani na duhet një “Restart”, sepse kemi thënë “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”! Sepse kemi qenë pa përvojë, dhe kemi pritur edhe të tjerët që të na e bëjnë, dhe kemi menduar se të tjerët do ta duan Shqipërinë edhe më shumë se sa ne. Kjo është një histori që duhet mbyllur, Duhet ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Evropa.

Pyetje: Po në qoftë se s’e bëjmë, do dalim prapë sot në rrugë të protestojmë?

Presidenti Meta: Për mua dy janë elementet themelore në tridhjetë vjet që i nxjerr unë si një konkluzion, se ka shumë arsye, dy janë elementet thelbësore: E para, zgjedhjet të lira e të ndershme dhe shenjtëria e votës. Kjo është themelore, vendimtare. Dhe vetë kriza që ka sot Shqipëria në çdo aspekt është kriza e legjitimitetit.

Dhe e dyta, është Kushtetuta. Ne jemi këtu ku jemi, sepse ne nuk treguam respekt për Kushtetutën. Sepse ne Kushtetutën që u bë me aq sakrifica në 1998-n, në një proces aq gjithëpërfshirës, të përgjegjshëm, pikërisht që të mos ktheheshim më te 1997-ta, ne atë e goditëm herë pa here, natën, ditën, me ç’patëm mundësi për interesa të momentit dhe deformuam të gjithë mekanizmat e kontrollit dhe të balancës në një shoqëri demokratike. Goditëm shtetin, prandaj jemi në këtë situatë sot: Në një shtet jofunksional.

Këta janë dy elementet thelbësore për mua për të ardhmen e Shqipërisë. Këta do të sigurojnë çdo gjë: Që nga çështja e drejtësisë, e shëndetësisë, e ekonomisë, etj. Këta janë vendimtare, sepse kanë të bëjnë me sistemin e llogaridhënies dhe të sigurisë.

Pyetje: Ju përmendetët dy çështjet kryesore që duhet një “restart”, një rifillim nga e para.

Presidenti Meta: Vlerësim im pas tridhjetë vitesh.

Pyetje: Zgjedhjet dhe Kushtetuta. Në qoftë se dikush do t’ju thotë: Më falni, por çfarë keni bërë tridhjetë që pas tridhjetë vitesh do merreni me zgjedhjet?

Presidenti Meta: Bëmë eksperimente. Bëmë luftë politike dhe harruam që koha rrjedh dhe që të rinjtë nuk durojnë dot gjatë. Ndaj tani jemi në atë momentin e fundit kur “restart-i” apo një rizgjim i demokracisë është edhe një apel për të ndaluar shpopullimin, për të shpëtuar edhe të ardhmen e popullit e të kombit, sepse jemi një vend që rrezikohemi, sepse jemi një vend i vogël, një vend në një rajon ku fryjnë gjithmonë shumë erëra, dhe në qoftë se nuk do të qëndrojmë në këto momente të bashkuar, nuk do t’i mbajmë të rinjtë këtu, nuk do t’u japim shpresë, perspektivë, jemi të kërcënuar në shumë aspekte edhe në planin kombëtar në të ardhmen.

Pyetje: Ju vetë keni deputet 21 vjeç, ministër ndoshta 25-26, kryeministër 30 vjeç, kryetar i Parlamentit 40 vjeç, President 48 vjeç dhe nuk ka besoj njeri, që mund të japë një përgjigje më të mirë për pyetjen: Çfarë ka Shqipëria që është i vetmi vend në kontinentin evropian që nuk bën dot zgjedhje të pranuara? Dhe flas për disa zgjedhje.

Presidenti Meta: Është mungesa e vullnetit për të pranuar demokracinë dhe votën e lirë. Është një diçka që do të ndryshojë dhe do të ndryshojë se sçbën më 25 prill me hir e me pahir.

Pyetje: Në qoftë se ne flasim se 25 prilli do t’i ndryshojë gjërat, cilat janë garancitë që këto zgjedhje do të jenë të pakontestuar dhe rezultati do të pranohet?

Presidenti Meta: Unë këtë garanci nuk mund t’jua jap dot, por ajo që unë ju jap si garanci është se unë do të bëj çdo gjë që populli shqiptar ta kuptojë se është një mision patriotik marrja pjesë në zgjedhjet e 25 prillit.

Këtu ka arritur fundi i legjitimitetit të çdo gjëje. Këtu nuk ekziston më sistemi llogaridhënës në një shtet. Do të ishte më mirë të thonim se jemi një shtet njëpartiak se në të kaluarën vërtet kishte një parti, por kishte disa rregulla, merreshin disa vendime kështu gjoja si kolegjiale. Këtu kulmi i arbitraritetit është jashtë çdo fantazie. Kështu që tani qytetarët tanë duhet të kuptojnë se pa pjesëmarrje nuk ka askush të drejtë të kërkojë llogari nesër. Dhe askush nuk mund të justifikohet me atë përgjumjen e tij, me atë pafuqishmërinë e tij përballë një sistemi tiranik, që është krijuar qëllimisht për t’i bërë njerëzit të ndihen të dobët dhe për t’i bërë ata të ndihen gjithmonë të varur e të nënshtruar. Unë besoj se ka arritur fundin e fundit, nuk ka më tej.

Pyetje: Ju përmendët sistem tiranik, e përdorët si metaforë apo në kuptimin…?

Presidenti Meta: Tiranik, po! Frikësues. Sistem frikësues që bazohet mbi frikën ndaj pushtetit dhe jo mbi besimin e njerëzve për atë që pushteti bën për ta dhe që u jep atyre në jetën e përditshme.

Pyetje: Një bashkëstudent i Dhjetorit dhe kolegu juaj për shumë vite, Pandeli Majko, në momentin që jeni zgjedhur President i Republikës, ka thënë se Ilir Meta do të jetë presidenti më i mirë që do të ketë Shqipëria.

Në kompetencat kushtetuese është që roli juaj unifikues dhe pozicioni neutral, pozicion që nuk e keni më dhe kë fajësoni për këtë dalje tuajën nga le të themi “kostumi presidencial”?

Presidenti Meta: Unë nuk kam dalë nga “kostumi presidencial” për arsye se duhet të kemi një koncept më të plotë për rolin e Presidentit. Ai koncept për të cilin flisni ju është për një vend që ka një parlament normal, që ka një opozitë normale, që ka Gjykatë Kushtetuese, që ka Gjykatë të Lartë, që ka drejtësi.

Pyetje: Por këto kanë qenë në momentin që u zgjodhët President.

Presidenti Meta: Po, po, kanë qenë të gjitha! Po, po, patjetër që kanë qenë! Në 2017-n të gjitha kanë qenë patjetër! Dosjet e Shijakut, dosjet e Dibrës kanë qenë, të gjitha aty kanë qenë!

Ky është një proces tashmë shumë i qartë dhe unë kam bërë çdo gjë që Shqipëria kurrë të mos jetë në këtë situatë. Kam bërë çdo gjë që Reforma në Drejtësi të zbatohej nën frymën e konsensusit, siç u miratua kur isha unë Kryetar i Kuvendit. Kam bërë çdo gjë që Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm të mos zgjidhej me 69 vota, që ndodhi ajo që ndodhi dhe që kemi këtë sistem, që sot nuk funksionon më. Kjo është e vërteta. Kam bërë çdo gjë që Shqipëria të ketë Gjykatë Kushtetuese në kohë. Katër vjet përpjekje! Janë të dokumentuara me frymë bashkëpunimi me Parlamentin, por ata kanë bërë çdo gjë që të kapin gjithçka.

Kështu që më thoni se çfarë mund të bëja unë më shumë?! Ju doni President, që të shikojë punët e veta? Që të mbyllë gojën? Që të shkojë të bëjë pazare me qeverinë për të bërë qoka për vete apo për miqtë e tij apo ku di unë, ndërkohë që vendi është në këtë situatë kaq të rëndë dhe dramatike? Unë këtë gjë nuk mund t’ia lejoj vetes. Kur i ka munguar bashkëpunimi Kryeministrit apo qeverisë me Presidentin? Më thoni një rast? Kur? Kur i kërkova për zgjedhjet vendore që të bënim zgjedhje gjithëpërfshirëse? Dhe i prisja këtu e nuk më erdhën? Që donin t’i bënin zgjedhjet siç i bënë? Me 100% të pushtetit lokal si në kohën e këshillave popullore? Që edhe atëherë kishte seriozitet se kishte më shumë përgjegjshmëri. 

Pyetje: Demokracia është një tango që kërcehet dyshe: Është pushteti, por është edhe opozita në sens.

Presidenti Meta: Unë kam folur për problemet e opozitës, por nuk mund të vazhdoj prapë.

Pyetje: Opozita nuk e qeveris vendin.

Presidenti Meta: Nuk mund të vazhdoj prapë të fajësoj opozitën. Unë e fajësoj opozitën pse e ka lënë fushën bosh. Sepse është provokuar, se në demokraci nuk lihet asnjë milimetër territor. Në demokraci do të luftosh çdo ditë, do të përpiqesh çdo ditë. Nuk ka në demokraci të presësh nga tjetri që të japë ato që duhet t’i kërkosh vetë dhe që duhet t’i fitosh vetë.

Por ama nuk i themi dot opozitës se e shkeli opozita Marrëveshjen e 5 Qershorit, Përkundrazi. Nuk i themi dot opozitës se opozita nuk dëgjon Parlamentin Evropian apo Komisionin e Venecias? Çfarë po e pengon opozita këtë qeveri? Ka dy vjet që ka 100% të pushtetit apo jo? Parlamentin,…

Pyetje: Zoti President, kjo është akuza, që e ka lënë krahun e lirë, se këto që thoni janë krejt të vërteta, por opozita…

Presidenti Meta: Nuk është thjesht se e ka lënë të lirë, por problemi kryesor është përpjekja për të uzurpuar të gjitha pushtetet në mënyrë jo kushtetuese, në mënyrë të pamoralshme, në mënyrë shantazhuese, në mënyrë të pandershme. Dhe kjo në fund fare është kosto e qytetarëve, sepse nëse do ta kishte marrë 100% pushtetin, do ta kishte përdorur për qytetarët, për njerëzit, për popullin, për shëndetësinë, për pandeminë, për të gjitha këto, “OK”, hajde, prapë situata do të kishte qenë më e pranushme, por ne shohim se qëllimi ka qenë keqpërdorimi i pushtetit!

Pyetje: Meqë jemi në Ditën e festës së Rinisë, 30-vjetori i kujtimit të Lëvizjes Studentore, nëse shohim vendet e rajonit në këto tridhjetë vite, kudo ka pasur qarkullim të elitave politike, me përjashtim të Shqipërisë. Përse është kjo karakteristikë e tranzicionit shqiptar që elita politike nuk ndryshon?

Presidenti Meta: Këtu nuk është se s’ka pasur ndonjë ndryshim, sepse po të shohim kemi pasur udhëheqësa siç ka qenë Nano apo Berisha, të cilët sot nuk janë më, në kuptimin e institucioneve. Dhe kemi menduar dikur se ndoshta kur këta të mos jenë, do të jetë pak më mirë Shqipëria, por për fat të keq shohim se, edhe pas kaq kohësh, vendi nuk ka lidership, ose nuk ka lidershipin e duhur, përgjegjshmërinë e duhur.

Kuptohet se këtu është vrarë demokracia përfaqësuese dhe parlamentare. Këtë e vranë ndryshimet kushtetuese të 2008-s, sepse ato shkatërruan parlamentarizmin, pra kaluam nga një sistem ku partitë ishin të detyruara dhe të dilnin me deputetë që votoheshin nga populli, në këto listat e mbyllura, shohim pastaj pasoja në dymbëdhjetë vite se si deputetët ngrenë kartonin kundër Kushtetutës, për gjithë këto PPP, për gjëra që nuk i kemi mendur kurrë më përpara që mund të ndodhin.

Dhe unë prandaj them se duhet të kalojmë tani në një epokë tjetër: Në atë të referendumit. Në atë që u bllokua që nga 1998-ta e deri tani, sepse populli e vendosi që po të donte, shprehej edhe me referendum vetë, por ata bënë një ligj si të mos bëhej referendumi. Vetëm ajo mund ta sjellë dhe do ta sjellë situatën aty ku duhet në mënyrë që politika t’i nënshtrohet qytetarëve, jo qytetarët t’i nënshtrohen politikës.

Kjo është beteja më e madhe dhe unë e kam shpallur këtë betejë. Kjo është e vetmja rrugë që shpëton Shqipërinë. Nuk e shpëton as Ilir Meta, as Lulzim Basha, as Lutfi Dervishi, as njeri, fare, fare! As sot, as nesër!

Do ta shpëtojë marrja përsipër e përgjegjësive të vetë qytetarëve, sepse nuk do të guxonte kush të miratonte këto ligje të çmendura PPP në rast se do të hidhej ligji në referendum të popullit, sepse çdo qeveri do të rrëzohej në rast se ai ligj do të rrëzohej nga referendumi.

Kështu që ky është momenti dhe kjo është rruga që shpëton Shqipërinë. Të mos presin në Shqipëri udhëheqës shpëtimtarë, sepse kemi krijuar përralla të tilla dhe zhgënjimi është i frikshëm! Duhet t’u japim fuqi qytetarëve! Ata vetë duhet të ndërgjegjësohen se ata e kanë në dorë të ardhmen e tyre, të fëmijëve të tyre dhe duhet të marrin përgjegjësitë e tyre! Nuk mund të presin më nga askush, përfshirë edhe nga Ilir Meta. Ilir Meta është i gatshëm, siç ka qenë gjithmonë, t’i nënshtrohet vullnetit të popullit në çdo moment, në çdo rast, për gjithçka.

Pyetje: Sa pajtoheni ju, nuk e di nëse do të perifrazojë një thënie të Faik Konicës që: “Shqipërinë e bëri Zoti, e shpëtoi rastësi, dhe e varrosën politikanët”? 

Presidenti Meta: Mendoj se kush fiton me poshtërsi, nuk qeveris dot me drejtësi.            

Shqipëria ka nevojë për të nxjerr në pah vlerat e saj më të mira,  që i nxjerr gjithmonë në momentet më të vështira, për fat të keq. 

Sepse në momente të lira ne e lemë kohën të rrjedhi, të humbas edhe dobësohemi si faktor. Ndërkohë të mos harrojmë që jemi në një periudhë gjithmonë rivalitetesh dhe kuptohet që jo të gjithë kanë qenë të lumtur nga një shpërthim pozitiv i Shqipërisë, i shqiptarëve, i Kosovës në planin ndërkombëtarë. Të tjerët punuan më me mençuri dhe për të na përçarë, dhe për të na defaktorizuar, dhe për të na futur në konflikte të brendshme të cilat na shterojnë energjitë në një mënyrë të paanshme, dhe të pajustifikueshme.

Tani është koha për të parë interesin tonë kombëtar për të fshirë një herë e mirë këtë farë të përçarjes dhe të papërgjegjshmërisë, të shkeljes së interesave kombëtare dhe të përpjekjes për ta nxjerrë Shqipërinë nga rruga evropiane. 

Pyetje: Zoti President pak më përpara shkëputjes ju thatë që është kohë për të përcaktuar dhe për t’iu përqendruar fort interesit kombëtar, nëse ne mund ta definojmë. Çfarë është interesi kombëtar? 

Presidenti Meta: Interesi kombëtar është zgjedhje të lira dhe të ndershme në 25 prill, rikthimi i legjitimitetit në të gjithë institucionet  të vendit, dhe çelja e negociatave me Bashkimin Evropian, ky është interesi i të gjithë shqiptarëve. 

Pyetje: Kur folët dhe thatë që të tjerë kanë punuar kundër Shqipërisë ose kanë nxitur që të kenë ….

Presidenti Meta: Zotëri, të tjerët punojnë për veten e tyre, për vendet e tyre tani kjo është edhe çështje rivalitetesh, edhe gjeo-politike, edhe ekonomike dhe përpjekje për të rifituara betejat e humbura.

Problemi ynë nuk është tek të tjerët, problemi ynë është te vetja jonë. 

Ne të tjerët na kanë dobësuar përmes përçarjes që na kanë nxitur në mënyrë artificiale brenda vendit.

Pyetje: Kur flisni tek vetja jonë ka një karakteristikë të veçantë le të themi komunikimi i liderëve politikë në Shqipëri, dhe në qoftë se mund të flasim për një emërues të përbashkët është pak a shumë marrëdhënie të shformuara mes politikanëve që në një farë mënyre i keni thënë fjalën e fundit njëri-tjetrit? 

Presidenti Meta: Për mua, është një marrëdhënie e shformuar me vendin nuk ka të bëj thjeshtë me raport retorik midis politikanëve. 

Politikanët kanë një raport me zgjedhjet, kanë një raport me kushtetutën, kanë një raport me interesin publik, kanë një raport me institucionet dhe këtu duhet parë se çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon. 

Ne tani e dimë të gjithë se kush është strumbullari i gjithë konflikteve në Shqipëri dhe i minimit të frymës dhe të dialogut, edhe të respektimit të institucioneve, edhe i bashkëjetesës, edhe i zgjedhjeve të lira dhe të ndeshmë, edhe i mediave të lira, edhe i konkurrencës në biznes, nuk besojë që tani ka më ndonjë iluzion. 

A ka edhe të tjerë që kanë probleme? 

Patjetër që ka edhe të tjerë që kanë probleme, por strumbullari është shumë i qartë. 

Pyetje: Dy ditë më parë ju, me një adresim publik i keni kërkuar qeverisë marrjen  e masave të menjëhershme që kjo situatë të mos përsëritet. Dhe në fakt kalojmë tek pjesa e pandemisë, përballimi i pandemisë. Duke iu referuar gjendjeve të spitaleve të Tiranës dhe pritjes së pacientëve nëpër autoambulanca.

Çfarë prisni pas kësaj thirrje, çfarë duhet të bëj qeveria që nuk e ka bërë në këtë situatë? 

Presidenti Meta: Së pari, qeveria ka pasur shumë kohë për të bërë politika edhe për të marrë shumë masa, të cilat nuk do të na kishin sjellë në këtë situatë. Por qeveria kaloi në eufori mbas përfundimit të valës së parë, të cilën e festoi me prishjen e Teatrit Kombëtar në kushtet e pandemisë.

Nuk u përgatit për valën e dytë, sepse i ka pasur të gjitha mundësitë, i ka pasur të gjitha sugjerimet, i ka pasur rekomandimet edhe të organizatave ndërkombëtare, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Edhe këtu brenda vendit, të ekspertëve, të opozitës, të Presidentit të të gjithëve dhe jemi në një situatë që nuk mund të krahasohemi me asnjë tjetër, për sa mbështesim këtë betejë kundër pandemisë në pikëpamjet e shëndetit publik.

Por, edhe në pikëpamje të biznesit i cili po vuan pasojat e kësaj pandemie, e sidomos biznesi i vogël, i mesmë e kështu me radhë, faktet janë konkrete. 

Megjithatë, jemi në një situatë të rënduar dhe për mua është e rëndësishme të përmirësohet mekanizmi reagues, të ndihmohen sa më shumë njerëzit. 

Të rriten kapacitet pritës për qytetarët që janë në gjendje të rëndë.

Të përmirësohen më tej kushtet në spitalet tona. 

Të rritet transparenca. 

Transparenca është e rëndësishme për të informuar publikun në kohë, por njëkohësisht edhe për të rritur besimin e publikut se sistemi ynë shëndetësor.

Të konsolidohen protokollet dhe sidomos për ata që mjekohen në shtëpi, dhe të mbështeten dhe të ndihmohen sepse është e qartë që kemi të bëjmë me një virus të pabesë, i cili kërkon një ndjekje shumë të kujdesshme. 

Sepse për një ditë, për dy ditë, situata mund të precipitojë në një mënyrë të pakthyeshme.

Kërkon një alert të përgjithshëm të sistemit shëndetësor dhe një frymë bashkëpunimi, jo një arrogancë e cila vendos mbi profesionalizmin edhe që kërkon të mbysë çdo kritik, apo çdo shqetësim. 

Edhe në qoftë se ka shqetësime që janë të tepërta prapë le të merren në konsideratë, sepse kemi të bëjmë me njerëz, me vuajtje, me shqetësime, me probleme të mëdha, kjo kërkon një frymë më të gjerë mirëkuptimi edhe humanizmi. 

Pyetje: Pra kemi komitetin teknik të ekspertëve, opozita ka një komitet të vetin, Ju keni mbledhur një komitet ekspertësh. Çfarë mesazhesh japim le të themi kur kemi tre komitete që këshillojnë për pandeminë? 

Presidenti Meta: Nuk mendoj se kemi se kemi tre komitete, këto janë shpikje të Kryeministrit. 

Ka një komitet që është Komiteti i Ekspertëve të qeveris, i cili për mendimin tim e kam thënë që përpara, duhet të ishte më i pavarur dhe më profesional. 

Megjithatë, përsëri nuk ka asnjë shqetësim në këtë drejtim, por që duhet të jetë shumë publik, më koherent, më informues, më bashkëpunues, se duket që shpesh është nën diktat politik. Dhe sigurisht që kemi ekspertë të ndryshëm të opozitës, apo të opinionit publik që japin mendimet e tyre nëpër forumet e ndryshme dhe, këtu nuk ka asgjë negative.

Unë kam pasur mendimin tim që në fillim që në këtë komitet të përfshiheshin dhe përfaqësues nga opozita, sepse opozita ka mjekë shumë të shquar të këtyre fushave. 

Do të kishte qenë më mirë, edhe për opinionin publik, edhe për situatën politike apo jo, në vend! Do të kishte qenë shumë më mirë në qoftë se do të kishim pasur një trup më të unifikuar, kuptohet pranë qeverisë.

Po kjo gjë nuk u ndoq dhe natyrisht që nuk mund të ndalohen debatet dhe aq më tepër që situata ka ardhur duke u përkeqësuar. 

Pyetje: Kur flasim për mjek, mjeku është mjek në çfarë do lloj rrethane pavarësisht etiketave politike. 

Por, ekspertët janë të fushës kryesisht të mjekësisë dhe vendimet i merr ekzekutivi. 

Ju çfarë dallimesh shikoni?  

Presidenti Meta: Ekzekutivi duhet të marr në këtë rast vendime bazuar mbi propozimet e ekspertëve, jo ekspertët të marrin vendime mbi sugjerimet e ekzekutivit, sepse janë ata përgjegjës dhe kompetent për përballimin e kësaj pandemie. 

Pyetje: Dakord, ata janë mjekë dhe kanë vetëm shëndetin. 

Presidenti Meta: Po, patjetër. Qeveria në bazë të kërkesave të tyre, në bazë të protokolleve të tyre, duhet të ndërtojë buxhetin apo mbështetjen, të bëjë rialokime në buxhetin e shtetit, e gjithçka tjetër për të mbështetur ata. Jo mjekët të bëjnë ato gjëra që thotë qeveria në fushën e shëndetësisë, kjo është jashtë çdo standardi demokratik, njerëzor, human.

Pyetje: Atëherë, ka diçka që nuk shkon në konstrukt. Sepse Komiteti Teknik janë vetëm mjekë, dhe mjekët kanë parasysh vetëm ekspertizën e tyre në fushën e shëndetit. Por, për ta balancuar me ekonominë,  apo me shqetësime të tjera ose duhen ekspertë të tjerë ose duhet vendimmarrësit, që të bëjnë ekuilibrin.

Presidenti Meta: Kjo është çështje e vullnetit politik. Sepse çështja e buxhetit, është një çështje  rregulluese e manovrueshme nga ana e vetë qeverisë. 

E rëndësishme është për pandeminë çdo gjë që duhet, për protokollet, për fuqizimin e kapaciteteve spitalore, duhet bërë çdo gjë siç thonë mjekët. Pastaj të tjerat se ku do të shtohet pak borxhi, apo se ku do hiqen disa shpenzime,  do shtohen disa te tjera. Ky është prioriteti i parë, derisa biem dakord që jeta e njerëzve është e para, kjo është e parë dhe kjo duhet lënë mjekëve, ekspertëve. Nuk duhet vënë ata në pozitën që kaq kemi dhe zgjidheni si të doni. 

Pyetje: Ju jeni njohur me strategjinë që ka përgatitur Ministria e Shëndetësisë ditët e para të pandemisë. Çfarë sugjerimesh keni pasur  në lidhje me këtë strategji?

Presidenti Meta: Ne i kemi bërë këto dhe publike, jemi shumë të vonuar në krijimin e kapaciteteve të duhura, po kështu disa pajisje duheshin të ishin marrë prej kohësh mungojnë. 

Mund të ishte bërë një orientim dhe duhet bërë për përdorimin shumë më i mirë i antiviraleve dhe për rekomandim e tyre, për ata që janë në kushtet e shtëpisë, përveç atyre që mjekohen nëpër spitale. 

Duhet të ishin forcuar kapacitetet me reanimatorë më shumë, ka pasur shumë gjëra që mund, por edhe përsëri mund të bëhen sepse situata kritike do të vazhdojë, dhe mesa duket do të rëndohet për shkak edhe  të temperaturave. Gjithmonë ka mundësi për të bërë, në rast se dëshiron të jesh realist edhe i përgjegjshëm.

Pyetje: Ndodhemi përpara zgjedhjeve dhe ju e thatë, që mesa duket situata do të vijë duke u rënduara. Është dimri i dyti i pandemisë, ose dimri më i vështirë. Sa mendoni se do ndikojë pandemia në jetën politike, ku takimet elektorale janë të kufizuara tashmë de facto. Por, me përkeqësimin e gjendjes sa është e përgatitur Shqipëria? Në informacionet që ju keni, që të zhvillojë zgjedhjet në kushtet  e pandemisë.

Presidenti Meta: Shqipëria këtë e ka çështje të vullnetit politik. Edhe pa pandeminë, ne kemi shkëlqyer në çështjen e prishjes së zgjedhjeve apo shkatërrimin e zgjedhjeve, nuk është kjo çështja kryesore. Ashtu si Maqedonia e Veriut, apo vende të tjera kanë treguar në kushtet e pandemisë, apo edhe Kosova që kanë organizuar zgjedhje shumë normale. Nuk është kjo, kjo është çështje e vullnetit politik, është çështje e heqjes dorë nga përpjekjet për të manipuluar vullnetin e qytetarëve. 

Është koha tani për të parë shëndetin e qytetarëve, jo për të menduar thjesht për votat se si do të merren në 25 prill. 

Kjo është një çështje që duhet ta vendosin vetë të gjithë qytetarët shqiptarë me pjesëmarrjen e tyre në atë datë. E keqja është se ne jemi në këtë situatë edhe për pandeminë, sepse gjithë këto 6-7 muaj,  në vend që të mendonin për pandeminë dhe për valën e dytë prapë mendonin për manipulimin e 25 prillit, për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit dhe për të bërë këto hilet, që janë bërë fare bajate  të neveritshme, për trukime zgjedhjesh, ky është një problem një problem i madh. 

Unë shpresoj që të ketë një reflektim sa më të shpejt, të përqendrohemi te pandemia,  dhe kjo nuk është asnjë arsye për të dëmtuar demokracinë, përkundrazi…

Pyetje: Viti 2020, është viti i pandemisë. Por, në kuptimin kushtetues, ndoshta në 2020 në kemi pasur Gjykatën Kushtetuese më të mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Sepse kemi pasur Komisionin e Venecias dhe mosmarrëveshjet politike në Tiranë, kanë gjetur adresim te Komisioni i Venecias. Duke iu referuar 5 qershorit, 23 korrikut, çfarë komenti keni ju, për draft-opinionin e fundit të Komisionit të Venecias, lidhur me ankesën që dërguat?

Presidenti Meta: Ju, e dini që bashkëpunimi im si President, ka qenë shumë i mirë me Venecian, pavarësisht se unë, asnjëherë nuk e kam kërkuar Venecian për ndihmë. 

Për arsye se Kushtetutën tonë, Venecia e ka shkruar që në  vitin 2008.

Pyetje: Po, por ndryshimet nga viti 1998 e këtej e kanë tjetërsuar atë Kushtetutë, nuk është më ajo.

Presidenti Meta: E di, por edhe ndryshimet që bëmë ne me konsensus për Reformën në Drejtësi me Venecian i bëmë apo jo? Pavarësisht  se nuk u respektuan në zbatim, kam qenë shumë i qartë në raport me Venecian. Të tjerët kanë kërkuar Venecian si një alibi, si një kohë, apo si një mënyrë me shpresën se duke lobuar në Venecia, do imponon këtu gjëra të tjera. Në rastin aktual, unë prapë nuk kisha ndërmend ta kërkoja Venecian, por ma kërkoi opozita dhe e kisha si detyrim. Përderisa opozita ishte treguar luajale me Marrëveshjen e 5 Qershorit. Kishte kërkuar të dërgonte në ODIHR, prishjen e njëanshme qe u refuzua nga kryetarja e OSBE-së, kështu që e kisha dhe si detyrim se ma kërkoi dhe Partia Popullore Europiane, mbas miratimit të njëanshëm të ndryshimeve kushtetuese dhe të Kodit. Dhe si mënyrë reflektimi që, nuk është normale që mos të shkojmë në zgjedhje në mënyrë konsensuale,  siç kemi vuajtur 20 e ca vite në pluralizëm. Nuk jemi për tu krenuar këtu, për faktin që  Venecia është kthyer në një lloj Gjykate, se edhe  ajo nuk mund të themi se është një lloj Gjykate..! 

Pyetje: Venecia, si Gjykatë Kushtetuese dhe Strasburgu si Gjykatë e Lartë..!

Presidenti Meta: E di, po kjo është një tregues i falimentimit të shtetit ligjor dhe funksionimit të tij në vendin tonë. Gjykata e vërtetë do të jetë ajo e 25 prillit. 

Pyetje: Ajo është gjykatë politike..! 

Presidenti Meta: Ajo është gjykata e popullit, këtu kemi ardhur. 

Pyetje: Raporti i fundit i Komisionit të Venecias thotë, ka një gjë që e lënë për të zgjidhur aktorët  në Tiranë. Në fillim të legjislaturës, ashtu si dhe kur posti i kryeministrit është vakant, Presidenti i Republikës emëron kryeministrin me propozimin e partisë apo koalicionit, që ka shumicën parlamentare. Kjo është një lloj detyre, apo sugjerimi që Komisioni i Venecias thotë se duhet ta zgjidhin aktorët në Tiranë.

Presidenti Meta: Nuk mendoj se ky është problemi kryesor që ka Shqipëria. Problem janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme në 25 prill. Ky është problemi më i thjeshtë.

Pyetje: Që është në dorën tuaj?

Presidenti Meta: Atë e ka zgjidhur Kushtetuta, është që në Kushtetutën e vitit 1998.

Pyetje: Ata bëjnë një specifikim, ndërkohë që është  fshirë nga neni 86 i Kushtetutës termin koalicion, ai është ende në nenin 96/1 të Kushtetutës.

Presidenti Meta: Mendoj se këto janë teknikalitete të parëndësishme fare, s’kanë asnjë lidhje me zgjidhjen që do të vijë.

Pyetje: Dy ambasadorë në Tiranë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ambasadori Soreca, në mënyrë të përsëritur janë shprehur që vendi do të ketë, mund të ketë Gjykatën Kushtetuese në fund të këtij muaji, që ka qenë dhe një nga kushtet prioritare, që Shqipëria të merrte pjesë në Konferencën Ndërqeveritare në Bruksel.

Ju si President i Republikës, ndjeni që Shqipëria do të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale, për këto tre javë që kanë mbetur? 

Presidenti Meta: Ajo që, mund t’ju them me bindje të plotë është: Unë si President i Republikës, për shkak të përvojës sime në më shumë se tre vjet e pak President, mund t’ju them si Shqipëria do të ketë një drejtësi funksionale, një Prokurori funksionale, Gjykatë Kushtetuese funksionale, Gjykatë të Lartë funksionale, sistem gjyqësor funksional, menjëherë pas 25 prillit.

Sepse gjithçka në Shqipëri, është nën presionin e një force, dhe të një dore të vetme,  dhe brenda sistemit të drejtësisë.

Në këtë drejtim përsa u takon përpjekjeve të mia, ju e dini shumë mirë se nëse do të kishte pasur vullnet për bashkëpunim nga të gjithë aktorët e tjerë, nuk do të kishte ngelur Shqipëria, një minutë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, në më shumë se tre vite e fundit. Unë, do të bëjë detyrën time edhe ne të ardhmen,  në mënyrë tepër transparente me qytetarë dhe me opinionin publik. Por, në kushtet e një presioni të tillë politik siç është edhe vetë KED-i, sepse gjithë instrumentat,  për verifikimin e këtyre kandidatëve dhe çdo gjë është e kontrolluar nga qeveria, nga ekzekutivi kjo është një gjë shumë e qartë, siç ka qenë edhe në rastet e kaluara, Nuk pres drejtësi të pavarur, funksionale, të besueshme,  përpara 25 prillit. 

Pyetje: Pas 25 prillit, kjo drejtësia e re do jetë e nën ndikim politik? 

Presidenti Meta: Jo, do të çlirohet nga ndikimi politik, sepse do të kemi një parlament legjitim dhe gjithëpërfshirës dhe  që, do të vijë nga vota e popullit me hir apo me pahir.

Pyetje: Zgjedhjet janë një mundësi për të dalë nga kriza, por rasti i Shqipërisë, tregon që zgjedhjet janë dhe një rrugë, për tu futur dhe të thelluar krizën, Pse jeni i bindur që, duhet të jetë e  para dhe jo e dyta?

Presidenti Meta: Sepse kemi vajtur në fund të greminës, nëse nuk e ndiejnë të gjithë, kanë dëshirë të përplasen me fundin e greminës , kjo është një zgjedhje e tyre. Por unë besoj se shumica e popullit shqiptarë e ka kuptuar këtë gjë, tani është momenti për një ri ngritje te demokracisë dhe të patriotizmit, Sepse nuk bëhet fjala për pushtetin e dikujt apo të dikujt tjetër, por bëhet fjala për të ardhmen e vendit. 

Pyetje: Për Reformën në Drejtësi, ju, keni përdorur epitetin Ramaformë. I qëndroni këtij përcaktimi? 

Presidenti Meta: Sigurisht, që e kam përmendur Ramaformë, sepse nga Reformë që u bë me konsensus gjithë zbatimi i saj është tërësisht i njëanshëm, është antikushteues,  dhe ja ku jemi sot. Kjo është e vërteta.

Pyetje: Për zgjedhjet e 25 prillit, Komisioni i Venecias sugjeron që të gjitha autoritetet të hynë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë më të mirën,  për të zbatuar Kodin Elektoral në kohë.

Presidenti Meta: Dialog kishim, kush e prishi dialogun? Marrëveshja ishte, kush e prishi marrëveshjen? Venecia, kuptohet do thotë  gjithmonë fjalë të tillë, pse si do thotë? Nuk do thotë fajin e ka Lutfi Dervishi, në kuptimin nominal. Të gjithë e kuptojnë kush i ka prishur rregullat dhe kush nuk i rrezikon. Mos të presim nga Venecia të flas në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë, se në fund të fundit ky është vendi ynë, nuk është vendi i Venecias.

Pyetje: Për një gjë, Venecia ka folur në mënyrë të drejtpërdrejt. Ju i keni qëndruar idesë që Parlamenti shqiptar ka 82 deputetë të ligjshëm? 

Presidenti Meta: Po, e vërtetë është ajo, aq ka. Të tjerët janë zëvendësuar në mënyrë antikushtetuese, të paligjshme. Dhe të mos harrojmë nuk kanë ikur 60 deputetë nga Parlamenti të opozitës, kanë ikur 182. Pra, të gjitha lista që ka pasur opozita që i kanë bërë, si i kanë bërë  ata, s’ka rëndësi. Pra, 182 veta nuk kanë pranuar të hyjnë në Parlament dhe prapë, është shteruar fundi i fundit të listave opozitare dhe prapë ke 20 vende të paplotësuara që është në kundërshtim me kuorumin kushtetues që duhet të ketë 140 deputetë.

Pyetje: Në këto çfarë mbetën,  bënë të gjitha.  U  ndryshua Kushtetuta, u ndryshua Kodi Zgjedhor, kështu që ndodhesh në këtë lloj situate.

Presidenti Meta: Dëme të mëdha, ndodhemi në këtë situatë do ta përballojmë. Prandaj edhe nuk kemi ku të shkojmë më keq në kuptimin, tani është momenti i një reflektimi të jashtëzakonshëm, mbarëpopullor, mbarë kombëtar. 

Pyetje: Zoti President, Kosova ndodhet në një moment të vështirë ndoshta momenti më i vështirë që pas shpalljes së pavarësisë, ku në Hagë ndodhet pothuajse gjithë elita drejtuese e luftës dhe më pas, edhe e politikës.

Pse nuk ka një strategji të përbashkët, nuk ka interesa të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës në këto momente të vështira? 

Presidenti Meta: Unë shpresoj në ditët e ardhshme Presidentja në detyrë e Kosovës, zonja Vjosa Osmani të bëjë vizitën e saj zyrtare në Tiranë edhe të bisedojmë me të edhe më nga afër.

Pyetje: E keni ftuar? 

Presidenti Meta: Po, për të bashkëpunuar në këtë drejtim. E vërteta është që Shqipëria dhe Kosova kanë humbur shumë kohë në këto shtatë, tetë vite për të pasur qëndrime shumë më të koordinuara. 

Për të pasur një partneritet tjetër dhe për të pasur një pozitë ndërkombëtare shumë më të favorshme dhe për Kosovën në planin ndërkombëtar. 

Por, kuptohet edhe për Shqipërinë dhe për faktorin shqiptar në tërësi, edhe fakti që Shqipëria ka rrëshqitur në këto kriza të çmendura në këto vitet e fundit dhe në këto konflikte të brendshme tërësisht të pa justifikueshme, e kanë dëmtuar mjaft pozitën e Kosovës dhe pozitën e shqiptarëve në tërësi. 

Përveç kësaj, tani janë mjaft evidente edhe ndërhyrjet e pavenda të Kryeministrit tonë, në emër të Kosovës, brenda faktorit të Kosovës, të cilat nuk kanë ndihmuar as marrëdhënie më të koordinuara Shqipëri-Kosovë, nuk kanë ndihmuar as vetë një bashkëpunim të ngushtë të udhëheqësve të Kosovës, të institucioneve të Kosovës në një përfaqësi më të mirë të interesave të saj ndërkombëtare.

Përveç se duhet të ishte bërë shumë më tepër për njohje të tjera ndërkombëtare për Kosovën gjatë kësaj periudhe. 

Pyetje: Në Shqipëri Parlamenti ka ngritur një komision ad-hoc, në lidhje me UÇK-në referuar raportit të Dick Marty?

Presidenti Meta: Çfarë do zgjidhë ky Parlament? 

Së pari një herë, Parlamentin tonë nuk e beson njeri në botë për shkak të pozitës që është si parlament një partiak. 

Së dyti, çfarë do të zgjidhi ky Parlament me këtë çështje unë nuk e kuptoj.

Çfarë do të hetojmë?

Do hetojmë Dick Marty? Me çfarë kapacitetesh do hetojmë? 

Pyetje: Nuk e quajnë komision hetimor, e quajnë komision ad-hoc. 

Presidenti Meta: Po për çfarë është ky ad-hoc? Kujt i shërben ky ? 

Pyetje: Ky është një moment shumë i rëndë për Kosovën dhe ju jeni Kryetari i Shtetit dhe bëni pyetje se për çfarë do të shërbejë ky komision, nuk i keni përgjigjet për këtë?

Presidenti Meta: Unë e kam përgjigjen kjo është për të prodhuar alibia, të cilat e dëmtojnë çështjen e Kosovës, të cilat përfshinë Shqipërinë kot së koti në një histori që nuk ka lidhje me Shqipërinë. 

Thjeshtë nisen me idenë për të përfshirë gjoja Lulzim Bashën, apo jo fillimisht, me ca përralla që nuk kanë fare lidhje me këtë histori. 

Të gjithë e dimë që Dick Marty ishte i sponsorizuar nga Serbia dhe nga aleatët e Serbisë. Dhe kjo ndodhi sepse ata duan të rehabilitojnë atë luftë që e kanë humbur dhe të fajësojnë Shqiptarët. Çfarë pune ka Shqipëria me këtë çështje! 

Pyetje: Ajo që nuk kuptoj është kjo që prokurori ne Hagë me pretencën e tij e rrëzoi atë çfarë mund të quajmë pjesë e implikimit të Shqipërisë me të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë”. 

Presidenti Meta: Nuk ka pasur Shqipëria asnjë implikim, as ka pasur as nuk ka. 

Pyetje: Jo, flasim implikim në lidhje me raportin jo de-fakto. 

Presidenti Meta: Po nuk ka Shqipëria, Shqipëria implikohet vetë, këta duan të krijojnë implikime të paqena të Shqipërisë këto i shërbejnë vetëm Serbisë, unë nuk shikoj që t’i shërbejnë Kosovës, se çfarë interesi ka të bëhet…

Pyetje: Komisioni ad-hoc i shërben Serbisë? 

Presidenti Meta: Për mua patjetër, qarqe serbe, të cilat duan të krijojnë atë idenë që shiko se shqiptarët e kanë me njëri tjetrin, kanë spiunuar njëri tjetrin, kanë hetuar njëri tjetrin apo këto. Se cili është thelbi i kësaj gjëje! 

Pyetje: Ne flasim nga një anë për interesa kombëtare. 

Presidenti Meta:  Flasim thjeshtë fare. Nëse është një interes kombëtar ti si Parlament fillon një çështje të tillë, ti me Presidentin e Republikës nuk e konsulton që kush është qëllimi i këtij që do nisësh këtë moment! 

Mirë më Presidentin e Republikës nuk mendon ta konsultosh se të ka ngelur hatri për diçka, po me Presidentin e Kosovës e këshillove? 

Po me Kryetarin e Parlamentit të Kosovës e këshillove? 

Po me Kryeministrinë e Kosovës e këshillove, me kë e këshillove? 

Në qoftë se flasim për një interes kombëtar, por nuk kemi të bëjmë me një interes kombëtar, se po të ishte një interes kombëtar çështjet diskutohen. Ne kemi këtë interes kombëtar, kemi këto fakte të cilat na provojnë që kjo çështje na çon këtu dhe kjo ndihmon këtë. 

Këtu kemi të bëjmë me një interes të Serbisë edhe që me lojëra këtu të brendshme për të spostuar vëmendjen, jo nga pandemia, jo nga zgjedhjet, jo nga problemet e tjera, kjo është.

Pyetje: Kur tërmeti, pandemia, Kosova nuk e bën bashkë elitën politike në Shqipëri për të përcaktuar atë që ju e thatë interesi kombëtar, çfarë do t’i bëjë bashkë? 

Presidenti Meta: 25 prill, referendumi, populli. Tani populli e ka kuptuar që kush është rruga për të qenë Shqiptarët bashkë, për të bashkëjetuar si njerëz pavarësisht nga bindjet e ndryshme politike. Për të mos e urryer njëri tjetrin, për të mos e lënë njëri-tjetrin të vdesin rrugëve për një anti viral, për një shërbim minimal që nuk kushton asgjë. 

Pyetje: Unë si rregull nuk preferoj të bëj pyetje hipotetike, por më lejoni ta bëj një pyetje hipotetike!

Presidenti Meta: Mund ta bëni se gazetar jeni. 

Pyetje: Nëse kryeministri Rama do të vijonte këtë gjyqin me ish-kryeministrin Haradinaj ju do të dilnit dëshmitar për të? 

Presidenti Meta: Së pari, ky gjyq nuk mund të vijojë. 

Pyetje: Është tërhequr.

Presidenti Meta: Unë mendoj që edhe hapja e gjyqit u bë me porosi.

Pyetje: Të kujt? 

Presidenti Meta: Me porosi të atyre që iu interesonte të shpërndahej një lajm botëror që kryeministri i Shqipërisë hedh në gjyq kryeministrin e Kosovës.  U hap lajmi apo nuk u hap? E dyta tërheqja do të ndodhte, përse, sepse dihet që, pyet një mijë shqiptarë, thuaj  kush thotë të vërtetën, thotë Rramushi apo ai tjetri? E dinë të gjithë se Rramushi nga e vërteta nuk çedon dhe sigurisht gjyq nuk do të bëhej sepse në gjyq do të provohej ato që thoshte Rramushi. 

Pyetje: Rramushi thotë që unë në luftë kam qenë engjëll, po për politikë mos më pyesni.

Presidenti Meta: Po qe për punë kufijsh, Rramushi është në luftë tërë jetën. Po qe pastaj punë partish, kjo është tjetër gjë, po për punë kufijsh, Rramushi është në luftë tërë jetën, është engjëll tërë jetën. Ishte e padiskutueshme që ai do t’i provonte ato gjëra. Nuk ishin akuza apo shpikje të Rramushit, ato kanë qenë të vërteta, përpjekjet për ndarjen e Kosovës kanë qenë shumë të qarta, tani këto janë evidentuar. Ka pasur një lobim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, i cili ka punuar fort dhe Uashingtonin dhe në Bruksel, derisa arriti që Mogherini ta vendosë në tryezën e bisedimeve.

Një tabu, një çmenduri që kurrë nuk shkonte në imagjinatën e askujt dhe kuptohet që për fat të keq edhe nga Shqipëria, kanë punuar në kundërshtim me interesin kombëtar edhe të Shqipërisë edhe të Kosovës edhe të shqiptarëve, por dhe mbi çdo interes evropian. Çdo centimetër kufi të preket në Ballkan është një kërcënim i të ardhmes evropiane të gjithë Ballkanit. 

Kjo mendoj që është një leksion i mësuar tani. Nuk kemi ne shqiptarët përse t’u shërbejmë tezave të tjerëve, sepse ne nuk fitojmë asgjë nga kjo, përkundrazi ne vetëm marrim përgjegjësitë e konflikteve dhe të rehabilitimit të forcave të së kaluarës që e shkatërruan Ballkanin dhe bënë edhe atë gjenocid ndaj shqiptarëve.

Pyetje: e Çfarë ndryshon me administratën e re Biden në Uashingon në raportin Kosovë-Serbi dhe dialogun Kosovë-Serbi?

Presidenti Meta: Tani presim në radhë të parë një raport të qëndrueshëm transatlantik. Për ne si Shqipëri dhe si shqiptarë është shumë e rëndësishme, sepse ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe për këtë kuptohet që mirënjohjen e parë e kemi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës por dhe për vendet e tjera partnere. Dhe ne jemi një vend që të ardhmen e vet e ka në Evropë, nuk ka rrugë tjetër.

Kështu dëshiroj të ketë një forcim të këtij raporti transatlantik, sepse kjo na bën të jemi më të sigurt.  Vlerat euro-atlantike, demokratike të fuqizohen në rajonin tonë. Siguria jonë të rritet edhe integrimi jonë europian të përshpejtohet.

Pyetje: Në lidhje me rajonin, ka pasur një deklaratë të Presidentit të Serbisë Vuçiç, i cili hiqte një paralele duke folur për Kosovën me Nagorni-Karabakun.

Presidenti Meta: Është shumë zhgënjyese si deklaratë, pasi janë dy gjëra krejt të ndryshme, Kosova si shtet i pavarur është një realitet. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është shprehur qartë për pretendimin e Serbisë dhe e ka rrëzuar atë.

Serbia duhet që ta pranojë këtë realitet, duhet të bashkëjetojë me këtë realitet në mënyrë demokratike dhe paqësore. Nuk ka përse të nxisë konflikte artificiale dhe as të ngrira, se kjo nuk u shërben as serbëve në Kosovë, as bashkëjetesës në rajonin tonë. Është shumë zhgënjyese një deklaratë e tillë dhe është jashtë çdo lloj realiteti.  

Pyetje: Kosova fitoi luftën dhe po humbet në paqe, përse?

Presidenti Meta: Unë nuk jam i pashpresë se Kosova po humbet në paqe. Kosova ka pasur vështirësitë e saj, ka qenë në një bllokadë të fortë ndërkombëtare. Kosovën ne duhet ta kishim ndihmuar shumë më tepër se kemi pasur mundësitë, përmes një diplomacie shumë aktive, shumë mbështetëse. Duhet të ishim koordinuar më shumë me udhëheqësit e Kosovës, se sa me udhëheqësit e Serbisë për shumë çështje të cilat kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal. Nuk duhet t’i kishim vendosur në pozicion të vështirë ata dhe para fakteve të kryera, megjithatë jemi në kohë. 

Ka diçka pozitive në Kosovë në çdo rast. Atje demokracia është më e qëndrueshme është më funksionale dhe ka një pjekuri në çdo rast. Unë besoj se Kosova shumë shpejt do ta rimarrë veten dhe do të vazhdoj të jetë një shembull pozitiv edhe për demokratizimin edhe bashkëjetesën e rajonit tonë. 

Po ta shohim me vëmendje edhe pse ka pasur ndryshime të qeverisë, pra ka pasur dhe vështirësitë e brendshme me marrjen e disa prej udhëheqësve të saj në përgjegjësi penale etj., përsëri shohim që situatën dhe me pandeminë dhe me situatën ekonomike, po përpiqet ta përballojë me shumë më tepër transparencë, dialog, bashkëpunim. Pra nuk mendoj se Kosova është në rrugë të gabuar. Kosova është në rrugë të drejtë, por mendoj se edhe udhëheqësit e Kosovës kanë bërë gabimet e tyre, siç kemi bërë shumë prej nesh. 

E kemi marrë erën në favor që përpara 20-vitesh dhe kemi menduar që gjithmonë, era do të fryjë për ne dhe nuk kemi përcaktuar disa interesa më afatgjata, nga e cila do të punojmë pavarësisht se si do të fryjë era. Sepse çdo vend, çdo shtet, çdo komb ka rrugën e vet afatgjatë të cilës i përkushtohet, të cilën e ndjekin të gjitha forcat politike, pavarësisht se si alternohen. Neve kjo na ka munguar shumë si Shqipëri për fat të keq edhe ky është rezultati i kësaj përçarje që kemi, por dhe në Kosovë mund të ishte punuar shumë më mirë në këtë drejtim. Tani mendoj se është moment reflektimi dhe ringritje për të gjithë.

Pyetje: Zoti President kur flisni për raportet Shqipëri-Kosovë, në sensin e një vetëkritike, do të duhej të kishin bërë më shumë, diplomacia duhet të kishte bërë më shumë, duhet të kishte pasur më shumë koordinim. Tani pyetja nuk është më për të shkuarën, por për sot dhe nesër. Çfarë mund të bëjë Shqipëria realisht qoftë ata që janë në Hagë, qoftë ata që janë në Prishtinë?

Presidenti Meta: E përmenda dhe më përpara, unë kam ftuar zyrtarisht zonjën Osmani. Ajo do të vijë besoj ditët në vijim në Tiranë. Do të diskutojmë të gjithë së bashku me të, se si do t’i bashkojmë forcat në këtë sfidë të përbashkët dhe jam i sigurt që do t’i dalim. Ashtu sikurse jam i bindur se udhëheqësit e Kosovës që janë në këto procese do t’i dalin të mbrojnë me dinjitet luftën e lavdishme të UÇK-së dhe udhëheqësit aktualë në Kosovë do të dinë të ruajnë stabilitetin e vendit, të shtetit, të institucioneve dhe ta çojnë përpara, sepse në fund fare kjo është  beteja. 

Një nga përpjekjet është jo vetëm rehabilitimi i të kaluarës, i Serbisë në këtë betejë kundër udhëheqësve të UÇK-së përmes Tribunalit, por është edhe mundësia e realizimit të shtetit të Kosovës në të ardhmen.

Pyetje: Kur flisni për të ndihmuar Kosovën, do ta ndihmojmë më vete ju, si President, Kryeministri më vete apo do të jeni bashkë në Tiranë, për të sjellë një mesazh unik?

Presidenti Meta: Unë si President kam qenë gjithmonë i hapur bashkë me Kryeministrin, me qeverinë, bashkë me Ministrinë e Jashtme, me Parlamentin, me të gjithë për të ndihmuar dhe mbështetur Kosovën dhe asnjëherë nuk kam ndërmarrë iniciativa të tilla personale, publike apo zyrtare të cilat mund të vinin në diskutim mbështetjen e Shqipërisë në tërësi për Kosovën. 

Shpresoj që të ketë reflektim nga të gjithë, më mirë vonë se sa kurrë.

Pyetje:  Presidentët në Shqipëri që nga viti 98’ nga kushtetuta e re kanë qenë në një konflikt me institucionet e tjera, me ekzekutivin, me Parlamentin. A ka ardhur kjo për shkak të mungesës së ligjit, një ligji do të rregullonte?

Presidenti Meta: Nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje. Unë mund t’ju them se kam qenë edhe Kryeministër, në një moshë shumë të re 30 vjeç dhe President në atë kohë ka qenë Profesor Rexhep Meidani dhe kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, për gati më shumë se sa dy vite. 

Asnjë mungesë bashkëpunimi, rakordimi, përkundrazi.

Pyetje: Nuk mund të thuhet që Meidani nuk ka pasur konflikt me ekzekutivin, po flas për rastin ku ju keni qenë Kryeministër.

Presidenti Meta: Unë po flas që nuk është raporti President-Kryeministër, raporti Parlament-President, apo Parlament-Qeveri. Është çështje vullneti, kur një Kryeministër respekton institucionin e Presidentit, apo nuk ndërhyn dhe në kompetencat e tij, nuk ka arsye për konflikte. 

Është e njëjta gjë kur dhe Presidenti respekton kompetencat e Parlamentit, etj. Nuk keni asnjë rast që Presidenti ka bërë një përpjekje për të marrë një kompetencë të qeverisë, apo ka bërë një përpjekje për të marrë një kompetencë të Parlamentit. 

Përkundrazi keni pasur raste që Parlamenti ka ndryshuar kompetencat në mënyrë të paligjshme, të parregullt Presidentit, ku ka tentuar dhe ka bërë aktin e rrëmbimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë të paligjshme, që i takojnë Presidentit me Kushtetutë.

E përmend këtë gjë për të kuptuar që nuk është çështja e ligjit, është si të themi kemi këtë situatë se nuk kemi Kushtetutë, jo ne Kushtetutën e kemi, ne Kushtetutën e shkelim. Pse se kishim ne me Kushtetutë? Ne e kishim me Kushtetutë që Prokurori zgjidhet me të paktën 84 vota, madje deri 1 Shtator 2017 ishte me 93 vota, pastaj  me 84, ne e kishim po ne e shkelëm. Ne donim ta zgjidhnim me 69 se donim ta kapnim Prokurorinë për fyti, siç e kanë kapur, apo jo, e kishim ne Kushtetutën. 

Bënë dy letra ata, dy ekspertë aty dhe thanë dhe kështu mund ta pranojmë dhe ja ku jemi, ne e kishim Kushtetutën. Pse se kemi ne zgjedhje të lira dhe të ndershme, hajde t’i bëjmë çfarë problemi ka?

Pyetje: Kemi dhe një nismë të mazhorancës për një projektligj, ju keni një koment për nismën e qeverisë për projektligjin për Presidentin?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment për këto lloj nismash. Mua nuk më shqetësojnë këto nisma fare, unë kam shqetësimin sot të pandemisë, sepse njerëzit sot vërtet po vuajnë shumë dhe mund të lehtësohen vuajtjet e tyre, me pak punë me pak vullnet, me pak humanizëm dhe organizim më të mirë. 

Dhe e dyta ajo që më shqetëson është të rivendoset legjitimiteti në të gjithë vendin në 25 Prill, kjo është kryesorja.

Pyetje: Si sot një vit më parë në intervistën që keni dhënë për emisionin ‘Përballë’, fokusi ka qenë tërmeti. Një vit më pas çfarë informacionesh ju keni në lidhje me rikuperimin?

Presidenti Meta: Rikuperimi është tepër i ngadaltë. Ka shumë propagandë, po jo shumë vepra konkrete dhe nuk ka dhe shumë transparencë. Pra ajo që vëmë re, apo që ndjekim është se ka përpjekje shumë për të zhvendosur banorët, janë dëmtuar disa objekte apo disa pallate diku tani për t’i zhvendosur diku tjetër, pa mirëkuptimin e tyre, pa konsultimin e tyre. 

Dhe ajo që është më shqetësuese, ende shumë familje janë në kushte të vështira, ende në çadra, janë në kushte të papërshtatshme dhe për të përballuar dimrin, aq më tepër për të përballuar këtë pandemi që ka lidhje me imunitetin, me shumë probleme të tjera që i ekspozon dhe në risqe këta njerëz në nevojë. 

Vetë fakti që u shty plani për rindërtimin edhe zyrtarisht, tregon që gjërat nuk kanë ecur siç duhet, pavarësisht se angazhimet financiare ishin maksimale dhe nga donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë. Nuk kërkohet një transparencë tjetër, kërkohet një përkushtim tjetër.

Pyetje:  Çfarë roli i shikoni vetes në 4 muajt e ardhshëm, deri në zgjedhjet e ardhme të 25 Prillit, ditën e zgjedhjeve?

Presidenti Meta: Unë e shoh veten time si një President që i lutet popullit të tij, të marrë në dorë fatet e veta. Të mos pres nga askush tjetër, përfshirë as nga Ilir Meta. 

Pyetje: Çfarë do të thotë që populli të marrë në dorë fatet e veta konkretisht? 

Presidenti Meta: Që populli të zgjohet pak, sepse siç tha me shumë të drejtë në manifestimin e 2 Marsit, një  nga juristët më të mëdhenj të Shqipërisë Ledio Bianku, një popull që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë.

Pyetje: Kjo është një metaforë e bukur.

Presidenti Meta: Jo nuk është, kjo është e vërtetë. Na duket sikur kemi 30 vjet, zgjohemi dhe shikojmë ende një sistem një partiak, një parlament një partiak, një pushtet lokal një partiak. Shohim kudo një krye ekspert në çdo fushë. Në fushën e tërmetit, në fushën e pandemisë, në fushën mos mbani maska, në fushën mbani maska, në gjithçka.

Pyetje: Le të supozojmë që këtë kryeekspert nuk e kemi për një moment u rregulluan problemet e Shqipërisë?

Presidenti Meta: Problemet e Shqipërisë do të zgjidhen pikërisht kur të gjithë të shkojnë të votojnë dhe të vendosin në kontroll politikanët, përfshirë krye ekspertin, Presidentin dhe këdo tjetër. Kjo është e vetmja zgjidhje, nuk ka zgjidhje tjetër. 

Pyetje: Sot jemi në 8 Dhjetor, por kanë kaluar 30 vjet nga Dhjetori i 90’. Nëse supozojmë se do të kalojnë dhe 10 vite të tjera, i bie që në një paralele Shqipëria e 44’ mbërrin në 84’, Shqipëria e 90’ mbërrin në 2030? 

Presidenti Meta: Shpesh bëj disa paralelizma dhe unë dhe po të shohim fushën e arsimit, Shqipëria e pas luftës çfarë gjendje ka qenë në atë kohë? Dhe në 30 e ca vite u bë një revolucion i jashtëzakonshëm. U krijua një sistem arsimor i jashtëzakonshëm, me universitete, me institute, me akademi, me albanologji, me çdo gjë. Dhe për fat të keq vijmë pas 30 vjetësh, kemi testin këtu na iku truri. 

Jo vetëm kaq, kujtohen apo jo për institutet vetëm kur bien tërmetet dhe lavdërohemi kur del profesorja që ka 20 vjet që ka dalë në pension që shpjegon fenomenet. Kemi humbur shumë kohë në rritjen e kapaciteteve të brendshme në fushën e arsimit, në fushën e ligjit, në fushën e shëndetësisë në të gjitha drejtimet, sepse ne nuk është se si kemi pasur këto mundësi. Vërtet mund të kemi qenë të izoluar në kohën e komunizmit, po populli ka qenë përgjithësisht i arsimuar. 

Dhe tjetra që unë mendoj që është shumë e rëndësishme, vendimtare për të ardhmen në këto 30 vjet, edukimi patriotik i të rinjve dhe i fëmijëve, kjo është shumë e rëndësishme, mos i edukojmë me ndenjën e individualizmit, po t’i edukojmë me ndenjën për dashurinë për vendin, për atdheun, për familjen, për komunitetin dhe të mos i nxisim fëmijët të ikin. 

Sot mbi 94% e atyre që studiojnë jashtë nuk duan të kthehen këtu, 72% e atyre që mbarojnë këtu, duan të ikin jashtë. Një trup pa tru ku do të shkojë vetëm do të bjerë në greminë se nuk ka ku të shkojë.

Pyetje: Ku e shikoni veten pas 10 vjetësh?

Presidenti Meta: Gjithmonë në Shqipëri, gjithmonë midis shqiptarëve dhe e shikoj me besim që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian me hir me pahir. 

Pyetje: Përpara se të jemi atje duhet të hapim negociatat. 

Presidenti Meta: Patjetër, ai 25 Prillti i çel negociatat, referendumi i çel negociatat.

Gazetari: Zoti President ju faleminderit që ishit sot në emisionin ‘Përballë’! 

Presidenti Meta: Faleminderit juve edhe të gjithë teleshikuesve tuaj, një përshëndetje për të gjithë. Shpresoj t’ia kalojmë sa më lehtë me këtë situatë të vështirë pandemie, të bëjmë sa më shumë kujdes edhe durim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›