E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: Qëndrimi i PS për mandatet, mediokër profesionalisht dhe politikisht i gabuar

05-02-2013 / Gazeta 55

Ish deputeti socialist analizon zhvillimet e PS lidhur me ndarjen e mandateve të deputetëve


Eksperti i çështjeve zgjedhore, ish deputet i Partisë Socialiste për disa mandate, Kastriot Islami e cilëson gafë dhe mediokritet qëndrimin e selisë rozë për ndarjen e mandateve zgjedhore. Sipas tij, PS mori si shpërblim gjithçka gatoi politikisht, pasi nuk mund të fitohen zgjedhjet duke bllokuar zgjedhjet. “Qëndrimi i PS per çështjen e mandateve është ose mediokër profesionalisht ose politikisht i gabuar. Ose te dyja bashke. Secili qe shqetësohet ne PS duhet te zgjedhe ose njërin cilësim, ose tjetrin, ose te dyja bashke. Dhe nëse është paksa inteligjent ka vetëm një opsion, të heshtë pa u vënë në rreshtin e bilmezëve. PS mori si shpërblim gjithçka gatoi politikisht në mënyrë të pasaktë e të gabuar, por edhe me një paaftësi profesionale ekstreme e qasje krejtësisht të gabuar. Nuk mund të fitohen zgjedhjet duke bllokuar zgjedhjet, duke ndërkombetarizuar “hallin e Ramës për tu bërë Kryeministër”, me të majtë të përçarë dhe aleatë të hallakatur. Nuk po komentoj ende një program që nuk ekziston sepse për momentin është një bashkësi dëshirash/sloganesh që nuk ka asgjë të përbashkët me një program qeverisjeje. Në këtë mënyrë edhe kjo Rilindje po ashtu Politika e Re do të “linde e dekun” sepse ka në themel radikalizimin, bllokimin dhe frikën nga humbja”- tha Islami. Ai shtron disa pyetje për Edi Ramën, lidhur me qëndrimet e PS për çështjen e mandateve, se pse nuk e çoi çështjen në Prokurori për falsifikim të dhënash, kur dyshonte në informacionet e Drejtorisë së Emergjencave Civile? Përse PS preferoi të urdhëronte komisioneret e saj në KQZ të mos votonin opsionin e shpërndarjes së mandateve ku Berati kishte 7 mandate, Korça 11, Tirana 33 dhe Durrësi, 14 por e bllokoi atë? Përse PS mashtroi ndërkombëtarët duke ju dhënë argumente false se me këtë opsion Berisha fiton 3 mandate ne tavolinë? A mban përgjegjësi dikush në PS që mashtruan ndërkombëtarët ndërkohë që tani e kërkojnë me insistim këtë opsion duke i thënë se Berisha nuk e do më këtë opsion se humbet katër mandate në tavolinë? A nuk është ky një qëndrim që dëmton seriozitetin e PS përballë ndërkombëtarëve? Përse PS pasi u njoh me faktin qe KQZ nuk arriti të merrte vendim ashtu siç gjykonte PS për mandatet nuk e çoi çështjen në Kolegjin Zgjedhor, por u sorollat me argumente false në takimet më ndërkombëtarët duke akuzuar politikisht dhe duke mos vepruar juridikisht? Përse PS nuk e çoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit për të mos pranuar komisionin hetimor për vërtetësinë e shifrave të popullsisë? Përse PS ndryshoi mendim duke pranuar që shifrat e DPGJC janë të sakta ndërkohë që kishte bllokuar vendimin e KQZ? Kush mban përgjegjësi që Zëvendës Kryetari i KQZ deklaroi se pas auditimit të informacionit të sjellë nga DPGJCivile “shifrat e popullsisë janë të sakta ligjërisht por jo moralisht” dhe se komisionerët socialiste ishin gati ta votonin atë opsion që Rama me të tjerë e kishin damkosur të ndërkombëtarët si manipulim të rezultatit në tavoline me tre mandate ne favor te Berishës. Përse PS, duke e konsideruar antikushtetues vendimin e Kuvendit për të lënë shpërndarjen e mandateve te vitit 2009 si te vetmen mënyrë për të ç’bllokuar procesin zgjedhor pasi e kishte bllokuar atë ne te gjithe hapat ku ajo kishte mundësi ta bllokonte, nuk e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese? Përse PS, përmes një strategjie radikale e bllokimi Rama preferon të kryejë “ndërkombëtarizimin e zhurmës” ndërkohë që, “mbush thesin e alibive të humbjes” dhe nuk i drejtohet institucioneve të drejtësisë (Prokurorisë, kolegjit Zgjedhor apo Gjykatës Kushtetuese) për të realizuar zgjidhjen që parashikon Kushtetuta apo Kodi Zgjedhor? Përse PS pasi ka ezauruar të gjithë mundësitë e bllokimit të procesit për shpërndarjen e mandateve sipas qarqeve nuk kryen asnjë veprim institucional, por i drejtohet me letra e me takime vetëm ndërkombëtareve për t’i thënë se kjo ndarje nuk është e “drejtë” sepse po t’i thotë është antiligjore apo antikushtetuese ata do t’i sygjerojnë të shkojnë në Kolegjin Zgjedhor ose në Gjykatën Kushtetuese? Përse PS mërzitet kur bazuar në shumë kritere matematikore e të tjera rezulton se shpërndarja e mandateve e miratuar nga Kuvendi është më e “drejtë” se ato që kërkon PS apo sepse kishin menduar te mashtronin përsëri ndërkombëtaret me shpjegime e letra se kjo shpërndarje është në kundërshtim me parimin kushtetues të barazisë së votës?!”- i drejtohet Islami kreut të PS. Ai deklaron gjithashtu se, PS e ka të humbur për këtë çështje betejën në planin ligjor sepse minimalisht duhet të kishte ndjekur rrugën institucionale të ankimimit të gjyqësori. “Në planin politik, betejën është më shumë se e humbur sepse jo vetëm nuk arriti ta tërhiqte LSI me çështjen e mandateve por tani e kërcënon për ti hequr një mandat në Berat. Kurse po ti referohemi aspektit të “drejtësisë” së zgjidhjes që i dha kuvendi kësaj çështje in ekstremis për të çbllokuar situatën dhe mos bllokuar zhvillimin e zgjedhjeve, kriteri matematik tregon se shpërndarja e 2009 është më e drejtë sesa e të gjithë opsionet e tjera. Kurse në planin ndërkombëtar, PS është diskretituar sepse qëndrimi i saj nuk ka qenë as koherent, as profesional dhe ka rezultuar spekulativ”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›