E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista/Elina Duni: Bëj JAZZ folklorik sepse është muzikë që bashkon (FOTO)

Tiranë- Jazz-i kontemporan është pak i njohur e aspak i lëvruar në Shqipëri…! Ama në botë, ky zhanër ka bërë për vete një publik fanatik. Dy vite shkuar, në skenën e Univertitetit të Arteve, këngëtarja shqiptare e cila karrierën e ka nisur në skenat e botës, Elina Duni solli në një koncert atë çka ajo bën, muzikë jazz të gërshetuar me folklorin e Ballkanit. Ndërsa koncertin e 17 dhjetorit në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë do sjellë veçse muzikë shqiptare e do të interpretojë këngët e albumit të saj ‘Matanë Malit’, dhe është veçse një ndër koncertet e turit të saj në trevat shqiptare, Tiranë, Prishtinë, Shkup. Ndërsa pasditen e 16 dhjetorit, një ditë para koncertit që mbahet në skenën e Teatrit të Operas, në Hotel Sheraton artistja Elina Duni, mban një koncert bamirësie në bashkëpunim në UNICEF-in, dhe fondet e mbledhura do të shkojnë për fëmijët në nevojë. Arstitja ka dashur ta cilësojë këtë album një homazh për Shqipërinë në këtë 100-vjetor të pavarësimit të vendit. Për këdo do të dëgjojë muzikë jazz të ngërthyer me këngët më të zëshme të folkut shqiptar, me interpretim të Elina Duni Quartet, koncerti mbahet në orën  20.00 në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit. 

Bëni muzikë JAZZ që në skenat e botës njihet e pëlqehet, por ama çoni atje këngë nga folklori shqiptar. Si është përballja e muzikës që ju luani në skenat e botës dhe atë shqiptare?

Publiku evropian sikurse edhe publiku amerikan është shumë i vëmendshëm ndaj muzikës shqiptare, ndaj këtij gërshetimi që ne bëjmë me muzikën folklorike dhe jazz-in sepse kjo muzikë mban në të tema universale si dashuria, liria, jeta, vdekja dhe janë tematika që na prekin të gjithëve, qofshim shqiptarë apo jo.

Është një muzikë që bashkon. Është një muzikë që ndërton ura midis njerëzve dhe kulturave. Nëpërmjet jazz-it, në skenat e botës unë çoj muzikën shqiptare ndërsa këtu sjell jazz-in dhe mundohem në mënyrën time që ta ndërtoj këtë urë dhe përfitoj nga këto dy pasuri të ndryshme, të mentaliteteve dhe kulturave të ndryshme.

Por sigurisht që për mua është shumë më emocionuese që të luaj në Shqipëri, pritja që i bëhet më prek më shumë sepse këtu këngët njihen…ndërsa në skenat e botës unë përpiqem që t’i përkthej këngët pasi për mua është shumë e rëndësishme që njerëzit të mos pëlqejnë vetëm muzikën por të dinë edhe se për çfarë flasin këto këngë, sepse janë poezi të lashta aq të bukura këto tonat sa që është e mahnitshme t’jua tregojmë sa më shumë njerëzve. Megjithatë, pritja e këngëve në trojet shqiptare është për mua shumë emocionuese.

Duni në koncert

Sillni një album tërësisht me muzikë shqiptarë, këngë që do i interpretoni edhe në koncert. Përzgjedhja është ndikuar edhe nga trashëgimia familjare…është kjo që ju bëni, një lloj rizbulimi i folklorit?

Mendoj se tani ne kemi fatin e madh ta rizbulojmë atë folklor të pasur që ne kemi, sepse tani mendoj që mundemi ta zbulojmë siç ne duam dhe jo siç na e diktojnë të tjerët. Kemi fatin ta zbulojmë siç unë e kam zbuluar në Zvicër në vitin 2004. Për mua ka qenë vërtet një zbulim ndërsa nisa këtë projekt. Në dy disqet e mija të para kam pasur këngë edhe nga Greqia, Rumania, Bullgaria, Turqia… dhe ishte dashuria ndaj folkut shqiptar ajo që më bëri të shoh e të njoh folklorin e vendeve të tjera. Dhe mesazhi im në këto dy disqe ka qenë se unë dua të vë më shumë në pah atë që na bashkon në rajon se sa atë që na ndan.

Ndërsa albumi im i tretë ‘Matanë malit’ i kushtohet i tëri Shqipërisë dhe më shumë se kaq, i kushtohet lumturisë që mua më ka falur ky vend në 10 vitet e para të jetës sime këtu.

Elina Duni gjatë performancën

Është albumi ‘Matanë malit’ një lloj historie e muzikës folklorike shqiptare…?

Jam modeste në atë që them por jam prekur nga këngë të ndryshme dhe ato më kanë bërë që unë të thelloj njohjet e mija për historinë e Shqipërisë dhe këngët që sjellin sipas tyre historinë. Në albumin tim është përshembull kënga për Marko Boçarin. Ai është hero si për shqiptarët ashtu edhe për grekët, është njeri që ka luftuar për pavarësinë e vendit dhe unë e sjell këngën e tij këtu, në këtë album e për publikun shqiptar siç e bëj edhe për publikun në skenat e botës ku unë luaj. Jam prekur shumë nga e gjithë historia që kanë sjellë këngët tek unë, nga ajo çka unë kam munudr të zbuloj te këto këngë të mëdha të kombit tonë. Ndaj edhe me modesti po them se këto këngë janë momente të historisë dhe mund edhe të jetë ky album një lloj historie e muzikës folklorike shqiptare.

Elina Duni

Ndërsa në botë skenën e ka pushtuar muzika komerciale, sa e vështirë është të jesh në skenë, të jesh e suksesshme, të mbushësh salla ndërsa interpreton këngë të jazz-it kontemporan?

Nuk është e thjeshtë…! Dhe në Shqipëri, udhëtimi nuk ka qenë shumë i thjeshtë sepse kur kam ardhur për herë të parë në vitin 2007 për të interpretuar këtu…më është dashur doemos që të ndërtoj diçka timen. Çdo herë që vij njerëzit më njohin më shumë sepse jam më prezente dhe kanë filluar të kenë një vesh për atë që dua unë të sjell. Kjo është një rrugë e cila nuk përfundon kurrë, as këtu dhe as në skena e botës. Kam pasur fatin që jam rritur me dy prindër artistë, Besa Myftiu e Spiro Duni të cilët më kanë rritur me dashurinë për të vërtetën artistike. Më rëndësishme për mua është që të luftoj për atë që dua të them dhe këtë e kam bërë deri tani. Mirënjohja është e rëndësishme por nuk është aspak gjëja më e rëndësishme. Për mua i rëndësishëm është mesazhi që unë dua të përcjell, çfarë dua unë të them nëpërmjet kësaj muzike, çfarë qëndrimi dua unë të mbaj. Në Evropë nuk ka qenë dhe nuk është aspak e vërtetë ama ekzistojnë infrastruktura që e bëjnë këtë më të lehtë, e mbështesin artin që nuk është komercial dhe uroj që edhe në Shqipëri sa më shumë të kalojë koha, aq më shumë të ketë mundësi të tilla, që individë, institucione apo organizma të tjerë, të mbështesin sa më shumë artistët që bëjnë art të vërtetë, jo komercial.

Elina vjen në Tiranë

Bisedoi: Anisa Ymeri

Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook 

Ndani me ne komentet tuaja:

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›