Intervista/Meta: “Aktorët politik të tregojnë përgjegjshmëri për plotësimin e aspiratës për integrim të shqiptarëve”

Bashkëbisedimi i Kryetarit të LSI-së me gazetarët
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta gjatë një konference për shtyp u ka bërë thirrje partive politikë të bashkëpunojnë në emër të integrimit të vendit. Meta solli në vëmendje mesazhet e përcjella dje nga Komisioneri për Zgjerim në BE, Stefan Fule gjatë vizitës së tij, vetëm një ditë më parë në Tiranë.
Sipas Metës ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat para zgjedhjeve. “Nuk mund të rri pa përmendur rëndësinë e madhe të marrjes së statusit para zgjedhjeve të 23 qershorit. Vetë vlerësimi që Komisioneri bëri dje që statusi është i arritshëm dhe se është detyrë e politikanëve për të plotësuar të gjitha kushtet të cilat tashmë dihen, është një mesazh që duhet vlerësuar në maksimum nga të gjitha forcat politike, sidomos ato parlamentare me qëllim marrjen e këtij statusi para zgjedhjeve në Shqipëri. Çdo gjë që do të mbetet pas zgjedhjeve do të kërkojë kohën e saj ndërkohë që nuk duhet të harrojmë që edhe në Bashkimin Europian do të kemi zgjedhje pas një viti. Është e rëndësishme që të fitojmë çdo sekondë dhe çdo minutë në këtë drejtim dhe të tregojmë përgjegjshmërinë tonë për të plotësuar një aspiratë të mbarë qytetarëve shqiptarë pa dallime partiake”, deklaroi midis të tjerave Ilir Meta.
A keni krijuar ju një profil të koalicionit që do të keni për zgjedhjet e ardhshme?
Për çështjen e koalicionit të ardhshëm do të jetë vetëm Konventa Kombëtare e LSI-së që do të vendosë. Kjo temë natyrisht nuk do të diskutohet në mënyrë të papritur përkundrazi por do të duhet të presim fillimin e prillit për të diskutuar këtë çështje dhe natyrisht mesin e muajit prill për të marrë një vendim përfundimtar përpara datës së regjistrimit të koalicioneve dhe partive që mos gaboj është 23 prilli. Ne besojmë se nuk është më e rëndësishme se cilat do të jenë taktikat tona elektorale edhe në funksion të kodit. Në çdo rast LSI do të ketë programin e saj dhe në çdo rast Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë me flamurin e saj, me simbolet e saj. Dhe në fund të fundit kodi është i tillë që votohet për subjektin politik, pra nuk është se votohet për koalicionin e caktuar. Ndaj edhe ne kemi nisur përgatitjet në funksion të fuqizimit të LSI-së, i cili është një fakt që besoj se e prekni çdo ditë edhe përmes aktiviteteve që pasqyroni.
Si e gjykoni mundësinë e krijimit të një poli të tretë?
Ne e vlerësojmë angazhimin e çdo force politike në zgjedhje, angazhimin e çdo lloj alternative. Për ne, e thashë edhe më parë, që nuk është shumë e rëndësishme taktika elektorale. E rëndësishme është arritja e objektivave tona për zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërsa për sa i takon rolit të LSI-së, ai do të jetë gjithmonë konstruktiv. Pra, LSI nuk do të hyjë dhe nuk do të bëhet pjesë e asnjë konflikti për konflikt dhe natyrisht do të jetë aktive në të gjitha debatet për programet, për qeverisjen aktuale dhe qeverisjen e ardhshme në mënyrë tepër aktive. Por e theksoj gjithmonë do të sjellë energji pozitive. Shqiptarët janë të lodhur nga mesazhet destruktive, nga akuzat e pafundme dhe nga mosmarrja e përgjegjësive nga politikanët.
Jemi informuar se Ju keni zhvilluar një takim me Komisionerin Fyle, A keni marrë ndonjë garanci për statusin e vendit kandidat nga Fyle?
Nuk ka qenë takim. Ka qenë një bisedë telefonike me komisionerin, ku kam shprehur angazhimin e LSI-së për çdo gjë që LSI ka mundësi të bëjë për një klimë sa më konstruktive për të ecur drejt marrjes së statusit sa më shpejt të jetë e mundur.
Duke u ndalur sërish te krijimi i një poli të tretë, a është i mundur ai dhe specifikisht me Dulen, duke pasur parasysh edhe pozicionin e tij së fundmi?
Dua të jem shumë i qartë me ju. Çështja e koalicioneve është çështje e forumeve të LSI-së dhe është çështje e forumit më të lartë. Unë kam raporte dhe takime me përfaqësues të ndryshëm të të gjitha forcave politike dhe përfaqësues të tjerë të LSI-së. Kjo është më se normale. Por, vendimi do të merret në kohën e duhur dhe vendimi do të shoqërohet edhe nga një debat brenda strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Së fundmi është publikuar një sondazh ku LSI-ja nuk paraqitet në nivelin e duhur. Si e komentoni këtë sondazh? A mendoni se këto sondazhe do të ndikojnë në bërjen e koalicioneve më pas?
Absolutisht që jo, Lëvizja Socialiste për Integrim ka një kontroll shumë të qartë dhe rigoroz të situatës në terren për shkak të një organizimi model të saj dhe në këtë drejtim, të gjithë janë të lirë të shpallin dhe të sajojnë sondazhe. Mua më vjen keq për ata që i sponsorizojnë sondazhe të tilla qesharake, sepse sondazhet që kanë pasur më përpara, para 2009 dhe para 8 majit të 2011 i kanë pasur shumë më të mira për veten e tyre. Më vjen keq që i kanë ulur.
Sa i përket objektivave të LSI-së për 23 qershorin, duke marrë parasysh këtu rezultatet e 2009, dhe të 2011, sa deputetë projektoni ju që mund të marrë LSI në këto zgjedhje?
Është herët për të folur për numrin e deputetëve, por disa herë më shumë sa aktualisht sepse LSI në radhë të parë ndryshe nga dy zgjedhjet e mëparshme, në 2005 dhe 2009 është pjesë e gjithë administrimit të procesit zgjedhor. Kështu që, votat për LSI-në janë vota të sigurta. Natyrisht përfaqësuesit tanë në radhë të parë kanë për detyrë të zbatojnë ligjin dhe të kontribuojnë për standarde europiane për zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërsa për sa i takon çështjes së numrave të mandateve nuk mund të jap ndonjë shifër paraprake, por dua t’ju siguroj që ne një grup parlamentar do ta bëjmë vetëm me deputetët që do të fitojmë në dy qarqet kryesore. Këtë mund t’ua them me siguri. Për të tjerat do të flasim në muajt e ardhshëm.