Intervistë e Presidentit Topi dhënë për emisionin "Top Story" të gazetarit Sokol Balla në televizionin “Top-Channel”.

17 qershor 2009
Gazetari: Mirëmbrëma! Drejtpërdrejtë nga Pallati i Brigadave, jam këtu në shoqërinë e banorit të parë, Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi. Do të flasim me zotin Topi për zgjedhjet, për procesin zgjedhor kaq të rëndësishëm për shqiptarët dhe se si e shikon ai dhe cilat janë perspektivat e Shqipërisë pas kësaj date të rëndësishme. Zoti President mirëmbrëma dhe falemnderit që jeni sot këtu!
Presidenti Topi: Mirëmbrëma!
Gazetari: Me thënë të drejtën do e nisja me diçka tjetër, me një lajm jo të vogël do të thoja, për shkak të fushatës ndoshta nuk pati dhe jehonën e duhur, sipas korrespondentëve tanë në rajon tashmë është konfirmuar mospjesëmarrja juaj në Samitin Ndërkombëtar të Novisadit. Natyrisht që një ide e kemi pasur ne gazetarët, sidomos pas deklarimeve tuaja të forta në Samitin e Malit të Zi, megjithatë nëse mund të na thoni cila ishte arsyeja pse e bojkotuat në mënyrë publike këtë Samit?
Presidenti Topi: Do të thoja që formati i këtyre takimeve, që i kalojnë përmasat e rajonit ballkanik, pasi janë takime të presidentëve të shteteve të Evropës Qendrore dhe Juglindore janë të një rëndësie të veçantë dhe kurrësesi nuk do ta konsideroja një term të tillë të përshtatshëm, pra për ta konsideruar bojkot. Por, për shkak të impenjimeve shumë të forta që lidhen domosdoshmërisht me zgjedhjet e përgjithshme politike në Shqipëri dhe padyshim dhe me impenjimet e tjera që nuk kanë të bëjnë vetëm me zgjedhjet, por me rutinën e përgjithshme e përditshme, unë kam paralajmëruar mospjesëmarrjen në këtë Samit, që gjithësesi do ta konsideroja të rëndësishëm. Ndërsa, sa i përket çështjes së cilës unë i jam përkushtuar në mënyrë konstante, çështjes së pjesëmarrjes së zotit Sejdiu në këto evenimente, e kam bërë prezent në takimet bilaterale dhe në takimet multilaterale dhe besoj, le të jetë kjo edhe në simbolikën e asaj që unë kam thënë. Megjithatë, duke qëndruar në këtë temë kaq të rëndësishme ne kemi qenë jo vetëm pjesëmarrës në takimet më të rëndësishme, por kemi qenë dhe edhe faktor moderacioni në të gjithë situatën e re rajonale, që është krijuar në Ballkan dhe mund t’ju paralajmëroj që në datën 23 dhe 24, pra vetëm pas pak ditësh, unë kam organizuar një takim shumë të rëndësishëm në Vlorë, ku kam ftuar Presidentin Sejdiu, kam ftuar Presidentin e Maqedonisë, zotin Ivanov, Presidentin e Malit të Zi, zotin Vujanoviç, për të diskutuar rreth marrëdhënieve tona dhe për ta fokusuar çështjen pikërisht tek “minishengeni ballkanik”, atë që e kemi lançuar së bashku me Presidentin Sejdiu në kohën kur unë zhvillova vizitën zyrtare në Kosovë.
Gazetari: Pra mund të themi që ky takim mund të quhet dhe “Detanta e Vlorës”, pra ju po shërbeni si faktor pajtues mes Kosovës dhe Maqedonisë pas disa incidenteve rresht lidhur me protokollin e ftesës së Presidentit Sejdiu atje?
Presidenti Topi: Unë nuk mendoj që situata është deri në atë pikë. Përkundrazi, ka pasur edhe komunikime të drejtëpërdrejta të
Presidentit Sejdiu me Presidentin Ivanov dhe besoj që gjërat do të shkojnë mbarë, sepse klima në përgjithësi në vendet ballkanike është e tillë që, situata e re gjeopolitike që është krijuar në rajon mbas krijimit të shtetit të ri të Kosovës dhe klima e atraksionit që po sjell Ballkani Perëndimor qoftë në bashkëpunimet bilaterale, qoftë në frymën euroatlantike, besoj që vendet tona, edhe Serbinë përfshirë këtu, në perspektivë, do ta orientojnë drejt familjes euroatlantike, çfarë presupozon që këto vende i largohen në mënyrë definitive retrospektivave mjaft të këqija të konflikteve ndëretnike dhe i i projektojnë si vende me standarde evropiane dhe euroatlantike.
Gazetari: Megjithatë, dua t’i rikthehem pyetjes se sa ndikim ka pasur Kosova në këtë vendim tuajin?
Presidenti Topi: Pse, ju besoni se nuk ka ndikim Kosova tek unë?! Kosova është bërë pjesë e rëndësishme e çdo shqiptari, por, unë mendoj që Kosova tashmë është një realitet të pakthyeshëm. Lidershipi kosovar po demonstron prej kohësh një moderacion të admirueshëm, është plotësisht në standardet perëndimore, po tenton të ndërtojë hap pas hapi një shtet të vërtetë multietnik, bazuar mbi planin e zotit Ahtisari dhe të mirëpritur ndërkombëtarisht. Këto janë vlerësime që vinë në mënyrë frekuente, vijnë edhe në përvjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pra vjen nga zëra të ndryshëm mjaft frekuentë ndërkombëtarë, vijnë nga ata që e ndërtuan, vijnë nga zoti Ahtisari, nga zoti Uizner, nga zoti Ishinger, të cilët kanë përjetuar të gjithë periudhën e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe ndërtimit të një shteti, i cili po funksionon shumë mirë.
Gazetari: Le ta lemë Kosovën në rrugën e vet tashmë të konsolidimit dhe t’i kthehemi fushatës, meqenëse Kosovën po e përdorim dhe në fushatë. Si mendoni po zhvillohet fushata elektorale?
Presidenti Topi: Unë nuk jam në fushatë, kështu që mendoj që së paku ju nuk duhet të më akuzoni që unë integrohem në fushatë!
Gazetari: Nuk ishte konstatim kundër jush, ishte konstatim ndaj të tjerëve. Gjithësesi, si mendoni po zhvillohet fushata elektorale në Shqipëri?
Presidenti Topi: Unë besoj që është në dinamikën e saj. Nuk besoj që ka të njëjtën ngjashmëri me fushatat e tjera, sepse kjo imponohet, apo diktohet edhe nga ligji i ri elektoral. Është një ligj që ka një ndërtim dhe një strukturë totalisht ndryshe nga ai që kemi pasur dhe një ligj mazhoritar-proporcional tani jemi në një ligj proporcional-rajonal, i cili të detyron që të sillesh ndryshe në fushatë, ta përjetosh ndryshe fushatën të ndërtosh një vizion specifik për një rajon të caktuar dhe natyrisht i jep shumë protagonizëm liderëve të partive politike, ndryshe nga ligji mazhoritar, ku unë mbaj mend që, pa përjashtuar rolin e rëndësishëm të liderit të një subjekti politik, kishte shumë protagonizëm edhe nga kandidatët për deputetë në zona të caktuara. Madje unë do të thoja që një ndër momentet që është diskutuar në momentet e ndryshimit të ligjit për ta kaluar atë nga mazhoritar në proporcional-rajonal ishte pikërisht ulja e protagonizmit të personit, i cili në momente të caktuara merrte edhe nuanca dhe fizionomi antagoniste në terren dhe besoj kjo ka qenë një nga arsyet që u ndërtua ky ligj, një prej shumë arsyeve.
Gazetari: Megjithatë, dhe kësaj radhe nuk munguan dhe nuk po mungojnë incidentet, thyerje zyrash, rrahje kandidatësh, djegie flamurësh?
Presidenti Topi: Unë nuk mendoj që nuk janë elementë të qytetarisë. Shpresoj që ato të jenë raste të izoluara, shpresoj të jenë raste më shumë të amplifikuara, përtej asaj që ka ndodhur natyrisht, dhe shpresoj tek e fundit që të jenë raste që mund të konsiderohen të konkluduara. Pra, ditët e mbetura të jenë ditë të një harmonie, edhe të një beteje politike midis partive dhe të individëve që marrin pjesë në këtë fushatë, por besoj edhe të militantëve dhe zgjedhjet e përgjithshme politike të vitit 2009, sikurse është thënë jo vetëm nga unë, por edhe nga shumë të tjerë, duhet të konsiderohen si një festë e demokracisë, pasi ne jemi në përfundim, në mbyllje të tranzicionit, që unë jam i bindur që jemi në mbyllje të tranzicionit, sepse Shqipëria sot është një vend i NATO-s, ç’ka do të thotë që pëgjegjësia dhe serioziteti për administrimin e zgjedhjeve duhet të jetë maksimal, por jemi dhe një vend që kemi aplikuar për në Bashkimin Evropian, ç’ka do të thotë që standardet evropiane, që ne i themi në mënyrë të vazhdueshme në diskurset tona politike, duhet patjetër t’i aplikojmë me seriozitet demokratik.
Gazetari: Zoti President, si e përjetuat ngjarjen e Qerretit?
Presidenti Topi: E përjetova sikurse do ta përjetonte çdo njeri me ndjesi humane. Një ngjarje tragjike dhe përfytyroni që ndodhi në metropolin Tiranë-Durrës aty ku siguria mendohet të jetë maksimale, ndodhi në një moment kur të gjithë kanë mundësi të ndjekin fushatën elektorale edhe nëpërmjet kanaleve televizive që sot janë me shumicë në vend. Kanë mundësi ta ndjekin dhe të arsyetojnë në mënyrë të qytetëruar dhe besoj që janë ngjarje që nuk i takojnë një vendi, i cili aspiron që mbas pak kohësh të jetë vend i Bashkimit Evropian.
Gazetari: E megjithatë edhe kjo ngjarje nuk i shpëtoi politizimit.
Presidenti Topi: Po, sigurisht që do të marrë nuancat e veta politike, sepse edhe sfondi, në disa raste aty ku ndodhin incidentet, sfondi është politik. Mos mendoni që inspirohen thjesht nga lidershipi politik. Por kur flasim për një sfond politik, kemi parasysh tërë strukturën vertikale që kalon deri tek militanti i thjeshtë. Në rast se militantët do të orientohen në një diskurs elektoral agresiv, natyrisht që edhe ata do të orientohen në xheste, të cilat nuk shkojnë aspak me standardet e qytetarisë. Kjo nuk do të ishte mirë për stadin ku është Shqipëria sot që fjalimet politike që janë në vullnetin dhe në objeksionin e çdo lideri politik dhe, nuk mendoj që unë duhet të interferoj, por mesazhet duhet të jenë të qeta dhe ato duhet t’i bindin njerëzit dhe unë nuk mendoj që gjuha e ashpër është ajo që realizon dhe grumbullimin e votave.
Gazetari: Zoti President, siç e thatë dhe ju, vetë fushata duhej të ishte një festë demokratike, por po shndërrohet më shumë në një teatër mediatik, me përplasje, apo replika banale dhe duket sikur njerëzit po dekurajohen të shkojnë e të votojnë, se sa të marrin pjesë në votime. Si e mendoni ju një qëndrim të tillë?
Presidenti Topi: Jo unë besoj që nuk duhet ta përgjithësojmë, pra duhet të jemi selektivë në analizë. Personalisht kam ndjekur debate dhe i kam ndjekur me vëmendje dhe me ëndje, por padyshim ka pasur dhe debate, të cilave i jam larguar me dëshirë. Këtu ka shumë rëndësi profili i liderit, apo i përfaqësuesit politik në debat, ka shumë rëndësi çfarë artikulon, si e strukturon frazën ku janë piketat që ai do të arrijë në debat. Ai debat që precipiton në tensione dhe shkëmbime të rëndomta batutash, besoj që pas rreth 20 vitesh demokraci janë jo atraktivë për publikun që i ndjek. Unë jo më larg se sot kam ndjekur në një nga stacionet televizive një lloj sondazhi qytetar. Sot me kënaqësi mund t’ju them që niveli qytetar, qoftë dhe ai që konsiderohet ‘vox populi’, është i pëlqyeshëm, ç’ka do të thotë që njerëzit sot nuk janë të painformuar politikisht, nuk janë të painformuar për situata të jetës ekonomike, nuk janë të painformuar për perspektivën e tyre, ç’ka do të thotë që lidershipi politik i të gjitha partive duhet të kuptojë që mesazhet politike dhe elektorale nuk mund të jepen në një mënyrë të papërpunuar. Nga njëra anë kemi rritje të staturës së disa politikanëve të rinj, por nga ana tjetër më vjen keq që disa politikanë ende vazhdojnë me gjuhën e një retrospektive politike, e cila nuk e nderon stadin politik ku ka arritur Shqipëria.
Gazetari: Dhe këtu në mënyrë të pashmangshme na del dhe roli i mediave, të cilat në fakt punojnë në një tension të jashtëzakonshëm gjatë kësaj fushate, edhe për shkak le të themi të mënyrës së të bërit fushatë, por edhe të kompromiseve që mediat kanë bërë në emër të informimit. Por, gjithësesi, ajo që unë ndjej si një njeri i medias, si një njeri që merrem çdo ditë me fushatën, ka një intimidim të jashtëzakonshëm ndaj medias. Jo më larg se sot, KQZ-ja u kthye në një arbitër të keq dhe politik ndaj mediave, duke ndarë në mënyrë arbitrare minutazhin pa përdorur asnjë lloj argumenti dhe duke përdorur standarde të dyfishta dhe të trefishta. Sa shanse ka që këto organe që shfaqen kaq të politizuara të jenë arbitra në procesin e numërimit dhe certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve?
Presidenti Topi: Unë nuk dëshiroj që të futem në aktivitetin e KQZ-së. Është një institucion tek i cili unë personalisht shpresoj shumë, shqiptarët shpresojnë shumë, sepse është institucioni i përckatuar me ligj që do të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve. Ju i bëtë një analizë interesante marrëdhënies që kanë mediat me politikën. Ju, zoti Balla mendoni që kjo situatë erdhi në dy javë, apo në tre javë?
Gazetari: Sigurisht që jo!
Presidenti Topi: Për të qenë i sinqertë them se jo. Media është instrumenti më i rëndësishëm i informimit publik. Unë kam kënaqësinë që të them që në të gjithë aktivitetin tim median e kam pasur një mike të vërtetë, kam qenë korrekt me median dhe media ka qenë korrekte me mua personalisht, por për të analizuar performancën e medias në lidhje me politikën, mund t’ju them që kohë pa kohe media, më vjen keq ta them sot, që ka njoftuar në orientime të caktuara politike dhe gati-gati ka marrë fizionominë e politikës. Ka tendenca të qarta që një orientim i caktuar politik të orientohet në një media të caktuar dhe një grupim tjetër politik të media të caktuar. Mua nuk do të më vinte mirë që kjo tendencë të theksohet. Sigurisht që jemi në prag të zgjedhjeve politike dhe mendoni se sa e rëndësishme bëhet media, përderisa si asnjëherë tjetër llogaritet minutazhi, llogariten sekondat, por duhet ta shikoni pak më gjerë. Do të mendoja dhe do t’ju thoja që ka pasur një dominim të dukshëm të partive të mëdha. Rregullat e demokracisë janë rregulla të hapura për të gjithë. Ai që futet të konkurojë, sigurisht që konkuron mbi bazën e asaj që të jep demokracia dhe ligji elektoral, por nuk konkuron me vetveten, por bën pjesë e një komunikimi publik dhe kërkon votën e qytetarit. Dhe meqë rregulli i demokracisë kërkon një lloj harmonizimi të interesave në të gjithë territorin, dhe të interesave të veçanta edhe të një grupi të vogël që mbështesin një parti të vogël politike, natyrisht që duke ruajtur proporcionet, krijohet hapësira dhe mundësia e komunikimit për të gjithë kontigjentin e njerëzve që konkurojnë. Unë natyrisht e njoh shkallën e relativitetit, njoh patjetër përmasat e partive, por nuk mund të krijojmë monopol, ne kemi qenë gjithnjë kundër monopolit. Monopoli do të thotë që të lesh të tjerët jashtë garës së tregut. Në rast se sot kemi një treg të hapur për politikën, mund të ketë difekte dhe handikape të ligjeve që janë miratuar, por unë mendoj që kemi mundësi për ta realizuar me korrektësi. Gati-gati kemi media, të cilat orientohen më shpejtë se sa politika drejt një varianti të caktuar. Ndërkohë që sot interesi i pushtetit të tretë duhet të shkojë në sinkron me vullnetin e qytetarëve. Ka një lloj kombinacioni ku politika lidhet me median, politika lidhet me elektoratin, media lidhet me elektoratin dhe duhet të dinë si të rrinë në raporte të caktuara. Në rast se prishet puna e këtyre forcave tërheqëse, që kanë rregullin e caktuar, natyrisht që prishet e tërë puna. Sot unë dëgjoj edhe nga njerëz të thjeshtë, të cilët ndërrojnë kanal. Ndërrojnë kanal, sepse vetë media, vërtet jemi në një fushatë elektorale, por duhet të dijë ta organizojë programin me radhë. Njeriu nuk ka nevojë të intoksiohet me mesazhe elektorale. Njeriu ka nevojë të zhvillojë jetën e tij në harmoni, të dëgjojë mesazhet elektorale, të dëgjojë vizionin e partive, të dëgjojë patjetër diskursin e liderëve politikë, të shikojë qartë se ku do të shkojë, ku janë prioritetet e programeve dhe të mos krijohet një lloj kakofonie, për të mos konsideruar kaos i programeve. Ai duhet të dijë të dallojë një parti të djathtë nga një parti e majtë. Ka elementë ku edhe vetë ata që marrin pjesë në garë nuk janë në gjendje të shohin thelbin e një programi të caktuar. Pra, në mënyrë që çdo njeri të jetë i orientuar, unë me këtë cilësi që jam sot këtu si President i Republikës, më intereson që zgjedhjet të jenë në një klimë të qetë, korrekte, të ketë një informacion të saktë për qytetarin, të ketë vizione të qarta, sepse jam i bindur që pas këtyre zgjedhjeve, rruga drejt Bashkimit Evropian është një bulevard i gjerë.
Gazetari: Nëse do të kalojnë siç duhet.
Presidenti Topi: Natyrisht, unë kam besim të plotë që këto zgjedhje do të kalojnë në mënyrë shumë të qetë, shumë korrekte dhe pavarësisht betejës elektorale që është e natyrshme, çdo vend e ka betejën elektorale, ne së fundmi kemi parë zgjedhjet në Itali, që është një vend me demokraci tradicionale dhe debati politik është i pranishëm, ndodhin edhe elementë që zakonisht nuk duhet të ndodhin në një vend me traditë elektorale, por tek jeta mbrapa fillon me qetësinë e institucioneve, një jetë normale edhe është jeta e një vendi, i cili prej kohësh është pjesëtar mjaft i denjë i familjes evropiane.
Gazetari: Ka disa mendime, kryesisht nga partitë e vogla, se ky Kod Elektoral që përcakton këtë mënyrë votimi, apo mënyrën e të bërit këtë fushatë po rezulton një eksperiment i dështuar, zoti President, në këtë moment. Mendoni se përpjekja për të rritur përfaqësimin në Kuvend i të gjithë krahëve në nivel kombëtar, çfarë është dhe thelbi i proporcionalit-rajonal, në fakt po çon në djegien e votave të votuesve të disa partive të vogla dhe të mesme, të cilat kanë mbetur jashtë koalicioneve të mëdha?
Presidenti Topi: Unë nuk mund t’i bëj komente ligjit, sepse është ligj të cilin e kam dekretuar. Madje mund t’ju them që jeni sot këtu me një ndër partizanët e ligjit proporcional-rajonal vite më parë. Në mos gaboj kam bërë analiza në shtyp që në vitin 1999 për këtë problem dhe herë pas here, sepse ligji proporcional-rajonal për një vend si Shqipëria, që ka specifikat e veta rajonale, dhe duke parë defektet që ka pasur ligji i vjetër që rajone të tëra nuk përfaqësoheshin në Parlament, ky ligj të jep mundësinë që të fusësh, qoftë dhe në mënyrë mekanike zonjat në Parlament, ndërkohë që Parlamenti ynë ka qenë shumë i varfër me pjesëmarrjen e femrave, të jep mundësinë të rritësh kualitetin e përfaqësimit dhe kualitetin e qeverisjes. Nga kjo pikëpamje unë bëj një analizë shumë pozitive për ligjin, por nuk jam në gjendje të flas për peformancën dhe dinamikën e partive të vogla elektorale, të cilat ndoshta i kanë bërë mirë llogaritë e taktikave elektorale, ndoshta i kanë bërë gabim.
Gazetari: Zoti President, në hyrje edhe të emisionit, siç e cituam, një nga ndërhyrjet, nga ato pak ndërhyrje që ju keni bërë në mënyrën e të bërit të kësaj fushate, një nga këto është ndërhyrja që ju bëtë ndaj femrave, ndaj kandidateve femra, të cilat Kodi Elektoral në fakt i përcakton në një kuotë pak më të saktë. Ju i krahasoni ato me kandidatë nga politikanët burra. Çfarë ju shtyu të këshilloni femrat kandidate në politikë të mos sillen si politikanët burra?
Presidenti Topi: Ju mos merrni një segment të thënies sime për t’i dhënë një konotacion negativ! Në rast se unë u drejtohem me një mesazh, u drejtohem me një mesazh shumë dashamirës.
Gazetari: Sigurisht!
Presidenti Topi: Jam ndër ata që nuk e kam ndarë fjalën nga veprat konkrete. Që të flasësh për rritjen e pjesëmarrjes së gruas në institucionet drejtuese, qoftë në politikë, qoftë në institucionet kushtetuese, duhet të kesh mundësinë të veprosh vetë. Sot, Kryetarja e Gjykatës së Lartë është zonjë, sot Kryeprokurorja është zonjë, sot gjysma e emërimeve në listën e nominimeve për Gjykatën e Lartë kanë qenë zonja, apo jo, një emërim në Gjykatën Kushtetuese është zonjë, dhe emërime të tjera. Pra, e kam fjalën që sot ne duhet të ndahemi në mënyrë përfundimtare nga ide, që i orientojnë femrat për të shkuar në mënyrë mekanike në Parlament. Ky është niveli politik i partive. Unë uroj që të rritet ky nivel politik! Ndonëse kam dyshimet e mia që ato nuk do të jenë thjesht pjesë e kontigjent i listave, por efektivisht do të rritet pjesëmarrja e grave në Parlament. Kam orientuar në mënyrë shumë dashamirëse për ndonjë episod të veçantë, ku eleganca nuk duhet t’i ndahet konstitucionit konstruksionit femëror. Në rast se ne themi në fjalimet tona politike, në analizat tona që politika ka nevojë për zbutje, natyrisht që unë nuk them që ka nevojë për zbutje të debatit politik, debati politik në demokraci është substancial, duhet të ketë debat të fortë, debat me argumenta, por jo me xhestikulacione. Dhe ai episod ka qenë shumë segmentar duke i dhënë një mesazh që natyrshmëria dhe feminiliteti i japin shumë vlerë politikës së sotme dhe i japin sensin e ekuilibrimit, të zbutjes, sepse po t’i kthehemi skenave parlamentare, është për të ardhur keq dhe nuk ke asnjë lloj dëshire edhe pse ke qenë dëshmitar në atë sallë Parlamenti. Ju i dini skenat dhe unë nuk dëshiroj t’i referohem skenave të dhunshme.
Gazetari: E pra dhe aty kemi patur një femër Kryetare Kuvendi.
Presidenti Topi: Unë nuk mund të them që përgjegjësia vjen nga femra që është në krye të Kuvendit. Kurrësesi nuk mund ta them këtë. Problemi është që ajo sallë e Parlamentit, sikurse ka zhvilluar ligje dhe debate shumë të rëndësishme, në raste të rralla ka precipituar në skena violente, të cilat për fat të keq qëndrojnë të fiksuara në memorien e gjithësecilit. Unë nuk besoj që Parlamenti shqiptar, në atë që do të projektohet pas zgjedhjeve të vitit 2009, do të marrë fizionominë e disa parlamenteve me ngjarje që zhvillohen diku në një parlament aziatik, ku njerëzit marrin karrigen për të demonstruar kundërshtitë e tyre politike. Unë mendoj që në një vend evropian, pesha e fjalës, forca e argumentit politik që transmetohet të projekton në fund pjesëmarrës.
Gazetari : Jemi drejtpërdrejt këtu nga Pallati i Brigadave. Sapo asistuam edhe në shkëmbimin e rojeve të Gardës së Republikës, një moment interesant, që tregon seriozitetin e shtetit, zoti President, apo jo? Megjithatë, serioziteti i një shteti demokratik janë padyshim zgjedhjet dhe ne, tashmë jemi në mes të javës së tretë të fushatës, fushatë gjatë së cilës, në fakt ju keni preferuar të qëndroni paksa mënjanë. Në fakt, ju po mbyllni dy vite të mandatit, të cilat nuk kanë qenë vite të lehta apo jo. Në teori, një President që vjen nga një mazhorancë solide duhet të kishte patur ditë të qeta, por juve ju ndodhi e kundërta. Heshtja juaj është shenjë kompleksimi apo heshtje institucionale?
Presidenti Topi: Lidhur me çfarë rasti? Me fushatën elektorale? Është absolutisht pozicioni korrekt kushtetues i Presidentit, i cili kurrsesi nuk mund të interferojë në çështje që kanë të bëjnë me përpjekjet e partive politike për të fituar pushtetin. Sigurisht, kam dhënë mesazhet e duhura, që jepen pa marrë asnjë lloj konotacioni, në funksion të mbështetjes të një partie të caktuar politike. Kjo është e dukshme. Sa më shumë vijmë drejt datës së zgjedhjeve, aq më shumë i kujdeshsëm bëhet pozicionimi i Presidentit të Republikës.
Gazetari : Ndaj e kam të vështirë t’ju pyes.
Presidenti Topi: Kurrsesi nuk mund të shihet si simptomë e kompleksimit, sepse këtë simptomë nuk e kam pasur asnjëherë në karrierën time politike.
Gazetari: Megjithatë, unë po ju pyes drejtpërdrejt. Si e përjetuat politikisht, personalisht, apo institucionalisht përjashtimin nga listat e deputetëve të PD-së, një pjesë emrash që nuk u përpoqën të fshihnin fare afrimin me ju, por që politikisht u përkufizuan si pakicë bllokuese?
Presidenti Topi: Ta futësh këtë bisedë sonte në këto kanale do të thotë që të më fusësh në ripozicionim të restrospektivës sime. Asnjëherë nuk më ka munguar kurajua për të bërë trajtuar, për të bërë analizën deri në qelizë të situatës politike, por të futem në këtë lloj bisede, sigurisht unë diskutoj për çështje që janë në parim, pa individualizuar persona. Unë, në karrierën time politike, kam pasur rastin të njihem nga afër me personalitete të shumta, të cilat jo gjithmonë arrijnë të shkojnë deri në fund. Ndoshta e ndërpresin momentalisht karrierën e tyre, edhe si pasojë e demonstrimit të një force të karakterit. Nuk dëshiroj të merrem në mënyrë analitike me ndonjë rast të veçantë, por është thënë dhe është stërthënë që politika është një biznes i vështirë. Politika në përgjithësi kërkon edhe maturimin, kërkon edhe veprimin, kërkon edhe kompromisin, por kërkon patjetër edhe demonstrimin e forcës së karakterit. Janë disa elementë, të cilët patjetër duhet të arrijnë një kulminacion fitues, përndryshe rrezikon ose të mos jesh sinkron me vendimmarrjen politike të një grupi të caktuar politik, ose presupozon një lloj nënshtrimi edhe të një vije politike, për të cilin ti nuk je i bindur. Kështu që unë respektoj gjithmonë vendimet individuale, vendimet personale, sidomos për ata persona për të cilët kam admirim dhe kam patjetër vlerësimin tim në lidhje me atë çka unë kam parë tek ata. Ju u munduat ta fokusonit në një drejtim, ndërsa unë them që episode të tilla i kanë të gjitha krahët e politikës, i ka pasur dhe e majta, i ka pasur dhe e djathta. Tek e fundit, thamë që politika është një konkurim në tregun e politikës. Asnjëherë këto vlera nuk mendoj që duhet të shuhen. Këto vlera vetëm transformohen. Politika është e tillë që, kur njeriu ka motivacionin dhe angazhimin për të vazhduar politikën, mund të gjejë fare mirë vendin e vet për t’u ndjerë i lirë në prononcimin e ideve, ku në disa formate politike të ngurta, nuk gjen forcën e shprehjes së lirive të veta, që besoj është një e drejtë universale e çdo njeriu, pavarësisht nëse merr pjesë në një formacion politik apo jo.
Gazetari : Përshembull këto lloj figurash mund të ishin edhe pjesë e stafit të Presidentit?
Presidenti Topi: Unë nuk kam bërë llogaritje apo kalkulime në ndërtimin e stafit. I kam pasur mundësitë pafund për të zgjedhur dhe nuk i shkoj këtyre konjukturave për të ekstraktuar ato vlera që dalin nga... Gjithsesi, ky treg është i hapur, sikurse thashë. Tentoj që edhe në vazhdim, unë të rris kualitetin e stafit që unë drejtoj.
Gazetari: Flitet gjithmonë për krahun tjetër, por që në fakt, është vënë re, në përgjithësi nga të gjithë, në procesin e selektimit të emrave për kandidatë për deputetë, dukshëm është parë që kryetarët e partive kanë pasur një vendimmarrje thuajse absolute. Si e shikoni faktin që emra ‘të vjetër’, ose me eksperiencë, që kanë pasur një kontribut, të cilin unë po e fus deri në vlerë absolute këto 18 vjet, sot janë jashtë këtyre listave. Si e shikoni këtë fenomen?
Presidenti Topi: Është çështje e perceptimit të partive politike. Kurrsesi nuk do të bëja atë gabim që të futesha në vizionin dhe vendimmarjen e partive respektive në Shqipëri. Ndoshta, ndoshta për të diskutuar gjithmonë parimisht dhe për të mos u keqkuptuar në atë që unë them, ndoshta ka të bëjë me nivelin dhe shkallën e demokracisë së partive politike në Shqipëri. Pra, unë do ta përmblidhja pikërisht në këto dy-tre elementë: niveli i demokracisë së partive dhe shtabi në të cilin ndoshta interlokutorët politikë në një parti arrijnë të shprehen, ndonjëherë krijojnë edhe bezdisje brenda grupeve politike dhe nuk u japin atyre shansin që të jenë atraktivë për të vazhduar betejën së bashku.
Gazetari: Zoti President, politikisht këto zgjedhje janë të rëndësishme edhe për ju. Me ndryshimet kushtetuese, pozicioni i Presidentit është bërë natyrisht më vulnerabël, që ju e patët kontestuar, megjithëse e firmosët menjëherë atë, kur ato ndodhën. Bashkë kemi qenë në një intervistë në ‘Top Channel’, ku ju i kontestuat fort ata dhe ashpër, parimisht, ndryshimet kushtetuese. Gjithsesi t’i rikthehemi pozicionit të Presidentit, kushtetueshmërisht është pak më vulnerabël se ç’ka qenë më përpara. Zëvendësimi apo heqja e tij, apo emërimi i tij, tashmë është një vendim shumë i thjeshtë nga parlamenti i Shqipërisë. Le t’i kthehemi pak raporteve që ju keni me krahët politikë, p.sh. me shumicën aktuale ju vetë keni deklaruar që raportet janë vetëm institucionale.
Presidenti Topi: Nuk ka më mirë se sa të jenë institucionale, d.m.th. që ti i shkëputesh në mënyrë shumë virtuale, së paku të gjithë atyre gjërave që thuhen në tregun politik, që ti je i lidhur, je i afeksionuar pas një linje të caktuar politike. Të arrish të thuash dhe ta provosh që ke arritur marrëdhënien institucionale, atëherë do të thotë që ke garantuar suksesin e këtyre marrëdhënieve.
Gazetari: Jo më të lehtë do ta keni ju pas 28 qershorit, nëse do të ketë një rotacion të pushtetit, pasi për opozitën aktuale, pikërisht ardhja juaj në karrigen e Kreut të shtetit në korrik të 2007-ës, personifikon politikisht për një arritje më të ulët. Dhe, nëse ata do të vijnë në pushtet, do t’ju duhet të bashkëpunoni dhe për 3 vjet të tjera, deri në 2012, ku me gjasa që ju mund të kërkoni një mandat të dytë presidencial, me gjasa flas.
Presidenti Topi: Unë jam mësuar që të realizoj me shumë korrektësi detyrën që kam. Nuk jam tip që ëndërroj, absolutisht. Sigurisht, bëj parashikimet e mia, por këto parashikime në politikë duhet të jenë hap pas hapi, dhe nuk ka shumë rëndësi për mua se ç’ndodh mbrapa. E rëndësishme është që të administroj me shumë korrektësi, sipas detyrimit konstitucional detyrën e Presidentit të Republikës. Kurrsesi nuk do të bëhesha palë për të bërë previzione se ç’do të ndodh pas datës 28 qershor. Kjo është një çështje që ka të bëjë me vullnetin e elektoratit. Njeriu mund të bëjë një mijë analiza dhe duhet të jetë korrekt që këto analiza t’i bëjë me vetveten. Por, kurrsesi këto analiza nuk mund t’i bëjë me një të dytë, sepse në rast se unë do të shkoj në formatin që kam përcaktuar për të qenë shumë korrekt në këtë pozicion, kurrsesi, qoftë dhe subjektivisht, të influencoj tek një person tjetër, cilido qoftë ai. Kështu që ju, deri më sot, nuk keni parë, nuk keni dëgjuar. Ju e thatë dhe vetë që kam pasur një qëndrim gati-gati indiferent, pikërisht për të demonstruar pozicionin që duhet të mbajë Presidenti i Republikës, që nuk ka të bëjë me zgjedhjet në kuptimin e mbështetjes të një vije politike të caktuar, por ndjek me shumë vëmendje të gjithë korrektësinë e zbatimit të ligjit dhe natyrisht të detyrimit që ka vetë Presidenti lidhur me zgjedhjet.
Gazetari: Megjithatë në këtë fushatë, një nga ato pak pikat ku ju jeni përfshirë dhe keni folur publikisht, ka qenë shqetësimi se drejtësia dhe platformat për të, po mungojnë në diskursin politik. Tingëlluat pothuajse i befasuar, por nuk e kuptoj se pse befasoheni, sepse të dy krahët e politikës, sa herë kanë qenë në pushtet, kanë pasur gjithmonë probleme me drejtësinë, kanë pasur gjithmonë probleme me prokurorinë, kanë pasur gjithmonë probleme me gjykatat. Dhe mjafton t’ju kujtosh reformat për NATO-n në prillin e 2008-ës, nisën me drejtësinë por më pas u bllokuan, sapo drejtësia filloi të merrej me politikën. Sot shohim një përplasje të tmerrshme politike me prokurorinë, aq sa dikush po e quan parti politike prokurorinë. Por jo më pak parti politike është kthyer edhe Gjykata e Lartë, e cila ka bërë që të dështojnë që në procedurë, që në fillim, disa nga proceset më të rëndësishme e më të mëdha e nga më të përfolurat në dy vitet e fundit.
Presidenti Topi: Së paku, duhet të dini që në lançimet e mia publike, në dhënien e mesazheve, nuk ndjehem i befasuar. Njeriu ndihet i befasuar kur e ka përfytyruar ndryshe realitetin dhe i del ndryshe, ose ndihet i befasuar kur nuk e ka ndjekur dhe i vjen diçka papritur. Tek unë nuk ka ndodhur as e para, as e dyta. Unë kam qenë gjithmonë i vëmendshëm për të ndjekur rrjedhat politike, por ajo që unë kam dashur të jap me mesazhe, është pikërisht ajo që mund të ndodhë pas datës 28 qershor.
Gazetari: Çfarë mund të ndodhë?
Presidenti Topi: Ku pavarësisht se kush mund të jetë fituesi apo humbësi, do të duhet patjetër një bashkëpunim për reformat e drejtësisë, sepse është një nga kushtet prioritare që komuniteti evropian i është drejtuar Shqipërisë për realizimin e reformave në drejtësi. Dhe ju e dini që ka një specifikë, që në shumicën e ligjeve që kanë të bëjnë me drejtësinë, votimi konsiderohet i cilësuar. Pra, jo një votim i thjeshtë, me një shumicë absolute votash, por ka ligje që shkojnë me 84, ka ligje që shkojnë në numër tjetër, por gjithsesi janë më shumë se 71 vota. Kështu që unë nuk dëshiroj dhe si unë besoj, janë dhe shumë të tjerë, që të ketë ngërçe në parlament lidhur me miratimin e ligjeve, sikurse ndodhi me Ligjin e Gjykatës Administrative. Pra, vullnetet politike nuk duhet të jenë frenuese kurrësesi. Të motivohesh politikisht, të shprehësh vullnet politik për çështjet parimore, unë nuk besoj që është pjesë e taktikave elektorale. Të shprehësh vullnetin do të thotë që ti je i vendosur që atë çka e thua, në mënyrë shumë frekuente, gati-gati me një inflacion demagogjik që ne do të shkojmë në Evropë, do të shkojmë duke realizuar standarde. Nga ana tjetër nuk shprehen për një gatishmëri, për të miratuar me konsensus mbi bazën e ekspertizave evropiane, mbi bazën e ekspertizave që japin misionet që janë mjaft të kualifikuara që veprojnë në Shqipëri, dhe për të mos kaluar në ngërçe, të cilat mund t’i kursehen Shqipërisë.
Gazetari: Po bëj rolin e moderatorit, për balancim, duhet të përmend edhe ndonjë rast tjetër përveç Gjykatës Administrative. Ka raste të tentativave për kontroll apo për demagogji lidhur me drejtësinë, ka pasur dhe nga krahu tjetër apo jo? Mjafton të kujtoj “Ligjin e Lustracionit”, që edhe atë ju e kontestuat, pavarësisht se institucionalisht e keni miratuar.
Presidenti Topi: Mos mendoni që duke folur, unë aludoj për një krah? Në mënyrë absolute jo! Në rast se juve do t’i riktheheni dhe njëherë asaj çështjeje, që unë do t’i rikthehesha me shumë dëshirë, por në një kontekst tjetër. Është folur shumë dhe kam qenë një nga ata që kam dëshiruar që kjo çështje të marrë një zgjidhje definitive. Por unë nuk jam ‘i sigurt’, nëse partitë politike, tek personat që kanë katapultuar në garën elektorale, i kanë pastruar radhët e tyre nga bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Kjo është një çështje që ka të bëjë me vullnetin e partive politike, me metodikën, seriozitetin e tyre dhe kjo vlen më shumë për ata që kanë më shumë informacion, se dikush mund të mos ketë informacion dhe duhet të dijë të kërkojë informacion. Jo! Kanë qenë shumë në qeveri, por janë ndërruar vazhdimisht. Kam përshtypjen që palët kryesore kanë informacion. Sot edhe në rastin kur nuk ke informacion, në rast se je i motivuar që realisht të pastrosh politikën nga bashkëpunëtorët, duhet të kërkosh informacion, informacion i cili mund të jetë konfidencial dhe të bën të parandalosh infektimin e politikës së re parlamentare me njerëz, që vijnë nga radhët e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Kështu që dhe unë dëshiroj të them që, i gjithë diskursi politik në funksion të pastrimit të “Ligjit të Lustracionit”, duhet të jetë kompatibël me vullnetin e brendshëm të çdo lideri politik. Ndryshe pastaj, koha do të vërtetojë, pavarësisht nga pengesat, do të vijë një ditë që gjithçka do të jetë transparente. Do të jetë transparente për cilindo, i cili ka qenë dhe është fshehur për t’u bërë pjesë e garës politike, dhe kurrsesi nuk do t’i barazoja me ato që kanë zgjedhur të kenë fatin e tyre, pa u bërë protagonistë në politikë, pa u bërë interpretë të fateve të njerëzve dhe pa u bërë vendimmarrës për hallet dhe fatet e popullit të tyre. Unë i konsideroj fatkëqinj ata që kanë bërë pjesë e infrastrukturës së Sigurimit të Shtetit, por do t’i gjykoja me nota shumë negative, gati-gati të ashpra, ata që e kanë ditur që janë pjesë e infrastrukturës së Sigurimit të Shtetit dhe ende sot tentojnë të zhvillojnë gara elektorale në një kohë kur kanë bërë debat, kanë qenë pjesë e një debati të ashpër dhe sot janë me aspiratën për t’u futur në parlament. Kjo do ishte e pafalshme, jo vetëm për ata që marrin pjesë, por edhe për ata që i kanë certifikuar.
Gazetari: Unë do të doja ta komentoja këtë deklaratë tuajën të fortë, por dhe po ia lë edhe kolegëve të mi të shtypit të shkruar. Megjithatë le t’i rikthehemi drejtësisë dhe funksionimit të saj. Për një pjesë të mirë opinionit publik, deri diku po mendohet se ka një dështim sistemi. Sa është faji i institucioneve, sa është faji i politikës, zoti President?
Presidenti Topi: Unë nuk mendoj se ka sistem të keq në drejtësi, aq më shumë që sistemi në drejtësi ka qenë vazhdimisht i asistuar nga misione shumë të rëndësishme, nga personalitete mjaft të shquara të jurisprudencës botërore, por besoj që është faktori njerëzor ai që e bën sistemin vulnerabël. Vazhdimisht, ju e keni parë, në të gjitha mesazhet që unë kam dhënë herë pas here, kam bërë thirrje për një pavarësi të institucioneve të drejtësisë nga politika dhe nga bota e krimit ekonomik. Përgjithësisht, sot, jemi në qershorin e vitit 2009, relativisht unë shikoj që ka progres në raportet midis politikës dhe gjyqësorit, përsa i përket ndikimit. Flas me terma relativë dhe jo absolutë. Dhe unë e shikoj sot më shumë të keqen, jo tek politika për të influencuar tek gjyqësori, se sa tek predispozicioni i disa gjyqtarëve për të qenë peng i politikës dhe i botës së krimit ekonomik. Duhet të jemi të ndershëm, duhet të jemi profesionalë në vlerësim dhe në klasifikim. Ka prokurorë, ka gjyqtarë që janë shumë të ndershëm. Ka prokurorë e gjyqtarë që natyrisht nuk janë të ndershëm, që bëhen pjesë e pazareve, që bëhen pjesë e asaj bote, të cilën ne nuk dëshirojmë që ta kemi pasur fare në rrugën e integrimit. Ne duhet të krijojmë një sistem drejtësie të shëndoshë dhe kjo pikërisht më jep të drejtën të them që nga një ekzaminim i përgjithshëm të futemi në një ekzaminim individual. Sot përgjegjësinë për indipendencën në gjyqësor, në sistemin e drejtësisë në përgjithësi dhe në vlerësimet e gjyqeve, patjetër do t’i jepja shumë vlerë karakterit individual të çdo njeriu, sepse ai përbën të tërën. Në rast se pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe e prokurorëve do të jenë me integritet moral, do të jenë profesionistë, atëherë barriera për t’u individuar do të jetë shumë e fortë. Përgjithësisht, unë mendoj që ka një progres dhe uroj që ky progres të thellohet.
Gazetari: Zoti President, unë do t’i rikthehesha sërish çështjes së drejtësisë, sidomos në përplasjet tuaja evidente tashmë midis Kreut të Prokurorisë dhe Gjykatës së Lartë. Do t’i rikthehem disa temave më konkrete. Gërdeci është temë fushate sot për fat të keq, por padyshim është pasqyrë edhe, në njëfarë mënyre, e dështimit të punës dhe të funksionimit të sistemit të drejtësisë, së bashku me çështjen ‘Fazlliç’, dështimin e hetimeve për rrugën Rrëshen-Kalimash. Sa e shihni këtu përgjegjësinë e vetë Prokurorisë së Përgjithshme, që së paku në dy raste, ka qenë në dështim, për shkak procedurash të ndjekura gabim?
Presidenti Topi: Për shkak të ndjeshmërisë publike, unë nuk dëshiroj të futem në asnjë element të veçantë, absolutisht! Unë dëshiroj të jem korrekt, dëshiroj që dhe ju të jeni korrekt në orientimin e pyetjeve! Është shumë e rëndësishme kjo.
Gazetari: Po flas për drejtësinë, jo thjesht për Prokurorinë.
Presidenti Topi: Kur flasim për Prokurorinë dhe kur flasim për institucionet, të cilat janë institucione kushtetuese, janë institucione që kanë një ligj organik mbi të cilin veprojnë dhe kanë bazuar veprimtarinë e tyre, unë besoj që institucionet tona kanë nevojë të rriten profesionalisht, pse jo të pastrohen nga njerëz që kanë pasur shumë pak profesionalizëm dhe shumë militantizëm, dhe unë nuk besoj që kjo mund të vijë në një ditë, por e rëndësishme është që të ketë një tendencë të qartë, që këto institucione nuk do munden të vazhdojnë nën hijen e politikës dhe të intimiduar nga politika. Ato do të jenë të fortë si institucione, vetëm në momentin kur do të kenë një strukturë të fortë, do të kenë personalitete me integritet dhe do të jenë profesionalisht të fortë. Përndryshe, në rast se ti nuk je i aftë në profesion, ti je i dobët dhe je i influencueshëm në të gjitha konjukturat.
Gazetari: Jam dakord me ju që s’duhet të ketë prononcime, megjithatë edhe për çështjen e Gërdecit, edhe gjatë fushatës nuk kanë munguar insinuatat edhe në drejtimin tuaj, të përgjegjësive që ju mund të keni pasur lidhur me çështjen e Gërdecit.
Presidenti Topi: Konkretisht?
Gazetari: Lidhur me hierarkinë e komandës, kontrollin e aeroporteve, informimin që ju duhet të kishit pasur si Institucion i Presidentit të Republikës?
Presidenti Topi: Atëherë, më lejoni që për herë të parë, sot, rreth një çështje që unë nuk do të dëshiroja që ta bëja pjesë e bisedës sime për shkak të ndjeshmërisë së lartë publike…
Gazetari: …Po jua them, meqënëse është folur…
Presidenti Topi: Meqënëse ju insistuat dhe meqënëse e orientuat pyetjen tek unë, mendoj që ta mbyllim tek unë. Unë jam zgjedhur President në korrik të vitit 2007. Ndërkohë që të tëra procedurat për ngritjen e fabrikës në fjalë dhe të gjitha vendimet kanë qenë të marsit dhe të prillit të vitit 2007. Besoj që ju mjafton kaq për të analizuar dhe për të kuptuar se ku ekziston përgjegjësia personale. Kam qenë unë ai që në krye të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, kam hedhur kritika që kanë qenë shumë objektive për të gjitha ato institucione, të cilat do bënin punën e tyre, s’do bënin punën time; punën e tyre, mbi bazën e ligjeve respektive siç duhet ta kishte çdo institucion për të bërë të mundur dhënien e informacionit, problematikën edhe sot e kësaj dite. Në Shqipëri, në zona të caktuara bëhet demontim. Ka informacion të vazhdueshëm që këtu bëhet demontimi. Puna është se kush ta jep informacionin për çrregullimet. Institucionet duhet të dinë, jo të thonë që organizmi ka shëndet të mirë, ndërkohë që ky organizëm ka një problem shëndetësor të caktuar. Puna është se kush diagnostikon të keqen. Pra, problemi i seriozitetit dhe i profesionalizmit të këtyre institucioneve, që nuk ka të bëjë thjesht me atë që ka ndodhur, por edhe me perspektivën. Duhet të dinë të mos japin informacione sipërfaqësore, por të japin informacione shumë profesionale, ku secili të marrë përgjegjësinë e vet. Kështu që nga kjo pikëpamje, unë mendoj që shumë gjëra i kam lënë të rrjedhin, të rrjedhin. Unë e di që ka dhe shumë abuzime në të gjithë debatin politik, por e vërteta është kjo – e vërteta është që në vitin 2007, në korrik, përsa i përket momentit të ardhjes sime në këtë Institucion, gjërat ishin projektuar, ishin realizuar dhe po punohej.
Gazetari: Mirë, rikthehemi me Presidentin Bamir Topi pas pak në “Top Story” në pjesën e tretë të bisedës, kësaj radhe për procesin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti dhe probleme të tjera. Natyrisht një apel i fundit i Presidentit për shqiptarët para zgjedhjeve.
Takohemi sërish këtu me banorin numër 1 të këtij Pallati, me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, rreth një orë në një intervistë ku mesazhet, pa dyshim kanë qenë konkrete, madje edhe të forta për disa aspekte.
Zoti President, le t’u kthehemi zgjedhjeve. Ka një gjendje më tepër amullie, paqartësie dhe përplasjeje informacionesh të ndryshme, asnjëherë të kontrollueshme ose të verifikueshme në mënyrë përfundimtare për procesin e pajisjes me letërnjoftimi. A e keni ndjekur këtë proces dhe si e vlerësoni atë?
Presidenti Topi: E kam ndjekur me shumë vëmendje, seriozitet dhe e ndjek sa më shumë i vjen afati përmbyllës...
Gazetari: Që është dita e nesërme.
Presidenti Topi: Po. E ndjek me frekuencë të lartë.
Edhe një herë kam rastin dhe dua ta shfrytëzoj atë, duke ditur audiencën e lartë të misionit tuaj, u bëj një thirrje shumë të sinqertë të gjithë qytetarëve që nuk kanë aplikuar ta shfrytëzojnë ditën e nesërme. Le t’i bëjmë disa gjëra ashtu siç dimë t’i bëjmë ne, me aksion, sepse për fat të keq, ne i lëmë punët për sekondën e fundit.
Gazetari: Të gjithë mesdhetarët kështu e kanë.
Presidenti Topi: Për fat të keq. Le ta shfrytëzojmë këtë ditë të fundit! Kështu bën studenti që shfrytëzon ditën e fundit të provimit, aq më shumë t’u bëj thirrje atyre që tashmë kanë aplikuar, të cilët duhet të shkojnë t’i tërheqin. Është një marrëdhënie qytetare pikërisht me atë akt që është shumë i rëndësishëm, akti i identifikimit të vetvetes. Ne jemi munduar që ta limitojmë vetëm me mundësinë për votim, vetëm për një çast që është shumë i rëndësishëm për jetën e tyre, por letërnjoftimi është shumë i rëndësishëm, me një vlerësim shumëdimensional për një njeri që jeton në një realitet që nesër mund të jetë më i mirë. Një nga vlerësimet negative që ne marrim është pikërisht çështja e pajisjes dhe identifikimit të njerëzve dhe nxirret si një pengesë administrative që mund të jetë reale. Ju e dini që Evropa, në të gjitha marrëdhëniet administrative, nuk të fal. Ne duhet t’i shërbejmë vetvetes që të realizojmë atë që kemi aspiruar, lëvizjen e lirë; kështu që u bëj thirrje shtetasve sinqerisht që ta vlerësojnë këtë çast.
Thirrja ime tjetër është: Zgjedhjet e datës 28 qershor të vlerësohen si një etapë e rëndësishme në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Evropë. Këto fraza duket sikur janë kthyer në stereotipike, por ju siguroj se brenda tyre është elementi shumë i rëndësishëm për jetën e gjithsecilit.
Është e natyrshme që shoqëria të ketë një formim diferencial kulturor dhe të edukatës. Nuk besoj se duhet të rrimë indiferentë për ta thënë këtë me zë të lartë. Çështja e identitetit ka të bëjë me seriozitetin e shtetit. Mendoj se duhet të jenë të gjithë gojëtarë e të shprehen me forcë që të gjithë ata që nuk janë pajisur me dokumentin, të pajisen. Kjo është çështje e përzgjedhjes së metodikës. Ne mund të kishim diskutuar...
Gazetari: Në fakt, desha t’ju pyes pikërisht për atë proces që u zgjodh edhe nga autoritetet në mirëkuptim edhe me partitë politike të opozitës, mënyra sesi u pajisën shtetasit ose sesi u thirrën shtetasit për t’u identifikuar, ndërkohë që normalisht duhet të jetë shteti që të shkojë dhe të identifikojë shtetasin e tij.
Presidenti Topi: Ndonjëherë tjetër mund ta bëjmë bashkë këtë analizë, zoti Balla. Pas zgjedhjeve të datës 28 qershor mund të realizojmë një analizë të tillë “post faktum”, sepse nuk ka qenë përgjegjësi e këtij institucioni për të parë metodikën dhe mekanizmat e pajisjes. Përgjegjësitë këtu janë specifike. Ju e dini që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin “Për zgjedhjet”, ka miratuar një strukturë të monitorimit, sepse ka pasur një komision “had-hok”. Ju e dini se për çdo komision kuvendar, përveç angazhimeve politike, ka edhe shpenzime financiare. Unë mendoj se përgjegjësia është e madhe te ky komision.
Gazetari: Që, në fakt, nuk ka funksionuar asnjëherë.
Presidenti Topi: Realisht nuk ka funksionuar. Të bësh sot debat, kur kanë mbetur, në mënyrë figurative, “pak orë”, sepse po të shumëzosh 10 ditë me 24, janë 240 orë; po shkojmë drejt ditës së zgjedhjeve. Të bësh këtë debat sot, do të thotë të çorientosh publikun. Sot mesazhi që duhet të vijë është të rikuperojmë atë që është e mundshme për ta rikuperuar. Të gjitha partitë politike duhet të harmonizohen në një zë, që t’u thonë përkrahësve të tyre që nuk kanë të njëjtin formim, që të pajisen mekanizmat kompensatorë që u panë rrugës, u miratuan nga partitë. Unë do të bëja një thirrje tjetër që i takon këtij Institucioni: Organet e shërbimeve inteligjente, të policisë së shtetit dhe të prokurorisë duhet të ndjekin me shumë seriozitet zbatimin e ligjit, që do të thotë se ato dyshime që hidhen nga partitë politike për keqpërdorimin apo prodhimin e letërnjoftimeve, gjë që unë nuk dëshiroj ta besoj, por në rast se dyshohet, shteti dhe strukturat e tij kanë për detyrë të ndjekin procesin. U bëj thirrje që ta ndjekin dhe zbatojnë ligjin, ç’ka do të thotë se çdo njeri, që i është futur një rruge të tillë, për të cilën unë nuk besoj të jetë e vërtetë, por e marrim si rast hipotetik, këto organe duhet të jenë patjetër në veprim dhe të japin dënimin e merituar për cilindo që do të tentojë të falsifikojë një proces që shihet me shumë seriozitet. Ai, si njeri mund të tentojë të falsifikojë, mund të tentojë të modifikojë, mund të tentojë të dalë nga standardi i zgjedhjeve, por ajo nuk është përgjegjësi individuale e një grupi njerëzish, por përgjegjësi e shtetasve shqiptarë, të cilët kanë vite që ëndërrojnë lëvizjen e lirë dhe marrin në konsideratë nga familja evropiane për vlerësimin e standardit të zgjedhjeve. Është një përgjegjësi shumë e rëndë që nuk besoj se bëhet me fjalë dhe debate politike, nuk duhet bërë kurrë me aludime e hamendësime, por duhet të bëhet me kontrollin hap pas hapi të gjithë procesit; janë strukturat e mekanizmat, por ka edhe misione ndërkombëtare që e vëzhgojnë.
Gazetari: Këto misione ndërkombëtare shpesh herë dalin me një farë parapërfundimi se çdo zgjedhësi i duhet mundësuar e drejta universale e votës, ç’ka kuptohet me atë që çdo zgjedhës shqiptar, i aftë për të votuar, duhet të ketë të gjitha mundësitë që në datën 28 qershor të zgjohet në mëngjes dhe të vendosë ai nëse do të shkojë apo jo për të votuar. Kjo duket pak larg.
Presidenti Topi: Dua të jem jashtëzakonisht korrekt dhe i sinqertë. Ju e dini që mesazhet e mia janë shumë të hapura. Vetëm unë personalisht kam dhënë mbi dhjetë mesazhe promocionale, nëpërmjet të cilëve i kam ftuar njerëzit të shkojnë dhe të aplikojnë. Vërtet mund të ketë ndonjë parregullsi, që unë dëshiroj të mos futem përderisa nuk më takon të futem, por unë mund të konstatoj se ka pasur sportele me orë të tëra që kanë qenë bosh. Askush nuk i ka penguar këta njerëz që të shkojnë e të aplikojnë. Mos kujtoni se informacionet e mia janë amatoreske. Unë i marr ato duke injektuar interesimin me njerëzit e strukturave të shtetit, me këshilltarët, me njerëz të pushtetit vendor, por në rast se shtetasi nuk dëshiron dhe nuk e ka detyrim të që shkojë ta marrë, atëherë gjithçka lidhet me të; është njësoj si me vullnetin për të shkuar atë ditë në zgjedhje. Në rast se do të kishte një frenim, unë ftoj të gjithë ata që i shohin, po patën mundësi t’i denoncojnë, sepse bën pjesë e një ndëshkimi ligjor. Nga ana tjetër, duhet t’i shohim gjërat me shumë realizëm, aty ku janë sportelet, mund të ketë parregullsi, mund të mos ketë energji elektrike, por në substancë, them që aty ku janë sportelet hapur dhe njerëzit nuk shkojnë të aplikojnë, është faji i këtyre njerëzve.
Gazetari: Indiferenca ndëshkohet.
Presidenti Topi: Në rast se shtetasi ka pasur mundësi dhe ka aplikuar, pse nuk shkon ta marrë letërnjoftimin?!
Gazetari: Siç thuhet në raportimet mediatike që përdoren edhe politikisht, si mund të shkojë një person që banon në një fshat të thellë, ka aplikuar, ka shkuar disa herë dhe e gjen mbyllur.
Presidenti Topi: Nuk mund të futem në elementë të veçantë, por them se kjo kërkon një analizë jashtëzakonisht specifike për rastet konkrete; kam mendimin se ky është roli i partive politike, të denoncojnë rastet konkrete, në mënyrë që kur të hedhin akuzat, t’i hedhin mbi faktet konkrete. Edhe njëherë shprehem se nxis autoritetet e ngarkuara me ligj që të shohin nëse këto veprime ekzistojnë dhe kanë qenë të vullnetshme për të gjetur shkaktarët, të cilët bëhen shkak i dështimit apo i prishjes së imazhit të një procesi zgjedhor; kjo është shumë e rëndësishme. Në rast se ndodh diku diçka, duhet thënë se ndodhi këtu dhe të mos e përgjithësojmë. Në rast se ka elementë përgjithësues, atëherë partitë politike duhet të thonë se po ndodh këtu e këtu; pastaj analiza bëhet në një sfond tjetër. Unë besoj se njerëzit që kanë aplikuar duhet të gjejnë dhe besoj se do ta gjejnë kohën që të shkojnë t’i tërheqin. Duke marrë në konsideratë njerëzit që janë me letërnjoftimi do të përbëjnë numrin e rëndësishëm që ne jemi mësuar ta quajmë kontingjenti zgjedhor për të shkuar e votuar në datën 28 qershor.
Gazetari: Zoti President, voton një brez të rinjsh që ose kanë qenë në pelena në nëntor të viteve ’90, ose kanë lindur pas tij; deri diku futen edhe dy vajzat tuaj në këtë brez. A do të mundet ky brez të shpëtojë nga intosifikimi i gjykimit politik nga virusi i periudhës kalimtare? Cili do të ishte mesazhi i Presidentit të Republikës ndaj këtij brezi shumë të rëndësishëm dhe interesant, tek i cili duket se po synojnë jo pak partitë politike.
Presidenti Topi: Natyrisht, është brezi më i bukur. Është mosha më e bukur që bëhet e ndërgjegjshme. Njeriu e kujton moshën e tij më të mirë, atëherë kur i kanë kaluar vitet. Çdo njeri në atë moshë i kalon pa i vlerësuar realisht mundësitë që ka ajo moshë. Analiza bëhet zakonisht atëherë kur nuk të vlen për t’u kthyer pas.
Gazetari: “Post-faktum”.
Presidenti Topi: Mund të jetë “post-faktum”, por nganjëherë mund të jetë “primo-mortum” para se njeriu të vdesë. E kam fjalën se ky është brez jashtëzakonisht i rëndësishëm për Shqipërinë. Këtë nuk e them në terma vlerësimi biologjik të moshës. Ky është brezi që po shkollohet; është brezi që ka një grim të jashtëzakonshëm për të marrë mësim. Kam parasysh jo vetëm studentët që studiojnë në Shqipëri, por kam parasysh shumë studentë që studiojnë jashtë në universitetet më të mira të Evropës dhe të botës. Kam parasysh përpjekjet e mundimet titanike të familjeve shqiptare, të cilat e kanë prioritet vetëm shkollimin e fëmijëve; pra, është një brez që duhet të trajtohet me shumë kujdes. Unë mendoj se ky brez nuk është rritur në një terren jashtë influencës familjare, por në një farë mënyre të gjithë fëmijët që kanë bërë një jetë normale pranë familjeve të tyre, patjetër që kanë influencat e perceptimeve dhe të preferencave politike të tyre dhe të familjeve të tyre. Unë mendoj se politikat e partive dhe të institucioneve në përgjithësi duhet të jenë shumë të kujdesshme ndaj kësaj gjenerate, e cila nuk i gëlltit disa formula të përgjithshme. Është një gjeneratë që realisht, për shkak të kohës që jetojmë, mjaft e avancuar. Sot ajo është në kontakt me median, me mjete të teknologjisë moderne të komunikimit dhe formimit dhe nuk e di sesa të përzgjedhur janë për ta marrë informacionin. Ne e konsiderojmë si një kontingjent zgjedhor, por në fakt shumica e tyre ndoshta mund të jenë edhe indiferentë për zgjedhjet. Kjo është arsyeja që nuk mund të bësh të njëjtën politikë e propagandë që bën për kontigjentet e stazhionuara të politikës së periudhës kalimtare shqiptare, të cilat i presin me shumë dëshirë fjalimet zgjedhore. E ke shumë të vështirë të dallosh në sheshet e mbushura plot që janë të një partie apo të partive të ndryshme. Brezi i ri kërkon një kualifikim shumë të lartë për t’u dhënë mesazhet e duhura për t’i orientuar një pjesë prej tyre edhe drejt politikës. Sot ka studentë që studiojnë në universitete të profilizuara dhe ndoshta e kanë shumë të vështirë për të gjetur një pozicion normal në politikën e trazuar, sepse ju e dini që ka një klimë jo fort tërheqëse. Vërtet katapultohen politikanë të rinj, por ata duhet patjetër që të gjejnë një klimë të natyrshme që edhe integrimi i tyre të mos jetë thjesht si emërim i kryetarëve të partive, por të vijë si një proces evolutiv i konkurrencës sipas rregullave të demokracisë për t’u bërë nesër politikanë të kualifikuar, me të cilët Shqipëria do të drejtojë institucione dhe do të krenohet. Unë do të thosha se është një proces mjaft delikat që kërkon një kualifikim shumë profesional të politikanëve dhe kurrsesi nuk mund të jepen mesazhe të thata për këtë kontigjent që shikohet nga të huajt, shikohet shumë shpresëdhënës, se në strukturën e popullsisë shqiptare, ndryshe nga shtetet e tjera qoftë të rajonit dhe qoftë të Evropës, ne kemi një mesatare të re që të jep shumë shans për të ardhmen.
Gazetari: Jemi në fund të emisionit, zoti President. Ne gazetarët, zakonisht radhisim problemet e jo arritjet. Probleme ka në atmosferë, në organizim dhe në një farë mënyre dhe të mungesës së frymës demokratike inflacion idesh, platformash, raste dhune fizike e psikologjike, probleme me letërnjoftimet, me indiferencën e qytetarëve. Jeni ju pas Komisionit Qendror Zgjedhor dhe organizatave ndërkombëtare OSBE-së, ODIHR-it dhe do t’u duhej të certifikonit me veprimet tuaja certifikuese këto zgjedhje, një çast që pa dyshim është i vështirë, por edhe i rëndësishëm në karrierën tuaj si President i Republikës. Nga cilat parime do të udhëhiqeni në marrjen e këtij vendimi të rëndësishëm?
Presidenti Topi: Së pari, më lejoni t’jua theksoj se institucioni që certifikon zgjedhjet është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbi bazën e Kushtetutës e ligjit. Natyrisht, ka një proces do të thosha kalimtar nga çasti i finalizimit të zgjedhjeve që nënkupton kundërshtimet e mundshme. Për këtë është ngritur edhe Kolegji Zgjedhor. Ju keni parë e ndjekur që ato funksionojnë mbi bazën e një ligji dhe besoj se janë emëruar gjyqtarët që plotësojnë kriteret për të gjykuar mbi procesin e zgjedhjeve që është më e rëndësishme.
Unë kam bërë thirrje që Kolegji Zgjedhor duhet të jetë korrekt, duhet të ushtrojë veprimtarinë mbi parimet e drejtësisë dhe, sipas Kushtetutës, në çastin që përfundon gjykimi i kundërshtimeve të mundshme në Kolegjin Zgjedhor, është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që bën certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve. Mbi bazën e kësaj ka hapa kushtetues që orientojnë dhe e detyrojnë Presidentin e Republikës që të mbledhë Kuvendin, i cili duhet të jetë jo më herët sesa data e përfundimit, pra 3 shtatori dhe jo më vonë sesa 10 ditë nga 3 shtatori, në hapësirën midis 3 dhe 13 shtatorit. Pastaj aty janë rregullat e fiksuara sesi jepet mundësia për krijimin e qeverisë që i jepet partisë ose koalicionit që ka siguruar më shumë vende në Kuvend; ka edhe disa rregulla specifike që unë mendoj të mos futemi.
Gazetari: Mbase do të jetë hera e parë që do të kemi një rezultat zgjedhor të dalë nga një sistem të ri zgjedhor.
Presidenti Topi: Të shpresojmë që gjërat të vendosen në një plan korrekt, ndonëse është një përvojë e re. Në përgjithësi unë them se gjërat kanë shkuar mirë; natyrisht, episode ka, por e përgjithshmja është pozitive.
Gazetari: Dikush e quan 28 qershorin shansin e parë të shqiptarëve drejt Perëndimit, dikush tjetër shansin e fundit për t’u ndarë nga periudha kalimtare.
Zoti President, çfarë shansi kanë shqiptarët më 28 qershor, çfarë mund të fitojnë dhe çfarë rrezikojnë të humbasin?
Presidenti Topi: Kjo është një pyetje mjaft e rëndësishme. Sado lakonik të jesh në përgjigje, nuk mund të realizosh domethënien e rëndësishme të këtyre zgjedhjeve. Unë nuk mendoj se jeni në atë periudhë kur kemi marrë shumë vlerësime për një proces që mund të ishte i largët në zgjedhjet politike që kemi kaluar. Vërtet që ne jemi shumë afër Evropës. Unë e kam thënë dhe do ta them në çfarëdo pozicioni që të jem: Të jesh vendi i NATO-s, të jesh një nga 28 vendet e kësaj strukture evropiane, do të thotë se ke një koeficient shumë të rëndësishëm të sigurisë, por edhe një nivel të kënaqshëm të demokracisë së institucioneve. Nga ana tjetër, kam thënë se institucioni i zgjedhjeve është institucioni më i rëndësishëm i një vendi, sepse prej tij dalin institucioni i Kuvendit dhe nga Kuvendi dalin të gjitha institucionet e tjera; pra, është një strukturë organike shumë e fortë që lidhet pikërisht me çastin e zgjedhjeve.
Perëndimorët, ata që ne shpresojmë të shkojmë e lidhin në mënyrë shumë të qartë ecurinë e korrektësinë e këtyre zgjedhjeve dhe të gjithë performancën e realizimit të institucioneve pas zgjedhjeve. Besoj se do të jetë e vetmja pengesë, që unë shpresoj të kalohet me sukses, pas së cilës ne realisht do të fusim pa asnjë lloj pengese për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Kam thënë dje dhe e them edhe sot se pas zgjedhjeve do të jetë një bulevard i gjerë, të jeni i sigurt se këtë e kam mbi bazën e shumë informacioneve.
Gazetari: Ose një shteg i ngushtë.
Presidenti Topi: Nuk është absolutisht një shteg i ngushtë.
Gazetari: Në rast se gjërat nuk shkojnë mirë.
Presidenti Topi: Ah, në rast se gjërat nuk shkojnë mirë, natyrisht, do të jetë një shteg, që në vend të zgjerohet, do të ngushtohet. Unë jam me besim të plotë që zgjedhjet e datës 28 qershor do të zhvillohen me një klimë të qetë, me një vëzhgim shumë të kujdesshëm dhe besoj se ne do të dalim nga ky provim me një vlerësim të admirueshëm, në radhë të parë, nga zgjedhësit shqiptarë, pastaj edhe nga partnerët tanë.
Gazetari: Zoti President, falemnderit që ishit sot në emisionin “Top-Story”!
Presidenti Topi: Ishte kënaqësi edhe për mua.
Gazetari: Kemi qenë me Presidentin e Republikës për rreth një orë e gjysmë. Kemi folur për shumë gjëra, kryesisht të fokusuara te procesi i fushatës dhe i përgatitjes dhe zgjedhjeve të rëndësishme të 28 qershorit. Keni dëgjuar mesazhe të rëndësishme për çështje të dorës së parë të politikës në vend. Nesër do të jemi sërish bashkë me një temë tjetër të nxehtë. Sërish në “Top-Story” në orën 2100. Deri atëherë, nga unë Sokol Balla, natën e mirë!