Investime në pemët arrore, në Maliq po shtohen investimet në kultivimin e kësaj kulture me kërkesë të lartë në treg

Fermeri i ri Roxhens Zgorani nga fshati Pocestë i bashkisë Maliq po investon në kultivimin e pemëve arrore, duke e konsideruar këtë sektor si një nga më fitimprurësit në bujqësi.
Në fermën e tij ai ka mbjellë arra, lajthi dhe bajame, kultura për të cilat thotë se kanë kërkesë të lartë në treg dhe sjellin të ardhura të kënaqshme për fermerët.
Sipas Roxhensit, zgjedhja për t’u përqendruar tek pemët arrore ka ardhur pas studimit të kushteve klimatike dhe potencialit që ka zona për këto kultura.
“Pemët e parë e kam mbjellë që në klasë të 6 apo të 7 dhe pastaj ka qenë pasion i vazhdueshëm. Arrorët janë ndër kulturat që realisht ja vlen të kultivohen dhe nuk duan shumë shërbim për sa i përket mbrojtjes nga sëmundje të ndryshme”, u shpreh fermeri.
Ai shprehet se ka preferuar pemë autoktone, pasi përshtaten më mirë me klimën dhe tokën e zonës, duke kërkuar më pak ndërhyrje dhe duke garantuar prodhim më të qëndrueshëm.
“I kam varietete autoktone për shkak edhe pse janë përshtatur me klimën e rajonit tonë por dhe për cilësinë e prodhimit sepse janë më shumë cilësore në aspektin e vlerave ushqyese”, tha ai.
Fermeri i ri thotë se puna në bujqësi kërkon përkushtim dhe durim, por rezultatet janë pozitive kur investimi bëhet në kulturat e duhura.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/