E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista/Koha që Kosova të investojë për kulturën dhe të rinjtë

“Edhe pse ka rezultate bazike në kulturë në komunën e Besianës që disa vite rresht, buxheti është shumë i vogël dhe është shumë vështirë për të realizuar të gjitha programet e parapara, sidomos thellimi i bashkëpunimit kulturor me krahina të tjera të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e Malit të Zi”, thotë në një intervistë për Kosovapress drejtori i Qendrës për Kulturë në KK të Besianës, Nexhmi Balaj.

Në komunën e Besianës gjatë këtij viti që po e lëmë pas, ka pasur aktivitete kulturore. Si mund ta rrumbullakoni aktivitetin kulturor në komunën e Besianës për vitin 2008?
Po. Është e vërtetë se në këtë vit që po e lëmë pas kemi zhvilluar aktivitete të shumta kulturore. Sa i përket kulturës së komunës për fund të vitit, na ka mbetur që ta rrumbullakojmë vitin 2008 me takimet e kulturës “Kadri Kadriu”, të cilat janë tradicionale prej vitit 1993. Nuk do të përjashtoj as vitin e luftës, sepse edhe në vitin pas luftës janë mbajtur takimet. Mirëpo, mbetet të shihet. Është në pikëpyetje se për këtë vit a do të ketë buxhet për çmimet e këtij konkursi letrar, për anëtarët e jurisë, për pritjen e mysafirëve dhe për të gjitha ceremonitë kulturore, të cilat e përmbyllin vitin nëse mes kësaj skene kulturore kalojnë takimet, të cilat kanë qenë më të suksesshmet gjatë vitit 2008.

A vlerësoni se ka pasur të arritura në sektorin e kulturës në komunën tuaj?
Në këtë vit që po e lëmë pas, kemi pasur suksese të mira në fushën e kulturës. Kemi marrë pjesë në tri festivale muzikore dhe në dy festivale teatrore. Në Festivalin e Humorit në Drenas, me Teatrin e të Rinjve kemi zënë vendin e parë me shfaqjen “Maleshi”, për rolin e djemve. Po ashtu, kemi marrë pjesë edhe në Festivalin e Skenderajt me “Rapsodi shqiptar”, me të cilën shfaqje kemi hapur programin e këtij festivali në mbrëmjen e parë. Gjithashtu, kemi marrë komplimente që kemi qenë më të mirët edhe nga teksti, edhe nga qëndrimi skenik. Them pa modesti se jam i kënaqur. Ndërsa në ofertat tjera vijuese nuk kemi qenë për shkak të buxhetit.

A ka ndarë Kuvendi Komunal i Besianës buxhetin për kulturë, rini dhe sport për vitin 2009?
Buxheti i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport është shumë modest, duke përfshirë edhe bibliotekat në terren, vetëm 25 mijë euro, pa llogaritur letrën edhe shpenzimet tjera për inventar, derisa nuk mbesin mjete për rini, për sport, për biblioteka në terren, për teatrin dhe festivalet. Sigurisht se nuk do të bien as dy mijë euro për një subjekt. Në anën tjetër, ka rezultate bazike qe disa vite rresht, ndonëse buxheti është shumë i vogël. Gjithmonë insistoj që ky buxhet të rritet. Programi vjetor i punës dorëzohet në fillim të vitit dhe çdo aktivitet dhe manifestim e ka paraparë edhe buxhetin e vet. Mirëpo, është shumë vështirë për të realizuar të gjitha programet e parapara, sepse sikur t'i kishim paratë, ne do të ishim një qendër shumë tërheqëse për të gjitha aktivitetet kulturore që zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni apo Mal të Zi, sepse jemi në skenën kulturore qe sa vite dhe kemi krijuar raporte tepër të mira me të gjitha subjektet krijuese që veprojnë te shqiptarët, por edhe më gjerë.

A mjafton ky buxhet për t'i realizuar synimet në sektorin e kulturës?
Buxheti është i vogël. Mirëpo, në qoftë se menaxhohet prej Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe shfrytëzohet në mënyrë racionale, megjithatë bëjmë diçka, duke marrë parasysh se edhe shoqatat afariste të Llapit dhe biznesmenë të ndryshëm shpeshherë na kanë ndihmuar, jo vetëm në këtë vit, por edhe viteve tjera.

Z. Balaj, a do të thotë që nëse ju keni në plan që një projekt për kulturë të realizohet, duhet të bëni çdoherë kërkesë te KK-ja për të marrë mjetet e nevojshme?
Gjithmonë kërkesat bëhen sipas specifikimit për takimet e kulturës. Kërkesa e parë ka qenë edhe ashtu fare e vogël për çmimet e para, të dyta, të treta, për anëtarët e jurisë, për komplet mbrëmjen ka qenë diku 1.400 euro, ndërsa në kërkesën e dytë është zbritur në 1.000 euro, derisa në kërkesën e tretë ka rënë në 740 euro, por edhe këto nuk i kemi marrë ende.

Nuk ju lejon KK-ja që të menaxhoni vetë me mjetet e buxhetit të ndarë për kulturë? Cila është arsyeja për këtë?
Arsyeja për këtë është se buxheti i kulturës, meqenëse nuk i kemi në xhirollogarinë e kulturës, i marrin Drejtoria e Financave e KK-së dhe kryetari apo të tjerët dhe i paguajnë borxhet që i krijon komuna gjatë vitit, i jep për konkurse të ndryshme, e ku ta di unë. Tash për tash, në xhirollogari nuk ka para.

A mendoni se ka nevojë të bëni ndonjë ndryshim, apo të vazhdoni edhe më tutje që të heshtni?
Në përgjithësi, për aktivitetet kulturore janë shumë të zorshëm, edhe pse konkurrojmë me projekte për të gjitha aktivitetet kulturore që janë të parapara në programin vjetor të punës. Ne e parashohim buxhetin që në fillim të vitit dhe nuk kërkojmë diç më shumë, ndërsa në listën tjetër në qoftë se nevojitet diçka plotësuese, ne i marrim prej donatorëve, prej njerëzve të biznesit. Bie fjala, këtë vit kemi botuar pesë libra, një nga lëmi i historisë, kurse të tjerat në letërsi. Prej tyre, vetëm një e kemi botuar me buxhetin e komunës, ndërsa të tjerat me mjetet e donatorëve. Merrni me mend se në çfarë shpërputhje me buxhetin janë të gjitha këto rezultate.

Të ndalemi pak edhe te biblioteka e qytetit. A ka kjo bibliotekë fond të mjaftueshëm të librave dhe sa janë përmirësuar kushtet për lexuesit?
Në bibliotekë janë bërë investime të mëdha. Me buxhetin e komunës biblioteka është rregulluar brenda dhe jashtë, është blerë inventari i nevojshëm. Biblioteka është pajisur me kompjuterë dhe është instaluar interneti. Është bërë edhe instalimi i ngrohjes qendrore. Kushtet për lexues dhe për ata që e përdorin librin dhe që e marrin me vete, janë ideale dhe më të mira se në çdo bibliotekë që e kemi në vend, me përjashtim të Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.

Pas gjithë këtyre të mirave dhe ngecjeve, a konsideroni se viti 2008 ka qenë i suksesshëm?
Ne kemi realizuar diçka më shumë se sa programi që e kemi paraparë, kurse përjashtim bëjnë vetëm takimet e kulturës ku kemi një “kërrsh” buxhetor, edhe pse dimë si të veprojmë, ndërsa manifestime tjera të parapara, si festivale muzikore, teatrore, botime librash, përmirësimi i kushteve në bibliotekën e qytetit etj.

Mesazhi juaj për vitin e ardhshëm?
Të gjithë ata, qofshin udhëheqës lokal apo të qendrës, duhet të mendojnë më shumë për buxhetin e kulturës dhe të ndajnë më shumë mjete për kulturën, po ashtu edhe për rininë dhe sportin e një komune. Sado që të investohet në këto fusha dhe të jetë ajo shifër e lartë, prapë është e vogël, sepse mosha mesatare e popullatës është e moshës rinore. Andaj, të gjitha këto aktivitete që i kemi pasur gjatë vitit që po shkon, qofshin shfaqje teatrore, festivale muzikore, qoftë Muaji i Rinisë, qoftë rregullimi i bibliotekës së qytetit, botimi i librave etj., e kanë vlerën e vet shumë të madhe. Sado që investohet për ta, për rininë, prapë është investim i vogël dhe i paktë për punën që e bëjnë ata, ngase në Qendrën e Kulturës në Besianë zhvillohen shumë aktivitete kulturore, rinore dhe sportive në mënyrë vullnetare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›