Transformohen ambientet e konviktit të shkollës profesionale “Hasan Gina” në Lushnjë

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Nxënësit që zgjedhin shkollën e mesme profesionale “Hasan Gina” në Lushnjë do të strehohen me kushte moderne dhe dinjitoze, falë investimit të kryer për transformimin e konviktit të kësaj shkolle.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna që është bërë për transformimin rrënjësor të mjediseve të konviktit të kësaj shkolle, ku ofrohen kushte moderne dhe ideale për nxënësit që zgjedhin këtë institucion arsimor.
Investimi, i realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, përfshin rikonstruksionin e ambienteve të konviktit, sistemimin e dhomave të akomodimit, përmirësimin e kushteve sanitare, rikualifikimin e hapësirave të përbashkëta dhe krijimin e standardeve bashkëkohore për jetesën e nxënësve.
Ambientet tashmë ofrojnë kushte më të sigurta dhe funksionale për të rinjtë që vijnë nga qytete të ndryshme të vendit.
Ky investim konsiderohet pjesë e strategjisë për forcimin e arsimit profesional dhe rritjen e interesit për ndjekjen e shkollave profesionale.
Shkolla “Hasan Gina”, me mbi pesë dekada traditë në arsimin profesional, ofron degë si informatikë, ekonomi-biznes, elektrik, hidraulikë dhe shërbime të mjeteve motorike. Një pjesë e madhe e nxënësve arrijnë të integrohen në tregun e punës menjëherë pas përfundimit të studimeve.
/m.m/j.p/r.e/