Investime infrastrukturore në Kurbin, 19 kantiere të hapura, rrugë të reja në qytet dhe në fshatra

Investimet në infrastrukturën rrugore në Bashkinë e Kurbinit kanë hyrë në fazën përfundimtare, duke sjellë ndryshime të dukshme në zonat urbane dhe rurale. Aktualisht në territor janë të hapura 19 kantiere, ku po punohet për rikonstruksionin e rrugëve lidhëse të qytetit me akset kombëtare, si dhe asfaltimin e rrugëve të brendshme në Laç dhe njësitë administrative.
Kryetarja e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, deklaron se projektet janë hartuar bazuar në kërkesat e banorëve dhe po financohen nga fondet e bashkisë.
“Krahas çdo investimi madhor që është bërë në gjithë Kurbinin këto vitet e fundit, ne tashmë jemi shtrirë në zonat rurale, kryesisht në infrastrukturë. Kemi prekur të gjithë njësitë administrative, kemi mbaruar gati pesë akse. Jemi prapë në kantiere të tjera. Kemi mbaruar në Sanxhak dy. Shtrihemi në njësi Milot, do jemi në Fushëkuq dhe në Mamurras shumë shpejt”, tha Cara.
Banorët vlerësojnë ndërhyrjet e kryera, duke u shprehur se përmirësimi i rrugëve ka ndikuar në lehtësimin e lëvizjes dhe në rritjen e cilësisë së jetës.
“Është më mirë se qyteti. Rruga ka qenë për të faqe të zezë”, tha një banor.
“Sa herë binte shi dilte zhavorri në rrugën kryesore”, u shpreh një tjetër.
“Shumë keq ka qenë. Tani është bërë mirë se kanë bërë kanalizimet mbas 36 viteve demokraci. Shyqyr zotit u realizua kjo bëmë me gjithë parametrat, u ka shkuar nëpër deri te porta me degëzimet të familjeve”, tha një tjetër banor.
Punimet pritet të përmirësojnë ndjeshëm aksesin për komunitetet, pasi mungesa e infrastrukturës rrugore ishte kthyer në një problem të vazhdueshëm për shumë zona të Kurbinit.
/rtsh.al/